Një kartolinë urimi për Vitin e Ri


Në fund të vitit njerëzit këmbejnë urimet dhe, si rregull, i urojnë  njëri-tjetrit “jetë më të mirë”.Si jetuam në vitin që po kalon dhe si do të jetojmë në vitin që po e presim? Kjo është pyetja. Thonë se njeriu jeton, ashtu siç e “meriton të jetojë”. A thua nuk “merituam” të jetojmë më mirë se ç’jetuam? Ndoshta ishim aq shumë “të preokupuar” me jetën, sa që “harruam” të jetojmë.

Për jetën mund të kërkosh dhe të gjeshë njëmijëenjë përkufizim, por nuk mund të kërkosh dhe të gjeshë më shumë se një jetë. Në jetë futesh si në një”lavirint” në të cilin sado që “ecën shtrembër” të mbanë shpresa se, një ditë, “do të ecësh drejt”.
Gjithë jeta jonë sikur sillet në mes të asaj që duam dhe asaj që bëjmë. Por, sa jemi të ndërgjegjshëm se duam më shumë se ç’bëjmë. Sekreti i jetës, sipas një mendimtari, “nuk është vetëm në atë që të jetosh, por në atë pse të jetosh”.
Jeta, sado që të jetë e shkurtër, shoqërohet me “shpresa të gjata”. Arturo Graf jetën e konsideron “punë në të cilën fitimin përherë e ndjek humbja”. Formula është e thjeshtë: “sa më shumë që jeton, aq më pak të ngelë të jetosh”.
Njeriu ka një vend në shoqëri, varësisht nga jeta që bën në të. Prandaj, vendi i tij “nuk varet shumë nga ajo që di, sa varet nga ajo që ka”.
Jetën e paguajmë më shtrenjtë se çmimi real që ka ajo, në të vërtetë. Jeta ka  shumë të ngjarë me tregtinë. Në të “mund të investosh të gjitha”, por edhe “të humbësh të gjitha”. Prandaj, shumica kërkojnë, por vështirë e gjejnë “barazinë”.
Njerëzit “ushqehen me shpresë”, sepse ky është ushqimi për të cilin nuk paguajnë. Mirëpo, një proverb yni thotë:”Kush rron me shpresë, vdes uni”. Megjithatë, shpresat jetojnë gjatë; aq gjatë sa që “vdesin të fundit”. Se ç’është shpresa merret vesh më së miri kur humbet edhe vetë ajo. Paul Jean ka një aforizëm të mirë: ”Varfëria dhe shpresa janë nënë dhe bijë. Sa merresh me bijën, e harron nënën”.
Shpresa është “pasuria më e madhe e atyre që nuk kanë asgjë”. Prandaj, njerëzit nuk mund të ankohen se nuk kanë asgjë pas vetes së tyre. Shpresa i”mbanë gjallë”. Kjo është domethënia më e madhe e shpresës. Prandaj,”më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se me atë në të cilën shpresojmë”.          
Bërthama e progresit është ecja në “drejtimin e duhur” dhe “vjelja e  rezultateve” gjatë ecjes. Por, a kemi kohë më “për të ecur” apo duhet “të vrapojmë”, sepse “jemi vonuar”.Te ne ditët “vijnë e ikin”. ndryshimet ndodhin, e rezultatet “nuk duken”. Dua t’ i besoj mendimit se : “Ajo që rritet ngadalë, i reziston kohës”, por ndonjëherë shqetësohem me thënien se: “ Gjithçka mund të degjenerohet, nëse nuk përparon”.  

Additional information