Më shumë se për parashikimin e rezultateve të ndeshjeve të futbollit në fund të çdo jave,në Kosovë po bëhen parashikime për rezultatin që do “ta nxjerrë”Ahtisari nga “pakoja e vet”.Në “bastorën politike”,po sikurse edhe në atë sportive,në lidhje me të ardhmen e Kosoëvs,luhet me tre shenja.Eshtë në rritje numri i atyre që po luajnë “njëshin”,duke llogaritur në “pavarësinë e Kosovës”,si të vetmin rezultat nga ndeshja Kosovë-Serbi.Por,nuk mungojnë as ata që po “vëjnë shënjen e barazimit”,me shumë mbi bazën e parimit se Ahtisari si prijës i negociatave do të përpiqet “të nxjerrë”një rezultat “të barabartë”.   

    
Natyrisht se ende “po luhet edhe dyshi”,duke pasur parasysh anekset e marrëveshjes me të cilat do të rregullohen të drejtat e pakicave,veçanërisht të asaj serbe,me një projekt të decentralizimit territorial dhe etnik i cili edhe fitorës eventuale të Kosovës,sipas atyre që “luajnë dyshin”, do të mund “t’i sjellte humbje”. Sidoqoftë,dy taborret e kundërta po presin “rezultatin e takimit”në “kohën e rregullt”, në mënyrë që, po qe se nuk do të ndaheshin të kënaqur me të,të provonin  ta korigjonin  në “kohën shtesë”.Krahasimi me lojën e futbollit nuk është i rastësishëm,për shkak se edhe vetë negociatat nuk ishin më shumë se “një lojë”e cila i ka shërbyer bashkësisë ndërkombëtare për t’i matur “forcat e kundërshtarëve”dhe për të arritur tek përfundimi se rezultati,qoftë dhe “i kurdisur”prej gjyqtarit do të pranohet.Prandaj,janë të gjitha gjasat që palët negociuese,përkundër deklarimeve të tyre se “nuk do ta pranojnë rezultatin”,po qe se ai do të ishte i pafavorshëm për ta,do të pajtohen.Një pajtim ato e kanë dhënë me vetë faktin se kanë rënë dakord “të luajnë në mes tyre”.Rezultati më shumë do t’u sherbejë si arsyetim para dashamirëve të vet se ai “nuk ishte rezultat i lojës që luajtën”,por i kurdisjes së saj nga ana e gjyqtarit.Së këndejmi,me shumë se “miratimi me entuziazëm”do të mund të ndodhë “miratimi me heshtje”.Duhet pritur se edhe pas vendosjes së statusit të ri të Kosovës,raportet Kosovë-Serbi të mos shtensionohen.Që të dyja do të përballen me nevojën e “vënjes në jetë”të vendimit “në gjithë territorin e Kosovës”,duke mbështetur  deklarimet e bashkësisë ndërkombëtare se “nuk do të ketë ndarje të Kosovës”.Shtrirja e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të saj do të mund të përbënte njerën nga sfidat më të mëdha në Kosovën e passtatusit,duke pasur parasysh faktin se qysh 1999-tën kishte ndodhur një legalizim i heshtur i Mitrovicës dhe veriut të Kosovës në përgjithësi.Sfidën tjetër shumë të madhe për Kosovën e passtatusit do të mund ta përbënte izolimi i territoreve të Kosovës në të cilat do të vendosen serbët sipas projektit territorial dhe etnik të decentralizimit dhe të të ashtuquajturave “zonave të mbrojtura”.Këto nuk do të ishin sfidat e vetme në Kosovën e passtatusit.Sfidë më vete do të mund të paraqiste edhe bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës me procedurat e nxjerrjes së ligjeve me votim të dyfishtë,në emër të diskriminimit pozitiv të pakicave.Përfundimisht,Kosova edhe pas vendosjes së statusit të ri,do të përballet me praninë ndërkombëtare, ushtarake dhe civile.Kjo e dyta,me sa merret vesh,nuk do të jetë as e lehtë dhe as e pandikueshme,për shkak të vlerësimit të tashëm në bashkësinë ndërkombëtare “për kapacitetin (ende)të ulët të institucioneve të Kosovës”për “ta administruar plotësisht vendin;për shkak të ndjenjës që tashmë është shndërruar në bindje të bashkësisë ndërkombëtare për “shkallën e lartë  të mosbesimit”ndërmjet shqiptarëve e serbëve,faktorë këta që kanë ndikuar që në bashkësinë ndërkombëtare të ketë “një marrëveshje të pafirmosur”për limitimin e qeverisjes së institucioneve  të Kosovës.