(dërguar mediave në Maqedoni)

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë  u rradhit krah për krah me akademinë serbe në kursin e urrejtjes ndaj popullit shqiptar, duke kontestuar autoktoninë dhe historinë e  tij  shumë të lashtë dhe të pashlyeshme.Në këtë mënyrë, korit të politikës maqedonase kundër popullit shqiptar në Maqedoni, iu bashkua dhe shkenca maqedonase e cila mbolli farën e armiqësisë ndaj shqiptarëve, duke formësuar qëndrime negative ndaj tyre dhe historisë së tyre, pa asnjë mbështetje që karakterizon shkrimet enciklopedike. 

 

C’është e vërteta, edhe më parë në shkrimet e akademikëve maqedonase janë ndeshur  pikëpamje të konfrontueshme dhe të gabueshme në lidhje me prejardhjen e shqiptarëve dhe historinë e  tyre, por kësaj rradhe mbushet kupa, sepse tash nxitja e urrejtjes, e armiqësisë dhe e agresionit nuk ka vetëm karakter individual, por merr dhe karakter institucional.Akademia maqedonase e tregon fytyrën e saj  të vërtetë të urrejtjes patologjike ndaj shqiptarëve të cilët, si në të kaluarën, ashtu dhe në tashmen, sakrifikuan dhe flijuan veten e tyre për një “bashkëjetesë me maqedonasit”, edhe pse vetë të nënshtruar dhe të poshtëruar.Me këtë enciklopedi që nuk do të kalojë vetëm me reagimet e rastit, akademikët maqedonase nuk fshehin synimet e tyre për të shlyer “çdo shenjë shqiptare në Ballkan”, pa vra mendjen se është populli maqedonas, e jo populli shqiptar, të cilit i kontestohet emri, i kontestohet gjuha dhe i kontestohet kisha, prandaj ironia bëhet më e madhe kur kontestimet e një populli të lashtë, me prejardhje dhe histori të verifikuar shkencërisht, vijnë nga akademikë të një populli që nuk ka të verifikuar  prejardhjen dhe identitetin e vet.
Shkencëtarët maqedonase  e din prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve, por me këtë enciklopedi pretendojnë ta shtrembërojnë dhe injorojnë atë tërësisht dhe ky fakt nuk ka pse mos t’i vendosë në “lagjën e pseudoshkencëtarëve”. Ata jo vetëm se nuk mund të kontestojnë etnogjenezën, autoktonninë dhe historinë e shqiptarëve përgjithësisht, por nuk mund t’i fshehin dhe faktet e pakontestueshme se edhe shqiptarët në Maqedoni jetojnë në trojet e veta etnike dhe se janë popull autokton në ato troje; se ata i veçon kompaktësia e tyre etnike, territoriale, historike, kulturore dhe gjuhësore; se ata në trojet e veta etnike janë popull shumicë dhe se nuk mund të trajtohen si “pakicë kombetare”.Shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një grup të shquar etnik dhe vetëdija e tyre mbi përkatësinë asaj bashkësie të vjetër nuk mund të injorohet njëanshëm.
Akademia maqedonase nuk duhet të krijojë iluzione se enciklopedia e saj do të përcillet vetëm me reagime të rastit. Ajo duhet të ndërgjegjësohet se  në mënyrë të argumentuar, shkenca shqiptare do t’i përgjigjet të pavërtetave dhe gënjeshtrave që nuk mund t’i qëndrojnë kohës dhe realitetit shkencor.