Për ”Enciklopedinë Maqedonase” para intelektualëve të Gjakovës (26 shtator 2009)

Edhe pse akademikët maqedonas kanë paralajmëruar gjoja tërheqjen nga enciklopedia,pasi e kanë kryer punën  e vet, shqiptarët nuk guxojnë të tërhiqen para se ta kenë kryer punën e tyre në përgënjeshtrimin e të dhënave që përmban enciklopedia maqedonase.Shqiptarët në Maqedoni nuk janë më vetëm barinj delesh e gatues byrekësh e ëmbëlsirash, por një klasë e arsimuar,e aftë për t’i dalë zot çështjes së vet dhe kombit të vet.
Nuk  mund të ketë tërheqje të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve pa tërheqjen e botimit të parë, pa distancimin publik të vetë akademisë, pa marrje të masave të përgjegjësisë ndaj bartësve kryesorë të projektit, pa kërkimfalje publike shqiptarëve dhe pa botimin e dytë nga i cili do të mënjanoheshin të gjitha shkrimet kontestuese, fyese e denigruese në lidhje me prejardhjen, etnogjenezën dhe, përgjithësisht, historinë e shqiptarëve.


Disa ditë zgjatën dhe ende vazhdojnë reagimet, të shumtën e herëve, me pikëpamje politike, rreth botimit të enciklopedisë nga ana e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve  me të cilën, jashtë të gjitha kritereve dhe standardeve për botimet akademike, fyhen dhe njollosën shqiptarët, kontestohet dhe mohohet prejardhja dhe etnogjeneza e tyre dhe përbuzët gjithë historia kombëtare e shqiptarëve.
Me gjithë paralajmërimet për gjoja tërheqje të enciklopedisë, tash është koha që shkenca shqiptare të mbledh kapacitetet e veta që, me forcën e argumenteve, të flas bindshëm dhe t’i dëshmojë  të pavërteta dhe gënjeshtra shkrimet në të ashtuquajturën “Enciklopedi Maqedonase”.
Për fillimin e shqyrtimeve më duken të pashmangshme disa konstatime dhe një numër pyetjesh.

Konstatimet:

1.Nuk është hera e parë që Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, duke marrë si model simotrën e saj, Akademinë Serbe, të shtrembërojë faktet historike dhe të derdhë helm e mbjell urrejtje ndaj shqiptarëve.Duke i shpallur kolonizues(zaptues) trojesh shqiptarët në Maqedoni, ofendohen rëndë ndjenjat kombëtare të të gjithë shqiptarëve.
Historiografia maqedonase në vazhdimësi falsifikon faktet historike, deri në shkallën e “nxjerrjes së prejardhjes së Skënderbeut, nobelistes Nënë Tereza, po dhe të Lekës së Madh, për maqedonas”.

2.Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve është institucion i shtetit, enciklopedia është projekt i shtetit dhe përgjegjësia është e shtetit.

3.Falsifikimi i historisë së shqiptarëve është i qëllimshëm, jo i rastësishëm.       

4.Dalja në dritë e “Enciklopedisë Maqedonase” në këtë kohë është e qëllimshme,nuk është  e rastësishme.

5.Paralajmërimet për botimin e enciklopedisë, sipas “Kohës”së Shkupit, nuk kanë munguar.Luan Starova në gazetën “Lajm” të Shkupit më 2 korrik 2005 ka botuar shkrimin me titull: “Shqiptarët i thonë’Jo’ enciklopedisë së Ristevskit”, me mestitull: “Akademikët maqedonas në aksion të shtrembërimit të së vërtetës shqiptare”.
Fatkeqësisht, një numër përgjigjesh i kemi marrë me heshtje.

Pyetjet:

1.Pse u botua dhe cili është qëllimi i daljes në dritë të enciklopedisë pikërisht në këtë kohë?

2.Pse prej maqedonasëve fyhen shqiptarët të cilët janë “duke e mbajtur gjallë dhe duke ia zgjatur jetën” një “krijese artificiale shtetërore”?

3.Cilat mund të jenë pasojat e enciklopedisë për të ardhmen e Maqedonisë?

4.Pse problemi është, në thelb, politik, e pse atij, përveç politikës, duhet t’i kundërvihet dhe përgjigjet, kryesisht dhe në rradhë të parë, shkenca?

5. A mund të bashkëjetojnë shqiptarët dhe sllavo-maqedonasit dhe cila është e ardhmja e Maqedonisë?

Shqiptarët në  Maqedoni nuk janë vetëm dhe nuk duhet të ndihen të vetmuar në “fushatën politike- shkencore” kundër “Enciklopedisë Maqedonase”.

Së pari, si u tha tashmë, shqiptarët në Maqedoni nuk janë më vetëm barinj delesh dhe gatues byrekësh e ëmbëlsirash. Në Maqedoni “ka nisur të rritet një klasë shqiptarësh të arsimuar që do të jetë vështirë të manipulohen e trajtohen shtazërisht e pa dinjitet ashtu si janë mësuar ristevskët”.

Së dyti, kritikat në adresë të enciklopedisë vijnë nga politikanë e studiues nga Shqipëria, Kosova dhe gjithandej hapësira shqiptare(që verifikon se shqiptarët në Maqedoni nuk janë vetëm dhe nuk ndihen të vetmuar).

Së treti, kritikat në adresë të enciklopedisë vijnë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe faktori ndërkombëtar.

Për mua çështja është se a do të dimë ta shfrytëzojmë këtë rast për ta hapur, por edhe për ta zgjidhur, statusin e shqiptarëve në Maqedoni, qoftë dhe me ripozicionimin politik të tyre.

Si duhet t’i përgjigjemi enciklopedisë?

E para, të thuash, me “libër enciklopedik”.

E dyta, me botimin e librit në gjuhë të huaja.

E treta, me hapjen e debatit politik rreth kushteve të “bashkëjetesës së shqiptarëve dhe maqedonasëve” dhe ekzistencës së mëtejshme të Maqedonisë.

Cila do të duhej të ishte pikënisja?

Piëpamja se  “shqiptarët jetojnë në Maqedoni në vazhdimësi, që nga të parët e tyre ilirët e deri më sot” dhe se  kjo vërtetohet nga aspekte historike, gjeografike, arkeologjike, gjuhësore, etnografike e tjera; se historia e shqiptarëve në Maqedoni “nuk mund të merret e këputur nga historia e përgjithshme kombëtare e popullit shqiptar”; se “trolli, gjuha, historia dhe në përgjithësi kultura materiale e shpirtërore e popullit të sotëm shqiptar s’janë gjë tjetër veçse një vazhdim i trollit, i gjuhës, i historisë dhe etnokulturës së ilirëve…”

Pikëpamja tjetër se burimet autentike historike vërtetojnë se shqiptarët në Maqedoni “nuk krijojnë ndonjë oazë të izoluar nga pjesa tjetër e kombit, nuk janë të shkëputur prej tij, por janë pjesë përbërëse dhe në vazhdimësi të popullit shqiptar që jeton në Shqipëri dhe në Kosovë”.

“Enciklopedisë Maqedonase” duhet t’i përgjigjemi me të vërtetën tonë si popull dhe si komb, me historinë e popullit shqiptar që mund të kuptohet drejtë vetëm po qe se asaj i  bëhet qasje e tërësishme, në vazhdimësi dhe në mënyrë autentike, ashtu siç është zhvilluar, në fakt, ajo.
Dështimi më i madh i enciklopedistëve maqedonas është ai që historinë e shqiptarëve në Maqedoni nuk e kundruan si pjesë e historisë së tërësishme të shqiptarëve. Nuk e kanë bërë dhe nuk e bëjnë këtë dhe serbët të cilët historinë e popullit shqiptar përherë e trajtuan “të shkëputur dhe të përndarë në kuadër të shteteve që kanë sunduar në trojet shqiptare dhe në kuadër të marrëdhënieve të shqiptarëve me sllavët e jugut”.

Pozita denigruese kushtetuese – juridike e shqiptarëve në Maqedoni

Shqiptarët në Maqedoni përballën sot me një pozitë denigruese kushtetuese-juridike.Kujtojmë se deklarimi i pavarësisë së Maqedonisë ndodhi pa u sqaruar pozicioni i  shqiptarëve  dhe pjesëmarrja e tyre  në rregullimin kushtetues të këtij vendi, pra pa u përkufizuar premisat dhe raportet brendapërbrenda formacionit të ri shtetëror. Pa këto premisa e njohu  Shqipëria Maqedoninë.
Për pasojë, regjimi sllavo-maqedonas nuk ndërtoi një qëndrim të drejtë ndaj shqiptarëve etnikë, nëpërmjet ngritjes së një mekanizmi konsensual që do të mund të ndalonte mundësinë e majorizimit të shqiptarëve dhe të të drejtave të tyre që, formalisht, u njiheshin më parë, me gjithë pamundësinë e realizimit të  tyre në praktikë. Në këtë mënyrë, Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1999 u bë “gjeneratori themelor i krizës në raportet sllavo-maqedonase”, për shkak të pozitës denigruese kushtetuese-juridike të shqiptarëve në të, në mënyrë të veçantë për shkak të trajtimit të tyre si “pakicë kombëtare”.
Bashkësia ndërkombëtare u angazhua për një “marrëveshje historike”ndërmjet shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasëve që, megjithatë, qoftë në parimet, qoftë  në zgjidhjet që ofroi, e në mënyrë të veçantë, në zbatimin e tyre në praktikë, nuk arsyetoi kualifikimin që iu dha.
Marrëveshja e Ohrit nuk i promovoi shqiptarët si popull autokton, me tiparet e theksuara demografike të numrit të tyre dhe të koncentrimit të lartë dhe të gjerë në trojet e veta etnike dhe me gjithë këtë fakt, konservoi për ta statusin denigrues të “pakicës kombëtare”, madje dhe pa i përmendur fare, përveç se në kuadër të “bashkësive” që përbëjnë “shtetin shumetnik”, edhe pse shqiptarët, në të vërtetë, përbëjnë grupin më të shquar etnik tek i cili është rritur vetëdija se ai është subjekt politik  që, si krejtësisht i barabartë  me popullin maqedonas, ka të drejtë të jetë bartës i sovranitetit dhe shtetformues, kështu që Marrëveshja e Ohrit nuk eleminoi shkaktarin themelor të krizës në Maqedoni- trajtimin e shqiptarëve si minoritet.

Si mund të paraqitet e ardhmja në raportet shqiptaro-maqedonase dhe e ardhmja e shtetit të Maqedonisë

E ardhmja e Maqedonisë mund të ndërtohet vetëm me përkufizimin e saj si shtet i popujve që nënkupton njohjen e subjektivitetit shtetformues dhe kushtetues- juridik të barabartë të popullit shqiptar në Maqedoni, si pikënisje për nxjerrjen e një kushtetute të re të saj.
Në Maqedoni duhet të vendoset një koncept i ri shtetëror “që pamundëson dominimin sistemor të një populli mbi një tjetër” dhe që i cilëson shqiptarët si popull autokton, si pjesë integrale e popullit shqiptar në Ballkan, në hapësirën kontinuele gjeografike ku ai jeton në shumicë etnike, pra që nuk i cilëson  si “pakicë kombëtare”, por si popull me të drejtën e vazhdueshme dhe të pashteruar të vetëvendosjes kombëtare.
Avancimi i statusit kushtetues – juridik i shqiptarëve në Maqedoni ka mbështetje në shumë argumente e fakte të pakontestueshme historike, politike dhe kushtetuese-juridike, nga të cilat po përmendim tri më kryesorët.

Një,se shqiptarët në Maqedoni kanë qenë gjithmonë, pra historikisht, element konstitutiv i shtetësië së Maqedonisë,nga Republika e Krushevës(1903),ASNOMI (1944) dhe Kushtetuta e Maqedonisë e vitit 1974.

Dy, se ata jetojnë në trojet e veta etnike dhe janë popull autokton në ato troje; se ata i veçon kompaktësia e tyre etnike, territoriale, historike, kulturore dhe gjuhësore;  se ata në trojet e veta etnike janë popull shumicë dhe se ata nuk mund të trajtohen si “pakicë kombëtare”: as për nga numri i popullsisë së përgjithshme, as për nga shkalla e vetëdijës dhe as për nga zhvillimi shpirtëror dhe kulturor i tyre.

Tre, se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një grup të shquar etnik dhe vetëdija e tyre për përkatësinë asaj bashkësie të vjetër etnike nuk mund të injorohet njëanshëm, po sikurse që, me rastin e hartimit të enciklopedisë maqedonase, nuk  mund të imponohen pikëpamje të vetëm një ane, pa u konsultuar dhe pikëpamjet e palës tjetër.

Nuk duhet të krijohet iluzion mbi “bashkëjetesën e shqiptarëve me maqedonasit” nëse nuk ndërmirren masa që e bëjnë dhe e deklarojnë të paqenë “Enciklopedinë Maqedonase”; nëse në këtë shtet nuk krijohet klimë e përshtatshme politike për të filluar një proces të vendosjes së barazisë midis shqiptarëve dhe maqedonasëve; nëse rrënjësisht dhe në thelb nuk ndryshon kursi i regjimit të Shkupit ndaj shqiptarëve dhe nëse nuk shlyhen traumat që janë shkaktuar me botimin e enciklopedisë nga ana e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, pavarësisht numrit, si thuhet, relativisht të kufizuar, të shpërndarjes së saj.
Ndryshe, nëse nuk ndryshojnë raportet shqiptaro- maqedonase, nëse shqiptarët dhe më tutje mbesin me status të nëpërkëmbur prej maqedonasëve, shqiptarët do të duhej të rishqyrtonin pozicionin e vet karshi Maqedonisë, duke vënë në qarkullim  dhe alternativa të tjera të së ardhmes së vet.

Si përfundim

Pretendimet e pseudoshkencës maqedonase janë, në të vërtetë, pretendime të politikës së pushtetit maqedonas.
Pavarësisht nga vlera ose mosvlera, konfirmimi ose moskonfirmimi i vërtetësisë së argumenteve dhe fakteve në “Enciklopedinë Maqedonase”, shkenca shqiptare është para detyrës që të bëjë përgënjeshtrimin e shqyrtimeve që në të i referohen shqiptarëve, prejardhjes dhe etnogjenezës dhe, përgjithësisht, historisë së tyre.