Gjakova e priti me indinjatë lajmin për hapjen e universitetit të dytë publik në Kosovë.Eshtë pritur që Gjakova, si vatër e njohur e arsimit, të bëhet me institucion i cili do të mund t’i ndihmonte që të tejkalojë gjendjen e vështirë në të cilën është ndodhur, qoftë ekonomisht, qoftë politikisht, qoftë dhe në aspekte të tjera të jetës. Vendimmarrësi e “kapërceu” edhe me këtë rast Gjakovën, si e “kapërceu” për vite të tëra në periudhën e pasluftës, pa i dhënë trajtimin e duhur një rajoni më të pazhvilluar të Kosovës dhe një zone  më të viktimizuar nga lufta.Kjo është çështja.Pra, për Gjakovën nuk është më problem vetëm se nuk u bë me universitet të cilin  e meritonte, po të mirreshin parasysh të gjithë faktorët relevantë që arsyetonin  hapjen e tij dhe për të cilët u bë shumë fjalë këto ditë, po trajtimi i tij i përgjithshëm, si në aspektin ekonomik, politik dhe të gjithëmbarshëm shoqëror.Kjo i dhemb Gjakovës.


Janë disa momente të cilat nuk mund të anashkalohen me rastin e diskutimit për gjendjen në të cilën është ndodhur Gjakova sot.
Së pari, Gjakova me një ekonomi të zhvilluar në periudhën e paraluftës, sot është ndër qendrat komunale më të pazhvilluara të Kosovës.Gjakova, e cila dikur punësonte fuqi punëtore dhe nga qendrat për rreth saj,  sot paraqet një “oazë të madhe të papunësuarish”, me ekonomi të varfur familjare që kërcënon me rrezikun e ekzistencës.

Së dyti, Gjakova, cila  gjatë gjithë historisë së saj, ka qenë e përfaqësuar denjësisht me kuadrot politike më të larta të Kosovës, sot është e margjinalizuar politikisht , me vetëm dy deputetë në Kuvendin e Kosovës, pa asnjë post qeveritar dhe pa asnjë kryetar partie të ndikueshme politike në nivel të Kosovës,  për dallim nga  qendrat e tjera komunale që kanë arritur të jenë mirë të përfaqësuara, si në Kuvend, në qeveri dhe në politikë përgjithësisht.
Së treti, Gjakova ka numrin më të madh të njerëzve të traumatizuar nga torturat, vrasjet, masakrimet dhe  mbajtja peng në kazamatet serbe të të dashurve të tyre dhe ky fakt nuk vranë ndërgjegjën e askujt që të ketë një përkujdesje më të madhe ndaj familjeve të viktimizuara.Përgjithësisht, Gjakova është qyteti më i viktimizuar nga lufta, me pasoja shumë të rënda dhe të pariparueshme.
Droj se me heshtje Gjakova po merr shumë përgjigje për të ardhmen e saj.Zgjedhjet lokale janë rast i parë i mirë për të ngritur zërin për t’u angazhuar për forca politike që i kthejnë dinjitetin e nëpërkëmbur dhe të humbur  Gjakovës.Forcat politike, po sikurse dhe forcat e tjera intelektuale dhe të shoqërisë civile, nuk mund ta heshtin problemin e Gjakovës përderisa ai të shtrijë dimensionet, të përhapet  dhe të shndërrohet në një gjendje fare të pashpresë.
Në gjithë këtë gjendje të shterpësisë ekonomike, politike dhe shoqërore të Gjakovës, ka një derë dhe një çelës që mund ta hapë atë.Eshtë kohë e fundit që të ndryshojnë politikat e Kosovës ndaj Gjakovës.Eshtë kohë e fundit që Gjakova të ndihmohet ekonomikisht dhe të rikëmbet, me qëllim të daljes nga varfëria e skajshme.
Eshtë kohë e fundit që Gjakova të gëzojë një përfaqësim më të dinjitetshëm politik në shkallë vendi.Eshtë kohë e fundit që në Kuvendin e Kosovës, në qeveri dhe në organet e tjera të pushtetit të Kosovës, Gjakova të përfaqësohet denjësisht, së paku në nivelin e përfaqësimit të qendrave të tjera komunale të Kosovës. Eshtë kohë e fundit që të rritet kujdesi për familjet e viktimave të luftës, për gjetjen e personave për të cilët nuk ka gjurmë tash e dhjetë vjet nga lufta.
Institucionet e Kosovës duhet që ta vizitojnë më shpesh Gjakovën dhe të mësojnë për hallet e mëdha të saj, po sikurse që pushteti komunal i Gjakovës që duhet të trokasë më shpesh në dyert e pushtetit qendror.
Një gjë tashmë nuk ka nevojë për vërtetim: Gjakova po kalon periudhën më të vështirë në historinë e bujshme të saj.Nga përgjegjësia për gjendjen në të cilën është ndodhur Gjakova nuk mund të amnistohet askush. Nuk mund të amnistohen veçanërisht ata të cilët kanë marrë përsipër ta drejtojnë Kosovën në këto të ndërtimit të një perspektive më të qartë dhe më të ndritshme për gjithë popullin e saj.Gjakova nuk mund dhe nuk duhet të jetë shembull dhe kahe e kundërt e këtij angazhimi.