Cilat pyetje i shtrova në Konferencën e Klubit për Politikë të Jashtme “Raporti i Progresit të Komisionit Evropian-Perspektiva Evropiane e Kosovës” (Prishtinë, 15 tetor 2009)

Sa herë që nuk kam shumë kohë në dispozicion për një diskutim, “thërras në ndihmë” shprehjet figurative dhe figuracionet përgjithësisht.


(1)Për mua nuk janë të diskutueshme vlerësimet për gjendjen në Kosovë, sepse gjendja në Kosovë sot flet vetë: ditët vijnë e ikin; ndryshimet ndodhin, e rezultatet nuk shihen. Pyetja e parë që po shtroj është se  kur do t’i shohim rezultatet?
Do të shtroj gjithsej pesë pyetje dhe do të përgjigjem figurativisht në to.

(2)Pyetja e dytë i referohet një problematike me të cilën merrem, administratës publike e cila është rrethuar me shumë probleme. Në lidhje me gjendjen në administratën publike po shtroj pyetjen e dytë, fare të thjeshtë: si mund të përparojmë gjendjen në administratën publike, nëse  nuk kemi ligj për administratën publike?

(3)Pyetja e tretë i referohet ligjit, gjithashtu një problematike me të cilën merrem.Ajo që duhet të thuhet në lidhje me këtë problematikë është se si mund në Kosovë  të  jetojnë dhe kryqëzohen dy realitete: një realitet që po krijohet në një pjesë të territorit në Kosovën e deklaruar  “shtet i pavarur dhe sovran”, ndërsa një realitet tjetër në pjesën tjetër të territorit ku po mëtohet të konsvervohet gjendja  me ndërhyrjet e vazhdueshme të pushtetit serb.
Fushës së sundimit të ligjit i referohet dhe mungesa e luftimit të tij, edhe pse në këtë fushë ka ligj,  nuk ka zbatim të tij.Korrupsioni është i përhapur kudo në botë, por Kosovën po e kërcënon rreziku që në të “të kërkojë azil”.

(4)Po qe se ndërtimin e shtetit e krahasojmë me godinën e shtëpisë, ajo që duhet nxjerrë si përfundim është se si godina e shtëpisë që ndërtohet, edhe ajo e shtetit që ngritet, aq sa varen nga projekti i ndërtimit, varen dhe nga “materiali ndërtimor” i tyre.Pyetja e katërt ka të bëjë pikërisht me këtë: me çfarë materiali po ndërtojmë  shtetin?

(5)Ajo që duhet të nxjerrim si detyrë dhe porosi prej dokumentit është se duhet të bëjmë shumë më shumë se ç’po bëjmë dhe se rezerva midis asaj që po bëjmë dhe asaj që mund të bëjmë, do të ishte e mjaftueshme për t’i përshpejtuar proceset prej të cilave varet finalizimi i pojektit, sepse sikur e kam thënë më një rast në “Forumin 2015”, për herë të parë po e përmend këtu: një shtet ose është ose nuk është shtet; ose ka ose nuk ka pavarësi; ose ka ose nuk ka sovranitet. Pyetja e pestë është: kush do t’i bëjë detyrat: nxënësi, mësuesi apo të dytë bashkërisht ?