Njohja që i arriti Kosovës nga Zelanda e Re është trefish e rëndësishme.
Së pari, me njohjen nga Zelanda e Re y thye heshtja më e gjatë se katër muaj e njohjeve të shtetit të Kosovës, qysh nga 11 korriku 2009.
Së dyti,  njohja nga Zelanda e Re arriti, të thuash, “në buzë”të fillimit të dëshmive para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

Së treti,  njohja nga Zelanda e Re arriti nga një vend që “është i përfaqësuar” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë  dhe se pavarësisht nga autonomia gjyqtarit,sigurisht se  nuk është e parëndësishme se vendi i tij tashmë e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Siç është bërë tashmë e njohur, tridhjetë vende të botës do të paraqesin dëshmitë e veta nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e(pa)ligjshme.Në të vërtetë, pyetja me të cilën i është drejtuar Serbia Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është : “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës në pajtim me ligjin ndërkombëtar ?”.
Audiencat publike në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mbahen prej 1- 11 dhjetor 2009. Përveç tridhjetë shteteve që janë deklaruar se do të bëjnë dëshmi, përfshirë aty edhe Serbinë, ftesën e ka marrë edhe Kosova, si autore e shpalljes së pavarësisë.
Përkujtojmë se Asambleja e Kombeve të Bashkuara më 8 tetor 2008 kishte miratuar rezolutën me të cilën i kishte kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që të shfaq mendimin e vet këshillues në lidhje me pyetjen e shtruar nga ana e Serbisë. “Për” rezolutën patën votuar 77 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, 6 qenë deklaruar “kundër, ndërsa numri prej 74 shteteve patën “abstenuar”me rastin e  votimit të rezolutës.
Përkujtojmë gjithashtu se faza e paraqitjes së deklaratave përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë  nga ana e vendeve të interesuara qe mbyllur me 17 prill  2009, ndërsa deri më 17 korrik 2009 ishte caktuar afati i kthimit të përgjigjeve rreth deklaratave që kishin bërë vendet e ndryshme.
Sipas burimeve të vetë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pritet që, ndër te  tjera, të dëshmojnë Arabia Saudite, Argjentina, Austria,  Bjellorusia, Bolivia, Brazili, Britania e Madhe, Bullgaria,  Kina, Kroacia, Qipro, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Jordani, Holanda, Norvegjia, Rumunia, Rusia,Shtetet e Bashkuara, Venezuella dhe Vietnami.
Sipas disa paralajmërimeve, prej vendeve që do të dëshmojnë pëpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të dëshmojë, më së paku, një shtet më shumë.
Gjykuar sipas vendeve nga vijnë 15 gjyqtarët  në përbërjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që nga 6 shkurti 2009, edhe “raporti i  forcave” është “në anën e Kosovës”, meqë 8 gjyqtarë janë të vendeve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e shtatë nga vendet që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.Mirëpo, gjyqtarët janë të pavarur dhe ky fakt mund të mos jetë fare përcaktues për mendimin e tyre.
Prandaj, duhet pritur se ç’do të ndodhë, në të vërtetë, dhe se çfarë mendimi këshillues do të ofrojë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtëisisë.
Do të dëshironim që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shqyrtojë gjithanshëm lëndën dhe që pyetjes që ka shtruar  Serbia t’i përgjigjet me forcën e argumenteve dhe fakteve që dëshmojnë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.