Për çka u angazhova në Konferencën Ndërkombëtare të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve “Vlerat dhe  Mileniumi XXI”(19-21 nëntor 2009)

Në shembullin e Akademisë Serbe dhe Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve është dëshmuar fakti mbi qenien e shkencës “shërbëtor i mirë i politikës”.

Mendimet tona në këtë konferencë në trekëndshin shkenca, etika shkencore dhe botimet akademike, nuk kanë mund të anashkalojnë temën e ndjeshme të historisë, sepse pikërisht në këtë fushë janë bërë shtrembërimet më të mëdha shkencore. Shqiptarët, si njëri ndër popujt më të vjetër, asnjëherë nuk kanë pasur pretendime që të tjerëve t’ua shkruajnë historinë, por janë shumë të ndjeshëm kur të tjerët atyre ua shkruajnë historinë dhe kur këtë përpiqen “ta shesin” si “vlerë shkencore”, si ka bërë Akademia Serbë e Shkencave dhe Arteve dhe, së fundi, Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve.

 

 

Në emër të së cilës logjikë flasim në këtë konferencë mbi disa vlera të tjera, e nuk flasim për vlerat e njëmendta, si ato të jetës, respektimit dhe njohjes  së ndërsjellë?.
Konsiderojmë se vlerat e Mileniumit njëzetenjë duhet të kultivojnë më shumë tolerancë midis njerëzve, më shumë respekt midis popujve dhe më shumë kuptim dhe njohje të veçorive kombëtare të tyre.
Ne shohim Mileniumin njëzetenjë pikërisht si shansë që t’i kthehemi vlerave që tërë shekullit do t’i jepnin epitetin më të cilin  karakterizohet  bota bashkëkohore. Eshtë e papranueshme, së paku, në shkencën e vërtetë, që mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e një populli me identitet të verifikuar dhe të vlerësuar të gjykojnë popujt të cilët nuk mund të krenohen për veten dhe identitetin   e tyre.
Ky tubim do të mund t’i përgjigjej qëllimit të vet vetëm nëse do t’i identifikojë vlerat më të mëdha në Shekullin njëzetenjë dhe nëse në të do të shprehej gatishmëria për afrimin dhe njohjen midis popujve. Ndryshe,  ne nga Kosova pyesim në emër të së cilës logjikë bëhemi më të afërt me botën e largët, e të largët me botën fqinje; a ka vlerë më të madhe se në këtë konferencë jemi mbledhur nga një pjesë e madhe e Evropës dhe a ka vlerë më të madhe se të identifikojmë në të vlerat e njëmendta që kapërcejnë kufijtë e urrejtjes?.Urrejtje ndaj popullit shqiptar kishte në botimet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve dhe urrjejtje ka në Enciklopedinë e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve. Prandaj, në shembullin e këtyre dy akademive vërtetohet teza mbi qenien e shkencës një “shërbëtor i mirë i politikës”.
Edhe pse shkenca dhe etika shkencore kërkojnë që t’u qëndrojmë besnikë fakteve historike, kjo nuk ka ndodhur në disa botime të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve dhe tash, së fundi, në Enciklopedinë e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve.
Akademik Nushi dhe unë, në kumtesën tonë të përgatitur për këtë konferencë, nuk kemi pasur për detyrë që të analizojmë botimet e akademive të tjera dhe të kryejmë studim krahasimtar. Mirëpo, na lejoni që, si plotësim të kumtesës që u është shpërndarë pjesëmarrësve të Konferencës Ndërkombëtare “Vlerat dhe Mileniumi XXI”, të rikonstatojmë se  në botimet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve dhe në Enciklopedinë e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve nuk i është kushtuar kujdes, në rradhë të parë, argumenteve, fakteve dhe mendimit të qartë shkencor.Në shkencën e vërtetë, së paku, nuk lejohet që të nënvlerësohet historia e një populli, cilido qoftë ai, e veçanërisht e një populli me histori të lashtë dhe të verifikuar shkencërisht.E vërteta shkencore për shqiptarët në historiografi mund të thuhet vetëm nëse mbështetet në burimet autentike të historisë së shqiptarëve. Secili shikim tjetër është antishkencor dhe nuk paraqet vlerë të vërtetë shkencore. Këtë do të duhej ta kishin parasysh akademitë e shkencave në veprimtarinë e vet botuese.Kjo është dhe përgjegjësi e tyre.