(Nga fjala e mbajtur në Simpoziumin Shkencor”Imazhi shqiptar dhe identiteti kombëtar, vlerë evropiane në epokën e globalizmit”, Tiranë, 26 dhjetor 2009)

Disa vrojtime hyrëse

Po të thuhej fjalia e fundit – e para, duke pasur parasysh objektin e debatimit në këtë simpozium, do të thoja se shqiptarët nuk duhet të lejojnë që, nga njëra anë, të rriten si popull, e nga ana tjetër, të tkurren si komb.Kjo do të mund të ishte dhe porosia qendrore e fjalës sime e cila është relativisht e gjatë, por të cilën do ta përmbledhi brenda një kohe të pranueshme.

 

 

Të shumtën e herëve është tema që përzgjedh kohën. Kësaj rradhe koha ka përzgjedh temën.
Edhe pse simpoziumi i vitit të kaluar titullohej “Diplomacia Publike dhe Medias në promovimin e Imazhit dhe Identitetit të Kombit Shqiptar”, fjalën time e kisha shtrirë edhe në temën bosht të këtij simpoziumi, prandaj sikur po më bëhet e pashmangshme që të vazhdoj, të thuash, aty ku kisha mbetur.
Megjithatë, po ua kujtoj fjalinë e parë dhe porosinë kryesore të kumtesës sime të mbajtur në nëntorin e vitit 2008.E kisha filluar: ”Eshtë mirë që, së paku, një herë në vjet, “po na bie ndërmend” që i takojmë një kombi”, ndërsa në porosinë time thuhej: “Ju lutëm, veçanërisht juve këtu, në Shqipëri, të mos na quani kosovarë, si përkatësi kombëtare sepse jemi shqiptarë të Kosovës”, jemi pjesë e pandashme e të njëjtit komb.
Simpoziumi shkencor i vitit të kaluar “rastisi me festat e nëntorit”.Pata theksuar faktin se nuk e kisha “ndjerë festën” as në Tiranë dhe as në Prishtinë, duke e ilustruar fjalën se në Tiranë nga vila që isha vendosur e deri në Sheshin Skënderbej, nuk “takova asnjë Ismail Qemal”(nuk ndesha asnjë flamur shqiptar”), ndërkohë që në Prishtinë dita e flamurit festohej si “ditë memoriale”.  

    

Të flasësh për identitetin


Pikënisje e shqyrtimeve është “të kuptosh identitetin”.
Përcaktimi paraprak i kuptimit të fjalës së caktuar mund të bëhët “përmes shënimit të nocionit më të përgjithshëm e më të përafërt dhe të tipareve të veçanta, të cilat e veçojnë një term të caktuar”.Nuk ka dyshim se “ekonomizimi i kërkimeve”shtron nevojën për “t’u përcaktuar në karakateristikat më esenciale dhe në ato që duken të pashmangshme”.
Identiteti nuk mund të shpjegohet nga një komponent i vetëm, qoftë ai dhe komponent i parë dhe qendror i tij. Identiteti është një kuptim mjaft i përbërë, prandaj dhe vështrohet  nga më shumë anë apo kënde të tij.
Atë që duhet pasur parasysh është se duhet dalluar “përcaktimin e përdorimit të shprehjes së caktuar nga përcaktimi përmbajtësor i tipareve të dukurisë së caktuar”.Kjo mund të provohet me rastin e përcaktimit të përdorimit të shprehjes së caktuar që ndërlidhet me dukurinë shoqërore të caktuar, pra dhe me identitetin, si një dukuri e tillë, po sikurse edhe me përcaktimin përmbajtësor të tipareve të veçanta që mund “t’i vishen” një dukurie shoqërore, pra edhe identitetit.
Kam parasysh edhe një fakt tjetër: rezultatet e çdo shqyrtimi për fenomenin e caktuar janë “domosdo të përkohshme”.Shqyrtime më të reja, me përfundime më të reja për ato fenomene, mund “të ofrojnë gjykime” të tjera më të plota dhe më të sakta. Natyrisht se nga ky parim nuk mund të përjashtohet as identiteti.
Posa të aktualizohet identiteti si temë trajtimi a studimi, si çdo dukuri tjetër shoqërore, atë e shoqërojnë një numër, jo i vogël, temash dhe termash për zbërthim e sqarim.
Studimet për identitetin kanë evoluar dhe kanë ofruar pikëpamje  të reja në lidhje me të. Në këtë mënyrë, është shtuar dukshëm interesi shkencor për një dukuri, sado qoftë teorikisht e trajtuar, por asnjëherë e përfunduar, asnjëherë e kryer dhe e përkryer.
Në të vërtetë, njeriu takohet, të thuash,  çdo ditë me identitetin dhe është “në kontakt të vazhdueshëm me të” dhe në “raport të ndërsjellë”.
Shqiptarët në Kosovë posa kanë filluar “ta përjetojnë identitetin e vet të ri shtetëror” dhe,me lindjen e tij, u shfaqen disa huti të para që nuk duhej të shfaqeshin:”çdo të ndodhë me identitetin kombëtar të tyre”?
Shqiptarët në Kosovë i takojnë dhe do të vazhdojnë t’i takojnë kombit shqiptar, pavarësisht se tash kanë krijuar një identitet të ri shtetëror. Shqiptarët kudo që jetojnë kanë një identitet kombëtar dhe kjo është kryefjala e mendimit për identitetin kombëtar të tyre.Ata kanë një identitet, si në Shqipëri e në Kosovë, si në Ulqin e në Kumanovë, si në Guci e në Malësi, si në Preshevë e Camëri.Kjo është përgjigje e vetme gjithë angazhimeve për “të ripjellur” identitete të reja brenda një identiteti të vetëm kombëtar.


Të kuptosh identitetin


Nuk mund të flasësh për identitetin pa e kuptuar atë.Kuptimi i parë është kuptimi që termit identitet i ka dhënë vetë fjalori.
Identitet do të thotë barazi e ngjashmëri e plotë; njëjtësi; përputhje e plotë ose të qenët i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë vetëm me vetveten në disa veçori e tipare që shërbejnë për t’u njohur pa vështirësi si i tillë, të qenët po ai.
Shqiptarët në Kosovë i përkasin kombit shqiptar, po atij që i përkasin dhe shqiptarët në Shqipëri.
Përfundimi është i qartë dhe i pakontestueshëm: shqiptarët në Kosovë nuk përbëjnë një komb tjetër;  shqiptarët përgjithësisht, kudo që jetojnë të përndarë dhe të shpërndarë, i bashkojnë veçoritë e tiparet në bazë të të cilave njihen si komb, pra si një komb.
Gjaku,gjuha dhe gjeografia përbëjnë boshtet qendrore të identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Shqiptarët janë të një gjaku, ata flasin një gjuhë dhe kanë shtrirje gjeografike në një rrip të pandërprerë tokësor.
Përveç kësaj, shqiptarët, kudo që janë të përndarë dhe të shpërndarë, i bashkon dhe historia e përbashkët, edhe kultura e përbashkët, edhe tradita e përbashkët, edhe trashëgimia e përbashkët, faktorë këta të rëndësishëm për shfaqjen e identitetit kombëtar dhe ruajtjen e tij.Këto veçori dhe tipare të kombit  shqiptar jo vetëm që e mbajnë të zgjuar ndjenjën kombëtare, por e fuqizojënë identitetin e tij dhe nuk lejojnë që, nga njëra anë, të rriten si popull dhe, nga ana tjetër, të tkurren si komb, prandaj ata duhet t’i japin përparësi rritjes dhe kultivimit të këtyre veçorive dhe tipareve dhe nëse e bëjnë këtë nuk duhet të shqetësohen nga globalizimi.Në proceset integruese dhe globalizuese, konsiderojmë si vlerë të posaçme ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kulturor etnik dhe kombëtar dhe adaptimin dhe pasurimin e  vlerave etnike e kombëtare.


Historia si argument


E kemi për detyrë që “t’i kthehemi historisë”, sepse në të e kemi pësuar si popull dhe si komb.Natyrisht se këtë do të duhej ta bënim “me sy përpara”, jo për ta harruar të kaluarën, por për të mos  e “rishijuar” të hidhurën e saj.
Ne shqiptarët patëm një të kaluar të bujshme, por historia asnjëherë nuk na doli zot. Mbahen në mend tri akte të dramës së madhe që u luajtën me ne shqiptarët gjatë historisë. Akti i parë u luajt  në Shën Stefan; i dyti në Berlin, ndërsa i treti në Londër.
Pikërisht në Shën Stefan, kishte filluar “të zbatohej koncepti politik i zgjidhjes së çështjes shqiptare përmes copëtimit” dhe pikërisht aty kishte filluar të zbatohej koncepti i  “spastrimit etnik i shqiptarëve prej trojeve që pushtuan fqinjët ballkanikë”.
Faktet që flasin për zgjerimin e tokave të Malit të Zi dhe Serbisë në dëm të shqiptarëve nuk kanë nevojë për shumë koment, por nuk duhet të kalojnë në harresë.
Druajtja se Evropa “mund të vazhdonte të mbetej e padrejtë ndaj çështjes shqiptare, u konfirmua në Kongresin e Berlinit(1878), në të cilin nuk patëm as përfaqësues dhe as aleatë, prandaj e pësuam si popull dhe si komb.
Edhe pse Konferenca e Ambasadorëve në Londër(1912-13) qe konvokua gjoja “me qëllim që të gjindej zgjidhje e krizës ballkanike dhe e vendosjes së një rendi të ri drejtësie dhe paqe në Ballkan”, ajo i solli padrejtësinë e re shqiptarëve. Në fakt, ajo shënoi “aktin më tragjik të dramës shqiptare dhe ky fakt nuk duhet të kalojë në harresë.Malit të Zi dhe Serbisë iu dhanë tokat shqiptare që ato i kishin pushtuar    
në luftërat ballkanike. Fatin tragjik e pati pësuar edhe Kosova dhe ky fakt, poashtu, nuk duhet të kalojë në harresë.
Nuk duhet lënë pa kujtuar nga historia se Konferenca e Londrës nuk i përfilli aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar, “si në momentin e dhënë ashtu dhe në perspektivë”.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër(1912-13) dhe Konferenca e Versajës(1918-20) i krijuan favore, të thuash, “të gjitha Jugosllavive” të cilat “shfrytëzuan rezultatet e luftërave pushtuese ballkanike( 1912-13) dhe brendapërbrenda kufijve të tyre përfshin Kosovën dhe trevat e tjera të shumicës etnike shqiptare.
Mbretëria e ish-Jugosllavisë, po sikurse dhe ish-Federata shumëkombëshe e Jugosllavisë, mbërthyen gjysmën e kombit shqiptar në Ballkan, edhe pse si popull josllav.Edhe ky fakt nuk duhet të kalojë në harresë.
Ish-Federata shumëkombëshe e Jugosllavisë kishte tri mundësi trajtimi të pozitës së shqiptarëve që, në të vërtetë, ishin tri opsione të shqiptarëve të cilat, jo vetëm që nuk gjetën përkrahje, por u gjykuan dhe ndëshkuan.
E para, “përmes heqjes dorë nga territori kontinuel i shumicës etnike shqiptare në Jugosllavi, që do të çonte në bashkim me Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore”.
E dyta, “përmes konstituimit të Republikës Shqiptare në territorin kontinuel të shumicës etnike shqiptare në kuadër të Federatës së Jugosllavisë”.
E treta, “përmes statusit republikë të Kosovës”.


Cfarë ndodhi ndërkohë?
      

Ndodhi rrënimi i dhunshëm i subjektivitetit politik kushtetues të Kosovës viteve të nëntëdhjeta.
Rrënimi i autonomisë së Kosovës “ndërgjegjësoi faktorin shqiptar dhe rriti vetëdijën ndërkombëtare mbi mëvetësinë e Kosovës” dhe përmasat esenciale të çështjes së Kosovës në Ballkan, sikurse dhe, si shprehej akademik Gazmend Zajmi, “moderueshmërinë e opsionit të pavarësisë së Kosovës, kundrejt opsionit të bashkimit territorial të Shqipërisë, Kosovës, si dhe të trojeve të tjera të shumicës etnike shqiptare në kontinuitet hapësinor të përgjithshëm të shumicës etnike territoriale shqiptare në Ballkan”.
Pavarësia e Kosovës u ofrua si një “opsion realisht i balancuar përbrenda horizontit të kohës në Ballkan”, opsion ky që gjeti mbështetjen te një pjesë e konsiderueshme e bashkësisë ndërkombëtare dhe qendrave vendimmarrëse të saj, kështu që në bashkërendim me ato qendra, u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës, nga Kuvendi i Kosovës dhe përfaqësuesit e popullit të saj, më 17 shkurt 2008.
Mirëpo, me shpalljen e pavarësisë, populli shqiptar i Kosovës nuk hoqi dorë nga identiteti i tij kombëtar, megjithë disa referenca të diskutueshme kushtetuese dhe ligjore.Ajo që duhet të dallojmë janë  identiteti shtetëror dhe identiteti kombëtar. Nuk duhet të lejojmë që për hir të identitetit shtetëror të pësojë identiteti kombëtar. Shqiptarët janë një komb kudo që jetojnë.  


Identiteti kombëtar dhe legjislacioni


Nuk ka dyshim se në “bërjen e shtetit”, Kosova do të përballet me “një numër rregullash” që, mund të ngadalësojnë dhe ta vështirësojnë funksionalitetin e tij. Ato rregulla, në formë parimesh, të përmbledhura në Pakon e Ahtisaarit dhe të zbërthyera si “të drejta dhe detyra” të institucioneve vendore në ligjet e Kuvendit të Kosovës me të cilat do “të mbikëqyret”pavarësia, meqenëse janë vënë, të thuash, mbi Kushtetutën e Kosovës, i kanë marrë asaj primatin e të qenit “akt i parë themeltar juridik” i shtetit.
E ardhmja do të shtrojë kërkesa  për legjislacionin e Kosovës. “Celës” i të gjitha zgjidhjeve do të jetë sigurimi i supremacionit të Kushtetutës së Kosovës ndaj të gjitha rregullave të tjera, përfshirë aty dhe Planin e Ahtisaarit.
Kosova do të ndiejë nevojën  për një legjislacion “të formuluar mirë, në mënyrë të qartë e precize” në lidhje me identitetin kombëtar të shqiptarëve, natyrisht pa cenuar identitetin shtetëror.
Në Kosovë do të duhej të krijohej kuadri kushtetues e ligjor për shprehjen e qartë të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe për respektimin e tij. Këtë e kërkon, në rradhë të parë, historia e kombit shqiptar dhe identiteti i tij që nuk mund të zhbëhet me lindjen e krijesave të reja shtetërore, si është shembulli me shtetin e ri të Kosovës.
Kur jemi te kuadri kushtetues dhe ligjor, tërheq vërejtjen që kushtetutdhënësi e ligjvënësi në Kosovë duhen të jenë të vëmëndshëm që të mos heqin dorë ose t’i fshijnë nga kujtesa vlerat e trashëguara kombëtare.
Kujtoj se nuk do të mund t’i përballojnë  kohës  qëndrimet politike mbi Kosovën si shoqëri shumetnike, përkundër faktit mbi strukturën etnike të saj me dominancë të theksuar shqiptare, po sikurse dhe ndalesa që i bëhët Kosovës për bashkim me një shtet tjetër ose pjesë të një shteti tjetër.


Cfarë nuk kemi mësuar nga e kaluara ?


Nuk kemi nxjerr mësim në mënyrë që sot të ndërgjegjësohemi që, jo vetëm të mendojmë, por edhe të shprehemi dhe të veprojmë, si një popull dhe si një komb politik.
Në fjalët dhe në fjalimet tona ende ka më shumë përsëritje të mendimit, sesa mendim të ri; ka më shumë verbalizëm, sesa meditim; ka më shumë oportunizëm, sesa shqyrtim kritik.
Na duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta.
Ne sikur ende nuk ndjejmë nevojën që të funksionojmë si një tërësi kombëtare.
Krijojmë barriera brendakombëtare, ndërkohë që shqetësohemi kur këtë na bëjnë të tjerët.
Eshtë fatkeqësi e madhe kur barrierat i krijojmë vetë.Do të përmend një shembull. Tashmë është e njohur se shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Mal të Zi, shprehin emocione të veçanta sa herë që bëhet fjalë për Shqipërinë, mirëpo kanë përshtypjen se këto emocione janë më të vakta kur në Shqipëri bëhet fjalë për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi.Biles, jo rrallë na ka rënë të dëgjojmë se kur bëhet fjalë për shqiptarët në Maqedoni ata kualifikohen ose në “shqiptaro-maqedonas” ose vetëm në maqedonas dhe kjo sërish na kthen te nevoja për diferencimin e identitetit shtetëror  nga identiteti kombëtar.
E theksova këtë moment për shkak se, si është bërë e njohur, në Enciklopedinë e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve, është falsifikuar historia e shqiptarëve në Maqedoni dhe prejardhja e tyre, përkundër faktit se ata “nuk krijojnë një oazë  të izoluar nga pjesa tjetër e kombit”, se ata “nuk janë shkëputur prej tij, por janë pjesë përbërëse dhe në vazhdimësi e popullit shqiptar që jeton në Shqipëri dhe në Kosovë”.
E theksova këtë moment edhe për shkak se edhe në historiografinë serbe , përveç tendencave për të dalluar shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, madje këtyre  të dytëve  edhe duke ua vënë ofiçe fyese, kemi ndeshur edhe tendencat që atë pjesë të shqiptarëve dhe historinë e tyre ta shohin të shkëputur dhe të përndarë në  kuadër të shtetit që ka i ka sunduar.          
Në të vërtetë, në botimet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve dhe të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve, si theksova edhe në Konferencën Ndërkombëtare të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve dhe të Akademisë Botërore të Shkencave dhe të Arteve, në kuadër të temës “Shkenca,etika dhe botimet akademike”, të mbajtur prej 21-23 nëntor 2009,  është shkelur një parim shumë i rëndësishëm, parimi i marrjes parasysh  
të “shikimit të palës tjetër”, por dhe të “palëve të tjera”.Dihet se në shkencë ka “shikime të ndryshme”.Rreth shqiptarëve ka pasur dhe mund të ketë shikime të ndryshme, por jo dhe ndaj të vërtetave të verifikuara historikisht dhe të njohura dhe të pranuara shkencërisht.Në shkencë nuk është e pranueshme që njëra palë t’ia imponojë shikimet e veta palës tjetër për vetë atë, duke mos marrë parasysh a përfillur mendimin e verifikuar. Në shkencë përgjithësisht dhe në historiografi, veçanërisht, duhet t’i kushtohet kujdes, në rradhë të parë, argumenteve, fakteve dhe mendimit të qartë shkencor.
Në shkencë, së paku, nuk është e lejueshme, që të nënçmohet historia e një populli, cilidoqoftë ai.
Në po atë konferencë theksova se që të dyja akademitë, serbe dhe maqedonase, me botimet e veta, kanë mbjellur  faren e urrejtjes dhe të armiqësisë ndaj popullit shqiptar. Përderisa serbët i kanë kualifikuar shqiptarët edhe si “paranjerëz të periudhës parahistorike”, që “nga frika prej bishave të egra, kanë fjetur nëpër drunj pyjesh, për degët e të cilëve janë mbajtur me bisht- për të mos rënë në tokë”, maqedonasit i quajnë shqiptarët “njerëz     të malit”, edhe pse ata i shquan historia e lashtë dhe identiteti i formësuar dhe i pranuar shkencërisht.Dhe nëse është ashtu, sepse ndryshe nuk është, përse ndonjëherë i vendosim “barrierat vetvetes”, në vend se të angazhohemi që të bëjmë përgënjështrimin e shqyrtimeve që u referohen shqiptarëve, prejardhjes dhe etnogjenezës dhe, përgjithësisht, historisë së tyre.  


Cfarë nuk duhet të harrojmë?


Nuk duhet të harrojmë se çështja shqiptare ende nuk njihet si çështje kombëtare e një populli të ndarë padrejtësisht.
Nuk duhet të harrojmë se shqiptarët sot kanë shtetin që përfshin më pak se gjysmën e kombit shqiptar në Ballkan, ndërkohë që kemi edhe shtetin e ri të Kosovës të deklaruar si shtet shumetnik.
Nuk duhet të harrojmë  se hapësira etnike shqiptare është një tërësi kombëtare, historike, gjeografike, gjuhësore, kulturore dhe  politike.
Nuk kemi një vështrim kritik për udhën e kaluar, prandaj na mungon edhe projekti për të ardhmen.
Për të ecur “përpara”, duhet “kujtuar gabimet”, duhet ditur dhe duhet mësuar.
Imazhi shqiptar ndërtohet duke “ecur përpara”, e jo duke “qëndruar në vend” ose edhe duke u “kthyer mbrapsht”.
Një katërkëndësh ende nuk po funksionon mirë dhe në të cilin, shprehur figurativisht, koha është deti; shteti është anija; populli është era; qeveria është vela.


Porosi

Ruajtja e tërësisë së çështjes shqiptare, megjithë përcaktimet ekzistuese, do të duhej të paraqiste detyrë mbi detyrat tona kombëtare.Fragmentarizimi i çështjes jo vetëm që do të mund të rrezikonte, por edhe të dëmtonte identitetin e kombit shqiptar.
 
Do të dëshiroja që të ecnim në binarë të njëjtë dhe në drejtim të njëjtë.
Cka nuk do të na falej?
Nuk do të na falej ecja në binarë të ndryshëm dhe në drejtime të ndryshme. Ajo  do të na kërcënonte me rrezikun e mosarritjes në të njëjtin destinacion.

Më në fund, nuk do të dëshiroja që të na përsëritej trauma e çështjes shqiptare që shprehej me „kornizimin e zgjidhjes së çështjes” që përherë e kanë imponuar ndërkombëtarët.
Nuk do të dëshiroja që përherë, të shprehem figurativisht, edhe tekstin, edhe muzikën, edhe aranzhmanin, të na bëjnë të huajt.Po ne kush jemi, atëherë?