(Intervistë dhënë mujorës”Paqja”të Prishtinës, dhjetor 2009)


1. Z. Stavileci, Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë,  përfunduan përballjen për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Si e komentoni paraqitjen e  Kosovës?

 

Gjykuar sipas argumenteve dhe fakteve që prezentoi me gojë, paraqitja ishte e pëlqyeshme. Paraqitja me gojë ishte vetëm njëra anë e dëshmive. Kosova ka bërë dhe deklaratën me shkrim dhe është përgjigjur në komentet e vendeve të tjera që kanë bërë  dëshmitë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.Nuk kam  pasur qasje as në deklaratën me shkrim dhe as në përgjigjet e Kosovës në komentet e vendeve të tjera,  por duke u bazuar në mënyrën e argumentimit me gojë, përshtypja është e mirë dhe  dëshmia e suksesshme, sepse në paraqitjen e ekspertëve ndërkombëtarë që përfaqësuan Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pati një përzgjedhje argumentesh dhe faktesh që provuan se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe, përtej kësaj, se pavarësia e Kosovës nuk paraqet akt të secesionit, por shprehje të vullnetit të lirë të popullit të deklaruar prej përfaqësuesve legjitim të tij në një proces politik të koordinuar me faktorin ndërkombëtar dhe se nuk paraqet precedent për lëvizjet separatiste në botë, për shkak të karakterit të veçantë të çështjes së Kosovës.   

2. Atëherë, z. Stavileci, cili është vlerësimi juaj për ekipin e Kosovës. A mendoni se paraqitja e tij  ishte  në nivelin e duhur?

Vlerësimi im është pjesë e një vlerësimi të përgjithshëm me notë të mirë kaluese që është bërë për ekipin e Kosovës edhe për faktin se ai ka dominuar ekipin serb i cili nuk tha pothuaj se asgjë më shumë nga ajo që prisnim, se në prezentimin e tij pati më shumë retorikë politike, ndërkohë që angazhohej për drejtësi.Ndoshta ekipi i Kosovës ka qenë dashur që ta shfrytëzojë më shumë hapësirën për t’i bërë akoma më të pranishme faktet historike, me padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar me copëtimin e trungut etnik të tij, me pasojë aneksimin serb të Kosovës, me gjenocidin e ushtruar ndaj popullatës së saj, me rrënimin antikushtetues të autonomisë e tjera që, megjithatë u theksuan në deklaratat e vendeve të tjera që dëshmuan në anën e Kosovës që, mund të gjykohet  se, kishte një koordinim të paraqitjeve të ekspertëve që përfaqësonin Kosovën dhe të ekspertëve të vendeve të tjera që paraqiteshin në favor të saj.

3. Z. Stavileci në GJND janë paraqitur shtetet që janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës dhe ato të cilat kanë paraqitur “argumentet” e tyre kundër. Sipas jush, cilat shtete kanë paraqitur argumente më të fuqishme?

Dominimi i Kosovës nuk qe vetëm në numrin e shteteve që dëshmuan për të, por edhe në  argumentimin  më të fuqishme që  paraqitën vendet që u deklaruan pro shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shtetet që mbështeten Serbinë nuk arritën me asnjë fakt të dëshmojnë se shpallja e pavarësisë ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Në mungesë të fakteve me të cilat do të mund të mbronin tezën e tyre se shpallja e pavarësisë së Kosovës bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare, ekspertët që dëshmuan në favor të Serbisë  silleshin rreth Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së(1999) dhe një mbrojtjeje të kontestueshme të një parimi që përbante preambula e saj në lidhje me integritetin territorial të një shteti që atëbotë ishte zhbërë, pa vra mendjen se ishte vetë Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe dy rezolutat e tij, nr.757- 19991 dhe nr. 777-1992, me të cilat ai vetë kishte deklaruar vdekjen ndërkombëtare të Jugosllavisë dhe se ish-Jugosllavia ishte shpërbërë në ish-përbërësit e  saj, ku secili prej tyre kishte të drejtën që vetë të deklarohej për të ardhmen e tij.Këtë të drejtë e kishte edhe Kosova, si njëri nga tetë konstituentët e ish-Jugosllavisë, mbi bazën e të drejtës për vetëvendosje të popullit shumicë të saj, e drejtë kjo që i takonte qoftë si e drejtë kombëtare, qoftë si e drejtë e një territori të individualizuar, pavarësisht se rezultatet e një referendumi të mbajtur në Kosovë për shtet të pavarur dhe sovran atëbotë ndërkombëtarisht nuk u pranuan.

 4. Brenda një ditë në GJND janë përballur dy shtetet më të fuqishme, dhe më me ndikim në botë. SHBA-ja dhe Rusia. Si e komentoni këtë përballje?

Nëse gjykohet sipas argumenteve që përdorën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, SHBA për ta mbrojtur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Rusia për ta kontestuar atë, SHBA me paraqitjen e saj para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte cilësisht më e fuqishme sesa Rusia, e cila madje, nuk përdori dhe gjithë kohën që kishte në dispozicion për ta shprehur mendimin e vet. Edhe në paraqitjen e Rusisë vërehej qartë një shterpësi argumentimi në anën e Serbisë, sepse kishte më shumë përsëritje argumentesh që ishin dëgjuar tashmë, se kishte më shumë verbalizëm sesa meditim dhe se kishte më shumë oportunizëm me politikën serbe sesa shqyrtim kritik të rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe të shkeljes eventuale të tyre nga ana e Kosovës për të “dëshmuar paligjshmërinë” e shpalljes së pavarësisë.

5. Z. Stavileci, a mund të tregoni sesa është i rëndësishëm mendimi  i GJND-së për Republikën e Kosovës?

Për cilin mendim të GJND-së e keni fjalën, për atë që eventualisht do të sanksiononte ligjshmërinë apo për mendimin e kundërt, me të cilin do të shprehej GJND? Nëse keni parasysh mendimin e parë, atëherë sado që ai do të kishte karakterin këshillues, do të mund të ishte shumë i rëndësishëm për Kosovën, sepse shumë shpejt do të mënjanonte embargon njohjeve të Kosovës nga vendet e ndryshme të botës, të vendosur me hapjen e inisiativës serbe dhe miratimin e Rezolutës në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara për ta proceduar atë para GJND.
Nëse keni fjalën  për mendimin e kundërt, duhet të keni parasysh se bëhet fjalë vetëm për një mendim këshillues që nuk detyron shtetet anëtare të OKB-së që ta njohin ose jo pavarësinë e Kosovës. Po të shprehej GJND eventualisht në favor të Serbisë, njohjet nuk do të ndaleshin, por do të ngadalësohej ritmi i tyre dhe rrumbullakimi i shtetbërjes së Kosovës. 

6. Nëse GJND nuk do të shprehë  mendimin  e vet, por  do ta lë të padefinuar çështjen e Kosovës, cilat do të mund të ishin pasojat për  Kosovën?

Natyrisht se pasojat do të ishin më lehtë të përballueshme sesa GJND të deklarohej në favor të Serbisë. Gjithë flasin se kështu edhe do të ndodhë dhe nëse do të ndodhë që GJND “të heshtë”, një numër i madh i shteteve që kanë hezituar ta njohin pavarësinë e Kosovës, do ta bënin këtë me pretekstin se nuk ka një mendim të GJND që shpreh paligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008 dhe kjo do t’u shërbente si një “mbulesë e mjaftueshme” për t’u deklaruar në anën e Kosovës.  

7. Shtruarja  e rastit të pavarësisë së Kosovës në GJND, ka  ndikuar shumë në mosnjohjet e pavarësisë së Kosovës. Sa do të ndikojë  “fjala e Gjykatës” në njohjet e reja?

Duhet pritur “fjalën e Gjykatës”.Kjo pyetje ka lidhje me pyetjen tuaj të pestë.Për cilën “fjalë të Gjykatës” shtrohet pyetja, për atë që do të deklaronte eventualisht ligjshmërinë apo për atë që do të shprehte eventualisht paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Në të dyja rastet bëhët fjalë për mendim këshillues të GJND, dhe jo për një vendim detyrues të saj që do të obligonte vendet anëtare të OKB-së që të njihnin ose të mos e njihnin pavarësinë e Kosovës.Mendoj se njohje të reja do të ketë, pavarësisht nga mendimi i GJND. Natyrisht se nëse “fjala e Gjykatës”, si po e quani ju, do të “legjitimonte shpalljen e pavarësisë”, do të kishte një ndikim në rritjen e numrit të njohjeve dhe do të kishte njohje më të përshpejtuara sesa në gjysëmvitin e dytë të 2009-it.   

8. Z. Stavileci,  në cilat shtete do të mund të ketë ndikim më të madh mendimi i GJND-ja për ta njohur Republikën e Kosovës?

Së pari, do të ketë ndikim te ato shtete që, të thuash, janë vetëm në pritje të një mendimi të GJND. Së dyti, do të ketë ndikim të ato shtete që kanë hezituar ta njohin pavarësinë e Kosovës. Së treti, do të ketë ndikim edhe te ato shtete në të cilat Serbia ka bërë trysni të madhe që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës deri te një mendim i GJND.

9. Një problem tjetër është edhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtete të Bashkimit Evropian. A duhet që, pas vendimit të GJND-së, Republika e Kosovës të shtojë presionin  te këto shtete për ta bërë një gjë të tillë?

Natyrisht se po. Unë mendoj se këtë presion nuk do ta bëjë vetëm Kosova, por edhe ato vende që që nga fillimi e kanë mbështetur fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe se rezultatet nuk do të mungojnë, edhe pse nuk mendoj se njohja nga ato vende do të mund të ndodhte menjëherë.Mos harroni se Serbia, megjithë mendimin e GJND, do të vazhdojë me trysnitë e veta, pikërisht tek ato shtete, sepse ato do t’i ngelnin “atutë e fundit”.Në një fjalë të urtë thuhet : “Mbaju edhe për fije të kashtës nëse ajo të mban”.

10. Z. Stavileci, në GJND është paraqitur Serbia me disa shtete të tjera kundër pavarësisë. Si i komentoni paraqitjet  e tyre  dhe faktet e tyre?

Pjesërisht u përgjigja në këtë pyetje. Me lejoni që ta plotësoj fjalën time. Si Serbia, po sikur edhe shtetet që “mbrojten” pikëpamjet për “paligjshmërinë” e shpalljes së pavarësisë së Kosovës silleshin rreth disa  argumenteve lehtësisht të rrëzueshme.
E para, se shpallja e pavarësisë  është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, pa dhënë asnjë shembull se me cilën normë konkretisht Kosova nuk paskësh pasur këtë të drejtë.
E dyta, se shpallja e pavarësisë është në kundërshtim me Rezolutën 1244, e cila paskësh deklaruar ruajtjen e integritetit territorial të Jugosllavisë, ndërkohë që Jugosllavia ishte shpërbërë dhe se Serbia nuk mund të ishte trashëgimtare legjitime e saj.
E treta, se shpalljen e pavarësisë e paskan deklaruar institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë, pa vra mendjen se atë e kanë bërë përfaqësuesit legjitim të popullit, madje se edhe nëse do të kualifikoheshin si institucione të përkohshme të vetëqeverisjes, nuk e kishin  shkelur ligjin ndërkombëtar, duke u deklaruar në fund të një procesi politik që sugjeronte edhe vetë Rezoluta 1244.
E katërta, se Kosova paskësh deklaruar pavarësinë pa marrë “pëlqimin e Serbisë”, edhe pse ky kusht nuk ishte përmendur në asnjë dokument, madje pa vra mendjen se po të kërkohej pëlqimi i Serbisë, sot nuk do të ishin të pavarura as Kroacia dhe as Sllovenia, as Mal i Zi dhe as Maqedonia, e lëre më Kosova.
E pesta, se Kosova paskësh qenë  “pjesë e pandashme” e shtetit serb dhe se shqiptarët paskan qenë  pakicë kombëtare pa të drejtën për vetëvendosje, pa gjykuar drejtë se Kosova ishte, në të vërtetë, njësi federale e ish- Jugosllavisë, me pjesëmarrje të drejtpërdrejt, bashkë me republikat, në marrëdhëniet në Federatë, se shqiptarët nuk ishin pakicë kombëtare, as në raport me Shqipërinë dhe as me Serbinë, por ishin popull, me territor dhe qeverisje, madje popull me numër më të madh sesa disa popuj sllavë që realizuan shtetësinë e vet dhe si i tillë, populli shumicë i Kosovës  gëzonte  të drejtën për vetëvendosje që iu kontestua gjatë historisë, në emër të një “të drejte të deklaruar serbe” të sovranitetit mbi Kosovën të cilën, në të vërtetë, Serbia e mbajti për gati një shekull, në mënyrë   ilegjitime, duke e pushtuar Kosovën, nga 1912-ta, 1918-ta, 1945-ta dhe l989-ta.  

11. A mendoni se shteti serb do ndërrojë qasje politike ndaj Kosovës pas “fjalës përfundimtare” të GJND-së?

Eshtë vështirë të mendosh se shteti serb do të ndryshojë qasjen politike ndaj Kosovës, qoftë edhe pas një “fjale përfundimtare” nëse edhe  eventualisht do të ishte në favor të Kosovës, e lëre më nëse nuk do të kishte fare një mendim të GJND.
Edhe pse i quajtur “demokrat”, regjimi serb dhe Beogradi zyrtar nuk kanë dëshmuar me asnjë veprim, por kanë paralajmëruar të kundërtën: se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, duke e konsideruar atë edhe më tutje si “djep të shtetit serb”.Ajo që do të mund të pritej do të mund ishte ndryshimi i qasjes së politikës ndërkombëtare karshi Serbisë në lidhje me Kosovën, edhe pse nuk duhet qenë shumë optimist se kjo do të mund të ndodhte  menjëherë.    
 
12. Z. Stavileci, si mendoni se do të jetë vlerësimi përfundimtar i GJND-së?

Janë të mundshme katër vlerësime  dhe unë njërin prej tyre e përjashtoj menjëherë.
Nuk mund të ndodh që GJND të deklarojë “paligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.
Mund të ndodh që GJND në një përshkrim të gjatë të ndalet te procesi politik që ka çuar deri te shpallja e pavarësisë, duke “u pozicionuar” në nuanca për procesin ose vetëm duke e përshkruar thjesht atë.
Përfundimisht, mund të ndodh që GJND “të deklarojë” inkompetencën e vet në lidhje me përgjigjen në pyetjen e shtruar, duke e heshtur përgjigjen.
Duke anuar më shumë nga “pozicioni neutral” i GJND karshi pyetjes dhe karshi vetë çështjes së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kam parasysh faktin se GJND për herë të parë në historinë e saj është ballafaquar me pyetje të një natyre të tillë që, sadoqoftë e  formuluar për të marrë një mendim juridik, është e kryqëzuar me politikën dhe është produkt i saj dhe se asaj “mund t’i pëlqejë” më shumë qoftë një përshkrim i procesit , qoftë dhe një heshtje e deklarimit.