Me rastin e trevjetorit të protestës së Lëvizjes Vetëvendosje risjellim shkrimin e botuar me datë:

 

(26 Mars 2007)

Njëmbëdhjetë pjesëtarët e Njësitit Special rumun “nuk e pritën ardhjen e pranverës në Kosovë”.Ata,pikërisht me 21 mars, “ikën me dimrin”,pa përfunduar hetimet rreth vrasjes së dy protestuesve dhe plagosjes së mbi tetëdhjetë pjesëmarrësve  në demonstratën e “Vetëvendosjes” të 10 shkurtit,të mbajtur në Prishtinë.Reagimi i UNMIK-ut  qe “shumë i ashpër”:UNMIK-u “shprehi keqardhje”,ndërsa Qeveria e Kosovës “shprehu zhgënjimin e thellë me largimin e kontigjentit të policisë së Rumanisë”.

 

 

Ndërkohë,zëvendësi i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm deklaroi se “UNMIK-u nuk ka autoritet ta mbajë kontigjentin rumun në Kosovë”.Sidoqoftë,në Kosovë ndodhi ikja nga vendi i krimit.E drejta penale mëson se “kush  ikën nga vendi i krimit,bën krim të ri”.Eshtë vërtetuar se  njëmbëdhjetë policë nga kontigjenti rumun “kanë shtënë me plumba gome”gjatë demonstratës së 10 shkurtit,ndërkohë që hetimet rreth atyre ngjarjeve “janë planifikuar të përfundojnë në mesin e muajit prill”. Pikërisht është e drejta penale që “përcakton nëse një sjellje e caktuar përbën ose jo vepër penale”.Pikërisht është e drejta penale ajo disiplinë juridike që i referohet veprimeve të ndaluara “për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e personit,pronën,liritë dhe të drejtat themelore të individit”,po sikurse “rendin dhe sigurinë publike”etj. Prandaj,problemin duhet kundruar edhe me gjerë se që ai paraqitet,në dukje të parë,sepse në rastin e njëmbëdhjetëshit të policëve rumunë ndodhi ikja nga vendi i krimit.E kur të ikësh nga vendi i krimit,bën krim të ri,kështuqë përgjegjësia penale dyfishohet,natyrisht nëse vërtetohet fajësia.Përgjegjësia penale “lind nga çasti i kryerjes së vepres penale dhe përfundon kur personi fajtor ka vuajtur dënimin”.Me ikjen e policëve rumunë nga vendi i krimit,pretendohet pikërisht ikja nga përgjegjësia eventuale penale.Problemi me policët rumunë duhet të kundrohet edhe nga një kënd tjetër dhe ai,së paku për mua,paraqet një shqetësim të veçantë.Nga Kosova “ikën paqëruajtësit” dhe lanë në Kosovë ”gjurmat e krimit”.Shumë “gjurma të krimit”nuk u zbuluan në Kosovën e pasluftës.Se si “do të zbulohen”këto të fundit është vështirë të parashikohet,por është “shumë lehtë të merret me mend”se do të pohohet se “hetimet vazhdojnë”.

Drejtësinë përherë e ka kërcënuar rreziku nga hetimet që “kanë vazhduar” për “të mos përfunduar”.Cili do të jetë fati i këtyre hetimeve? Ikja e njëmbëdhjetë pjesëtarëve të Njësitit Special rumun sikur “e qartëson”se çfarë,në të vërtetë,mund të ndodhë dhe do të ndodhë.Padrejtësia më e madhe  ndodhë kur drejtësia shtrembërohet.A do të shtrembërohet edhe kësaj rradhe,mbetet të shihet,edhe pse “katundi që shihet,kallauz nuk do”.Shembulli me policët rumunë tërheq vërejtjen për problemet që mund të shkaktohen me praninë ndërkombëtare dhe mundësinë e kepërdorimit të saj,veçanërisht në fushën e “sundimit të ligjit”.Pakoja e Ahtisaarit parasheh një prani relativisht të fuqishme ndërkombëtare sidomos në këtë fushë.Në Kosovë do të jetë shumë vështirë të bindësh për domosdonë e asaj pranie,nëse në të do të gjinden edhe ata “paqëruajtës” të cilët  “në emër të mbrojtjes së ligjit” do ta shkelin atë në mënyrën më flagrante.Në Kosovë do të jetë shumë vështirë të rritet besimi në praninë ndërkombëtare nëse “nikoqirrllëku”i qytetarëve të saj do të shpërblet me “shërbimet çfarë i bënë policët rumunë”.Më në fund,në Kosovë do të jetë shumë vështirë të besohet në të ardhmen kur ajo shembet qysh në të tashmen.