(Kumtesë e përgatitur për  tryezën me temën “Sfidat e shtetndërtimit të Kosovës dy vite pas pavarësimit”, organizuar nga Akademia Diplomatike Shqiptare dhe gazeta e përditshme “Tribuna Shqiptare”në Prishtinë më 11 shkurt 2010).

(1)Eshtë mirë që, krahas manifestimeve festive ku, si rregull, flitet me fjalë të përzgjedhura, mbahen edhe tribuna ku bëhet një vështrim i rrugës së kaluar dhe rekomandohen zgjidhje për të përballuar sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet Kosova në dyvjetorin e pavarësimit të saj.

 

 

Proceset e thella dhe gjithnjë më të shumanshme të integrimeve në botë tregojnë për ndikimin e shumë faktorëve në format e shteteve të tashme dhe në politikën që udhëheqin ato.Këto procese sikur shtrojnë para shteteve të tashme nevojën që, edhe strukturën, edhe aktivitetet e   tyre, t’ua përshtatin marrëdhënieve të ndryshuara dhe në ndryshim e sipër. Disa nga pikëpamjet tradicionale mbi shtetin po dëshmohen tashmë gjithnjë e më shumë të deaktualizuara.Ky ndryshim pikëpamjesh mbi shtetin reflekton edhe në shtruarjen e temës së shtetbërjes në Kosovë, në dyvjetorin e pavarësisë së saj.Duhet të kemi parasysh se Kosova po kalon në,më së paku, tri transicione dhe për pasojë, ajo ballafaqohet me vështirësi dhe pengesa në procesin e shtetbërjes.Ajo vazhdon te jetë e kufizuar në disa dimensione të funksionimit si shtet.
(2)Po të thuhej fjalia e fundit- e para, dy vjet pas pavarësimit, kemi shtetin që nuk e kishim, por ende nuk e kemi atë që prisnim ta kishim.
Shtetasit e Kosovës, posa kanë filluar “ta përjetojnë shtetin e vet”, që po i mbush dy vjet.
Të kuptuarit e shtetit, pa dyshim, kërkon dije teorike, por njëkohësisht janë të nevojshme përvojat dhe mësimet praktike.Sigurisht se nuk do të vlente as formulimi i teorive, të shumtën edhe abstrakte, pa aftësinë e të kuptuarit të tyre në botën reale, atë që na rrethon dhe në të cilën jetojmë dhe që është aq shumë e ndërlikuar. Prandaj, pikërisht për nevoja praktike, janë të nevojshme disa refleksione  politike dhe juridike në lidhje me bërjen e shtetit të Kosovës. Ato mund të ndihmojnë për të kuptuar sfidat me të cilat ballafaqohet krijesa më e re shtetërore në botë.Për këtë ,padyshim,  se nevojitet edhe një kulturë e shtetndërtimit që përgjithësisht na mungon..
Prandaj, sfidën themeltare e përbëjnë njohuritë për shtetin. Ato shtrihen në përkufizimin e nocionit dhe kuptimin e përgjithshëm të tij, si “formë themelore dhe më e rëndësishme e organizimit politik të shoqërisë”;  si një ndër dimensionet e sistemit politik që përfshin “pushtetin më të lartë mbi popullsinë, e cila jeton në një territor të caktuar”; me shfaqjen e tij në një “shkallë të caktuar të zhvillimit të shoqërisë”; me forma dhe tipa të ndryshëm në kohë dhe në hapësirë të ndryshme dhe në raport me shumë dukuri të tjera shoqërore.

(3)Ndër elementet më të pakapërcyeshme kur bëhët fjalë për shtetin është sovraniteti i tij. Në të vërtetë, sovraniteti përbën një ndër cilësitë më kryesore të shtetit në të cilin shprehet se pushteti i shtetit është, në fakt, pushteti më i lartë, që nuk varet nga pushtetet e tjera.Pushtetet e tjera i nënshtrohen pushtetit të shtetit, prandaj ai pushtet respektohet dhe zbatohet prej tyre.
Në lidhje me sovranitetin, ndeshen pikëpamje të ndryshme teorike.Megjithatë, ekzistojnë tri elemente më të qenësishme të tij.
Së pari, sovraniteti ndërlidhet me “pavarësinë e pushtetit shtetëror”që, në kuptimin më të përgjithshëm, do të thotë se bëhet fjalë për një “pushtet të lirë në vendimmarje”ose në ushtrimin e tij, “pa ndërmjetësimin ose përzierjen e një pushteti tjetër”.Edhe shqyrtimet sado të sipërfaqshme qofshin, lehtësisht mund t’i përgjigjen pyetjes se sa është në të vërtetë, shkalla e “pavarësisë së pushtetit shtetëror” në Kosovë, se sa ai pushtet është “i lirë” në vendimmarje  dhe në ushtrimin e tij “pa ndërmjetësimin ose përzierjen e një pushteti tjetër”, duke pasur parasysh praninë e theksuar ndërkombëtare në Kosovë.   
Së dyti, sovraniteti nënkupton  “supremacionin e pushtetit shtetëror ndaj pushteteve të tjera”, që do të thotë se ai pushtet “është më i larti në raport me pushtetet e tjera”, natyrisht brendapërbrenda territorit të shtetit dhe se “të gjitha pushtetet e tjera janë të detyrueshme që ta respektojnë dhe t’i përmbahen atij”.Të qenët e pushtetit shtetëror të Kosovës si “pushtet më i lartë në raport me pushtetet e tjera” brendapërbrenda “territorit të shtetit” sfidohet  me pamundësinë e shtrirjes së tij në gjithë territorin e Kosovës që, natyrisht, vënë në pyetje respektimin dhe përmbajtjen e atij pushteti.
Së treti, sovraniteti ka të bëjë me “pakufizueshmërinë e pushtetit shtetëror”që nënkupton lirinë e tij në vendimmarrje.Sovraniteti në Kosovë sfidohet me pamundësinë për t’u shprehur nëpërmjet “pushtetit shtetëror të pakufizueshëm”.
Nuk ka dyshim se të gjitha tri elementet e qenësishme të sovranitetit sot duhet të shihen dhe të vështrohen në kuadër të evoluimit të kuptimit dhe të përmbajtjes së tij në kushtet dhe në rrethanat e reja të shtetbërjes në të cilat Kosova nuk bën përjashtim nga të tjerët.Përkundrazi, si shtet në bërje e sipër, është më i kufizuar se të tjerët.
Shtetet gjithnjë e më shumë po ndeshen sot me presione sociale. Edhe në këtë fushë Kosova nuk bën ndonjë përjashtim.Ato presione, siç ndodh shpesh në praktikë, “shndërrohen në forma serioze të konflikteve sociale”, me të cilat po ballafaqoeht edhe Kosova.Gjendja në të cilën ndodhet sot një numër relativisht i madh shtetesh, shtron para tyre përgjegjësinë për ta shndërruar në më të mirë atë”.Përmirësimi i gjendjes “mund të bëhet vetëm nëse ato shtete këtë detyrë e shndërrojnë  në detyrim të vetin kushtetues”.Më në fund, ajo do të duhej të përbënte një obligim për secilin shtet serioz dhe të civilizuar, aq më parë për shtetin e ri të Kosovës.

(4)Një ndër sfidat me të cilat vazhdon të ballafaqohet shteti i ri i Kosovës është njohja ndërkombëtare e tij.
Njohja ndërkombëtare e shtetit të ri është kryesisht akt i oportunitetit politik.C”është e vërteta, ekzistojnë normat e së drejtës ndërkombëtare, të cilat “postulojnë fakte të caktuara për njohjen e shtetit të ri”.
Ndër ato fakte, para së gjithash, theksohen:
a)efikasiteti i pushtetit të ri;
b)pavarësia;
c)qendërsimi i rendit juridik.
S’ka dyshim se Kosova përballet edhe me probleme që vështirësojnë dhe ngadalësojnë njohjen e mëtëjshme ndërkombëtare të saj.
Kosova ndien nevojën  për më shumë njohje për të përforcuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar.
Akti juridik i njohjes së shtetit njihet, përgjithësisht, ai akt i lirë, meqë, sipas tij, një shtet ose më shumë shtete”pranojnë ekzistencën e një territori të kufizuar të një shoqërie të organizuar politikisht, të pavarur nga shtetet e tjera ekzistuese dhe njëkohësisht të aftë për të respektuar detyrimet në fushën e të drejtës ndërkombëtare”.Ky akt është i rëndësishëm, sepse nëpërmjet tij, ato shtete, në parim, ”shprehin gatishmërinë e tyre për ta konsideruar shtetin e ri anëtar të bashkësisë ndërkombëtare”.Ky argument është shfrytëzuar veçanërisht në rastin e njohjes së republikave të ish-Jugosllavisë dhe të ish-Bashkimit Sovjektik.
Eshtë për t’u theksuar se, në kuadrin e njohjes ndërkombëtare të shtetit, një aspekt       shumë të rëndësishëm paraqet përfshirja e shteteve ”në gjirinë e organizatave
ndërkombëtare universale”.

(5)Kosova edhe për një kohë  do të kërkojë krijimin e kushteve për t’u bërë një shtet funksional.
Nuk ka shtet funksional, në kuptimin e tij të plotë:

(A)Pa marrjen e përgjegjësive të plota për të qeverisur me të.”Rezervimi” i mëtejshëm i pushtetit në duar të bashkësisë ndërkombëtare dhe ushtrimi i një pjese të rëndësishme të tij nga një mision i ri civil ndërkombëtar që zëvëndëson një tjetër të mëparshëm, do ta vështirësojë dhe ngadalësojë funksionalizimin e shtetit të Kosovës.

(B)Pa sigurimin dhe garantimin e tërësisë territoriale. Për të qenë një shtet funksional, Kosova duhet të shtrijë kontrollin e institucioneve të saj në gjithë territorin e vendit.

(C)Pa supremacionin e kushtetutës ndaj rregullave të tjera.Kosova, edhe dy vjet prej pavarësisë së saj, ende përballet me “një numër rregullash”që, gjithashtu, vështirësojnë dhe ngadalësojnë funksionalitetin e shtetit. Ato rregulla, në formë parimesh të përmbledhura në Planin e Ahtisaarit, të zbërthyera si “të drejta dhe detyra”të institucioneve vendore në ligjet e Kuvendit të Kosovës, me të cilat “mbikëqyret”pavarësia, ia kanë marrë Kushtetutës së Kosovës primatin e të qenit
“akt themeltar juridik i shtetit”.
Përgjithësisht, në Kosovë nuk do të mund të qëndronte një shtet, i cili do “të prodhonte”kontradikta politike e shoqërore, por vetëm një shtet ligjor, thellësisht demokratik, në të gjitha përmasat e tij.Ai shtetet do të duhej të mbështetej në “bërthamën e demokracisë”, e cila “balancën e koparticipimit të pakicës demografike”në pushtetin politik, do të mund “ta vendoste me respektimin e realitetit  demografik të gjithë territorit”.     
Funksionaliteti i shtetit të Kosovës do të duhej të nënkuptonte “veshjen e Kosovës”me subjektivitet të plotë politik, juridik-kushtetues dhe ndërkombëtar, me procese të hapura të anëtarësimit të saj në OKB, në Bashkimin Evropian dhe në NATO, që përbëjnë synimet e çdo shteti të ri.

(6)Shumësia dhe paqartësia e autoriteteve përbëjnë një prej sfidave tjera të mëdha të Kosovës, me pamundësinë e shtrirjes efektive të pushtetit në gjithë territorin e Kosovës dhe zbatimin unik të ligjit në të që cungojnë sovranitetin e Kosovës.Paqartësia e autoriteteve dhe qëndrimi i tyre neutral karshi pavarësisë së Kosovës mund  të prodhojë dy realitete paralele të pranisë ndërkombëtare, me pasojë mungesën e koordinimit të tyre dhe dobësimin e funksionimit shtetëror të Kosovës.

(7)Nuk jam me vokacion ekonomist, por më shqetësojnë problemet e zhvillimit ekonomik.Cështje më vete përbëjnë problemet që shoqërojnë tranzicionin ekonomik, veçanërisht niveli shumë i ulët i zhvillimit ekonomik, struktura e pavolitshme ekonomike dhe sektori i dobët publik.

(8)Objektivat e Kosovës në aspektin juridik do të duhej të përqëndroheshin në tri drejtime kryesore:

(A1)Në ndërtimin e institucioneve dhe ngritjen e efikasitetit të sistemit.

(B)Në krijimin e shtetit demokratik dhe

(C)Në krijimin e shtetit të së drejtës me :
-mosushtrimin e pushtetit në mënyrë arbitrare e abuzive;
-respektimin e ligjeve(edhe nga vetë organet e pushtetit);
-zbatimin e normave juridike;
-burimësinë e fuqisë dhe të autoritetit të shtetit nga ligji;
-përfshirjen e vlerave demokratike në mekanizmat juridikë;
-funksionimin e mekanizmave dhe të kontrollit në zbatimin e normave juridike;
-pavarësinë e pushtetit gjyqësor;
-qeverisjen demokratike.

(9)Po i përmbledh tri kërkesa që do të duhej të përmbushte Kosova në ecje e sipër drejt realizimit të objektivave në aspektin juridik.

Së pari, në Kosovë ndihet nevoja për shtetin e së drejtës që jetën në të, ta organizojë “mbi bazën e ligjeve dhe që nuk do të ketë vend për anarki...“E gjithë kjo kërkon që „vetë organet e pushtetit t’iu nënshtrohen ligjeve që do t’i nxjerrë organi më i lartë ligjvënës“, në mënyrë që të mos të ndodhë që, në vend të shtetit të së drejtës, të kërcënojë rreziku i ndërtimit të shtetit të së padrejtës.

Së dyti, në Kosovë ndihet nevoja për një legjislacion „të formuluar mirë, në mënyrë të qartë e precize, në mënyrë që normat të jenë të zbatueshme dhe jo abstrakte“.Natyrisht se kjo kërkon që “ligjet të mos jenë në kundërshtim me kushtetutën“.

Së treti, në Kosovë ndihet nevoja për një qeverisje ku veprimtaria e organeve të shtetit „bëhet  mbi bazën e ligjit“ dhe nëse paraqitën kontradikta, ligji „të zbatohet me anën e vendimeve gjyqësore“ në gjithë territorin e Kosovës.

(10)Nuk ka dyshim se mbetet shumë për t’u bërë, si prej institucioneve të Kosovës, ashtu dhe prej atyre ndërkombëtare që duhet të ndihmojnë që një proces i nisur të përmbyllet me pavarësi dhe sovranitet të njëmend.