Edhe pse ligjvënësit  e Kosovës në debatin e zhvilluar në Kuvend me datë 4 mars 2010, pranuan edhe vetë se “në pjesë të caktuara të vendit vazhdojnë të funksionojnë struktura jolegale që e sfidojnë rendin kushtetues të vendit”, nuk nxorën një rezolutë që do të obligonte Qeverinë e Kosovës për të marrë masa për parandalimin e “ushtrimit të veprimtarisë rrënuese të Republikës së Serbisë” të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe për të hartuar një “plan aksional” në bashkërendim me faktorët e tjerë për zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë në veri të vendit, por një deklaratë me të cilën shprehet përkushtimi “për të siguruar të gjithë shtetasit e Kosovës se do të gëzojnë mbrojtjen e shtetit ligjor”.

 

Në të vërtetë, Kuvendi i Kosovës,  nëpërmjet të deklaratës së miratuar, konfirmon domosdoshmërinë e  “respektimit dhe zbatimit të plotë të Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës” .Deklarata e Kuvendit, njëkohësisht, “garanton ruajtjen e tërësisë territoriale dhe pacenueshmërinë e kufijve të pranuar ndërkombëtarisht”.
Ndërmjet deklaratës dhe rezolutës ka një dallim, në formë dhe në përmbajtje.Të kujtojmë vetëm kuptimin e tyre.
Deklarata është një dokument që përmban një “pohim a njoftim me përgjegjësi”që bën një organ(në këtë rast Kuvendi i Kosovës); qëndrim zyrtar që mban një organ për një çështje të caktuar(në këtë rast për “respektimin dhe zbatimin e plotë të Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës”).
Ndryshe nga deklarata, rezoluta është një vendim me shkrim qe merret në fund të një konference të një organi(nëse do të nxirrte një rezolutë, Kuvendi i Kosovës do të merrte vendim me të cilin do të obligohej Qeveria e Kosovës për të marrë masa për parandalimin e “ushtrimit të veprimtarisë rrënuese të Republikës së Serbisë”të cilat bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe për të hartuar një “plan aksional” në bashkërendim me faktorët e tjerë për zhbërjen e strukturave paralele të sigurisë në veri të vendit).
Me miratimin e deklaratës, Kuvendi i Kosovës “vërtetoi në vepër” (pa)fuqishmërinë e vet për të marrë vendim pa harmonizimin e qëndrimit të tij me ndërkombëtarët. Në këtë mënyrë, edhe një herë u konfirmua se cila është, në të vërtetë, shkalla e pavarësisë së institucioneve të Kosovës.
Ndërkohë, mësohet se udhëheqja e Komunës së Leposaviqit, e dalë nga zgjedhjet e Serbisë, ka miratuar një plan të masave, si dhe konkluzione kundër strategjisë për veriun, që është proklamuar nga Qeveria e Kosovës dhe ICO.Plani është quajtur”antiserb dhe antidemokratik” dhe “imponim i institucioneve jolegale dhe jolegjitime të të ashtuquajturës Republikë e Kosovës”.
Edhe Kuvendi i Komunave dhe Venbanimeve Serbe kohë më parë kishte “hedhur poshtë strategjinë për veriun”, në të cilën, ndër të tjera, parashihet “organizimi i zgjedhjeve lokale në tri komunat veriore të Kosovës”.
Ndërkohë që ende nuk dihet data për mbajtjen e zgjedhjeve të Kosovës në veri, është paralajmëruar që Serbia do të mbajë zgjedhje me 30 maj 2010.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë një qëndrim se do t’i lejojë ose jo zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.Sipas të gjitha gjasave, qëndrimi i Qeverisë së Kosovës do të varet nga harmonizimi i tij  me faktorin ndërkombëtar.
Cili do të jetë pozicionimi i Bashkimit Evropian ? Kjo është pyetja në të cilën nuk është shumë vështirë të përgjigjesh.
E para, për shkak të mungesës së unitetit të Brukselit zyrtar rreth Kosovës dhe pavarësisë së saj.
E dyta, si rrjedhojë e së parës, për shkak se Bashkimi Evropian nuk ka qëndrim lidhur me strategjinë.
Cfarë mund t’i rekomandohej institucioneve të Kosovës?
Së pari, që të ngulin këmbë dhe të kërkojnë prej ICO dhe Bashkimit Evropian që të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Së dyti, nëse ICO dhe Bashkimi Evropian nuk e bëjnë këtë, Prishtina zyrtare do të duhej të ndërmirrte  masat për ndalimin e mbajtjes së zgjedhjeve.
“Dëgjueshmëria” e institucioneve të Kosovës karshi ndërkombëtarëve do të duhej të kishte kufij, veçanërisht nëse me te, në të vërtetë, nuk vendosen e nuk njihen kufij, por ndodh e kundërta, rrënimi i tyre.