(Theksime nga fjala e mbajtur në tryezën e Shoqatës së  Intelektualëve “Jakova”në Gjakovë, me rastin e Ditës së Europës, 8 Maj 2010)

Dita e Europës të cilën po e shënojmë sot më këtë tryezë, është rast i mirë që ta kujtojmë historinë dhe të kaluarën tonë, jo për t’u marrë me të, sa për ta vënë në shërbim të së tashmes dhe të së ardhmes, duke pasur parasysh faktin se Evropa asnjëherë në të kaluarën nuk u kishte dalë zot Kosovës dhe shqiptarëve, por si dëshmojnë Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve, ose u kishte cunguar rëndë territorin etnik, ose ishte përpjekur për t’i shlyer nga harta e saj.


Edhe gjatë qenies në ish-Jugosllavi, ndonëse në një periudhë me një status më të avancuar kushtetues-juridik, shqiptarët u diskriminuan në raport me popujt e tjerë. Kërkesat e tyre për republikë u shtypën, ndërsa demonstruesit u ndoqën, u burgosen dhe u vranë.
Vetëm me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe me ndryshimin e hartës politike dhe gjeografike të saj, u hapen shtigje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, edhe pse bashkësia ndërkombëtare shumë gjatë hezitoi me vendimet e veta dhe, për pasojë, i krijoi mundësi Serbisë që të ushtrojë  një gjenocid të paparë ndaj shqiptarëve etnikë që kulmoi me luftën në Kosovë, në vitet 1998 dhe 1999.
Kosova dhe shqiptarët e ndien përkrahjen e Europës dhe të botës më ndërhyrjen
ushtarake dhe më vonë me praninë civile dhe sot Kosova është një shtet më pavarësi dhe sovranitet “të mbikëqyrur”, me shpresë se më afër apo më larg, do të bëhet pjesë e Evropës së bashkuar, ditën e së cilës po e shënojmë sot.
Kosova si shtet  deri më sot është njohur nga 77 vende të botës dhe 22 nga 27 shtete anëtare të Bashkimit Europian.
Europa do të duhej që deri në fund t’i ndihmonte proceset zhvillimore në Kosovë, në mënyrë që ajo të bëhej një shtet me pavarësi dhe sovranitet, sikurse edhe vendet e tjera.
Kosova gjindet para tri objektivave  të mëdha: zhvillimit të ekonomisë, sundimit të ligjit dhe integrimit  euro-atlantik.
Në realizimin e këtyre objektivave, Kosova edhe për një kohë do të ballafaqohet me shumë sfida, sepse është ende e kufizuar në vendimmarrje.Në garë për pushtet dhe ligj ende janë në garë institucionet ndërkombëtare, po sikurse edhe Serbia që ende po mban nën kontroll veriun e Kosovës. Për pasojë, ka paqartësi autorizimesh të autoriteteve dhe mosshtrirje të pushtetit legjitim të Kosovës në gjithë territorin e saj.
Institucionet e Kosovës duhet të marrin përgjegjësitë e plota për të qeverisur vendin. Kosovës duhet t’i sigurohet dhe garantohet tërësia territoriale.Kosova ndien nevojën për të qenë një shtet funksional.Për të qenë një shtet funksional, duhet që të ketë mundësinë që të shtrijë pushtetin, ligjin dhe kontrollin gjithandej në territorin e saj.
Kosova është ballafaquar me realitetin e mosfunksionalitetit të shtetit që në lindjen e tij.
Mostërheqja e plotë e UNMIK-ut dhe mosshtrirja efektive e Eulex-it dhe qëndrimi neutral i tij ndaj pavarësisë së Kosovës  kanë prodhuar dy realitete paralele administrimi me Kosovën: një realitet që buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe një realitet tjetër që buron nga strukturat paralele serbe.Edhe pse në shtetin e pavarur dhe sovran, institucionet e Kosovës janë ende të varura dhe të pasovranizuara në kuptimin e një shteti. Teoria e shtetit mëson  se një vend  ose është ose nuk është shtet, ose ka ose nuk ka pavarësi, ose ka ose nuk ka sovranitet.  
Kushtetuta e Kosovës sfidohet me Planin e Ahtisaarit në përmbajtjen e saj që ia ka marrë primatin e të qenit “akt më i lartë juridik i shtetit”. Kosovës duhet t’i mundësohet supremacioni i kushtetutës së saj ndaj të gjitha rregullave të tjera.
Për t’u bërë “pjesë e Europës”, Kosova ndien nevojën për një shtet të së drejtës, thellësisht demokratik, në të gjitha përmasat e tij.Ky shtet duhet të mbështetet në “bërthamën e demokracisë” e cila, “balancën e koparticipimit të pakicës demografike” në pushtetin politik, do të mund ta vendoste me “respektimin e realitetit demografik të gjithë territorit”.Nuk ka dhe nuk mund të ekzistojë formulë tjetër për Kosovën.
Në veriun e Kosovës është toleruar gjatë përfshirja e Beogradit në “rregullimin e brendshëm të Kosovës”, madje edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj. Angazhimet  për ta “ndërruar këtë kurs” janë joefektive.
Shtetin e Kosovës do të duhej ta shoqëronte “veshja e Kosovës” me subjektivitet të plotë politik, juridik-kushtetues dhe ndërkombëtar dhe me procese të hapura të anëtarësimit të saj në BE, OKB dhe NATO, që përbëjnë synimet e çdo shteti të ri.
Kosova ndien nevojën për ngritjen e efikasitetit të institucioneve të veta dhe marrjen e përvojave nga shtetet thellësisht demokratike. Përqafimi i vlerave  të demokracive perëndimore, nga njëra anë, dhe mosushtrimi i pushtetit në mënyrë arbitrare e abuzive, nga ana tjetër, respektimi i ligjeve, funksionimi i mekanizmave të kontrollit, pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe qeverisja demokratike, nga ana tjetër, përbëjnë çelësin e daljes nga një gjendje në të cilën janë ndodhur institucionet e Republikës së Kosovës sot.
Kohëve të fundit po flitet për mundësinë e hapjes së negociatave në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ndaj negociatave gjithnjë kam mbajtur një rezervë të konsiderueshme të cilën e mbaj edhe përpara negociatave të paralajmëruara, veçanërisht nëse në to do të bisedohej edhe për veriun e Kosovës.Institucionet e Kosovës do të duhej të ishin shumë të kujdesshme se në cilat kushte do të mund të bisedonin dhe për çfarë të bisedonin me Serbinë.