Më 9 Maj 2010 Prokuroria serbe për krime lufte “zbuloi” një të vërtetë për të cilën tashmë veç dihej, por të cilën e fshehu për “përfitime politike” të regjimit serb.
Për varrezën masive të shqiptarëve në Rudnicë të Serbisë dihej qysh moti, por organet serbe nuk pranonin ekzistimin  e saj, duke “dëshmuar” me gropimin e dheut disa metra larg varrezës për “të lënë përshtypjen” se aty nuk ka gjurma, pa vra ndërgjegjën se kush fsheh krimin, bën krim të ri.
Për vendim e dyshimtë në Kosovë flitej edhe pesë vjet më parë, por në anën e serbëve nuk tregohej asnjë vullnet për të zbardhur të vërtetën e Rudnicës.

 

Nga publikimi i lajmit nga ana e kryeprokurorit serb Vukçeviq mbi “zbulimin e varrezës”  më datë 9 Maj 2010, dy përfundime bëhen shumë të qarta.
E para, se në Serbi dinë me saktësi të madhe se ku gjinden të varrosur trupat e të pagjeturve nga Kosova.
E dyta, se në Serbi ky “zbulim”përkoi me Ditën e Europës për t’i dërguar asaj mesazhe se në Serbi gjoja po punohet dhe se ajo është e gatshme të ndihmojë në “gjetjen e të pagjeturve”.
Shqetësues  është edhe një informacion tjetër, bashkëpunimi në hetuesi me Eulex-in, i cili asnjëherë nuk informoi insitucionet e Kosovës për përfshirjen e tij në “këtë zbulim”, edhe pse më parë, ç’është e vërteta, misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, pas një informate të botuar në një gazetë ditore në Prishtinë, “kishte nisur hetimet lidhur me dyshimet për ekzistimin e kësaj varreze”.Një informacion nga Eulex-i nuk ka arritur edhe sot e kësaj dite në adresë të institucioneve të Kosovës.
Shqiptarët e Kosovës kanë shumë arsye të dyshojnë në sinqeritetin e Serbisë për të ndihmuar në “gjetjen e të pagjeturve”. Serbia deri më sot nuk u dëshmua, po sikurse që nuk u dëshmua edhe faktori ndërkombëtar për të bërë presion në Serbinë.
Ndërkohë, në Kosovë ende kërkohen 1860 persona të zhdukur nga lufta e tmerrshme e viteve 1998-1999.
Edhe pse nuk dihet për të zhdukurit, dihet për ekzistimin e dhjetra varrezave të tjera të shqiptarëve në Serbi, dihet se pushteti i Beogradit moszbardhjen e vendndodhjes së varrezave nuk e bën me qëllim të caktuar, po sikurse që dihet se Serbia po manipulon
bashkësinë ndërkombëtare me jetën dhe fatin e të pagjeturve nga Kosova.Para së gjithash dihet një fakt tjetër dhe për këtë duhet të ndërgjegjësohet faktori ndërkombëtar në Kosovë. Serbia po vazhdon të fshehë krimin, duke bërë krim të ri për të cilin nuk po ndëshkohet.