Me paralajmërimin për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Mitrovicë për të dielën më 30 Maj 2010, Kosova është para një ekuacioni vështirë të zgjidhshëm. Zgjedhjet nuk mund të parandalohen me apelet e zyrtarëve të Kosovës drejtuar serbëve që të mos dalin në to, ndërkohë që ata janë të kthyer me sy e veshë nga Beogradi.
Kosova ka marrë shumë përgjigje me heshtje.Nuk kanë ndihmuar as premtimet e institucioneve të Kosovës se “nuk do të lejojmë të ndodhë” diçka që veç ndodhte.Edhe ndërkombëtarët, në vend të reagimit, e kanë përzgjedhur heshtjen si strategji, prandaj gjendja në veriun e Kosovës është sot ajo që është.

 

Edhe para pavarësimit, edhe me rastin e pavarësimit të Kosovës, më 2008, kam tërhequr vërejtjen se sfidë e veçantë e passtatusit mund të jetë ballafaqimi me realitetin e të qenët shtet, me shumë kufizime të funksionimit të plotë të tij. Kam tërhequr veçanërisht vërejtjen se nëse Kosova do të pavarësohej me një “proces të thellë të decentralizimit” që do të shpërthente kornizat e kuptimit elementar të tij dhe do të pretendonte vendosje të tij në “vija etnike”, do të mund të vështirësohej “funksionaliteti territorial i Kosovës” deri në përmasat e “copëtimit të hapësirës së saj” mbi “ato vija”.
Për mua nuk ishte indikative pse serbët në veri të Kosovës përherë bënin veprime që “ta mbajnë kontrollin” mbi atë pjesë të territorit, por ishte indikative që veprimet e tyre bëheshin “para  syve” të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, madje disa prej tyre edhe me “miratimin e tyre”.
Institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare shumë gjatë janë shtirë sikur asgjë nuk po ndodhë në veriun e Kosovës. Kanë munguar kundraveprimet e tyre për shumë ndërhyrje të Serbisë në Kosovë. Po përmendim disa prej tyre.
Fillimisht qe lejuar certifikimi i partive politike, “me seli në Serbi, për pjesëmarrje për zgjedhjet në Kosovë”.
Më vonë, qe lejuar që serbët e Kosovës “të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale në Serbi”.
Përfun dimisht, qe lejuar që të shpallet “gjendje e jashtëzakonshme” në “komunat serbe” ose me “shumicë serbe”.
Të gjitha këto veprime ndodhnin “para syve”të vendorëve dhe të ndërkombëtarëve.
“E tërë rrëmuja” që krijonin dhe vazhdojnë të krijojnë serbët në veriun e Kosovës synon “mbajtjen gjallë” të kërkesës së tyre për “ndikimin e Serbisë në zhvillimet në Kosovë”. Por, nëse kjo kishte ndodhur para vendosjes së statusit të Kosovës, si mund të ndodhë që, edhe pas dy vjet e më shumë të shpalljes së pavarësisë, Serbia të vazhdojë me ndërhyrjet e saj në Kosovë? Kjo është pyetja. Një pjesë të përgjigjes, nëse jo edhe të tërën duhet ta nxjerrim nga qëndrimi i ndërkombëtarëve që stafi i tyre “të tërhiqet ditën e diel” dhe “ta kalojë vikendin” jashtë Mitrovicës.
Në vend që t’i sqarojë mirë e mirë “punët me Beogradin”, prania ndërkombëtare në Kosovë “i hap dritën jeshile” Serbisë për të vazhduar me ndërhyrjet e saj që mund të jenë me pasoja të pariparueshme për të nesërmen e saj.
Nëse bashkësia ndërkombëtare mendon “ecjen në drejtimin  e duhur” dhe “vjeljen e rezultateve” gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, ajo do të duhej që të eliminonte fuqishëm dhe përfundimisht involvimin dhe ndikimin e Beogradit në proceset zhvillimore në Kosovë. Ky është “çelësi” i vetëm për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës  dhe zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Kosovës. Ndryshe, Kosova do të vazhdojë të jetojë me pavarësi të munguar dhe sovranitet të cunguar.