(Me rastin e dhënies së mendimit të GJND-së sjellim letrën e hapur drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë më  17 janar 2009)

          Letër e hapur  Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë 

Zonja dhe zotërinj,

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka adresuar te ju iniciativën e Serbisë për vlerësimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, tashmë të një shteti më të ri, të njohur nga 53 vende të botës, që shpalli pavarësinë e vet më 17 shkurt 2008.


Para se të shfaq  mendimin tim për çështjen, më lejoni që të bëjë një letërnjoftim timin të shkurtër. Mbi dyzetë vjet punoj në Universitetin e Prishtinës si profesor. Jam doktor i shkencave juridike dhe me  Diplomë të Studimeve të Larta të së Drejtës Krahasimtare, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe autor i mbi tridhjetë veprave nga fusha e sistemeve kushtetuese- juridike, kushtetuese- historike dhe politike.
Duke mos pasur mundësi tjetër të komunikimit me ju, sepse këtë nuk e  lejojnë procedurat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nëpërmjet të një letre të hapur që do t’ua dërgojë mediave, ju informoj se posa ka pa dritën një libër imi me titull: “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve”, me një nëntitull: “Pavarësia e Kosovës –   akt juridik që nuk mund të zhbëhet », si një ndihmesë për dëshmitë për Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i shkruar në gjuhën shqipe dhe i shoqëruar me një separat “Testimony for Kosova”, në gjuhën angleze, libër ky në të cilin kam përmbledhur argumentet historike, politike, kushtetuese-juridike, ekonomike  dhe ndërkombëtare që dëshmojnë bazën e fuqishme  për pavarësinë e Kosovës dhe të qenët e saj shtet sovran dhe i pavarur, të cilin e konteston padrejtësisht Serbia.
Duke çmuar lartë kohën Tuaj, në letër po theksoj vetëm njëzetë  boshtet e argumentimit të pavarësisë së Kosovës të cilat zbërthehen në tekstin shqip,  ndërsa të bashkangjitur  keni  kopjen e një letre të cilën më 30 mars të vitit 2007 i pata  dërguar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me qëllimin e njëjtë, të argumentimit të pavarësisë së Kosovës.
Vështruar nga më shumë anë, mendoj se pavarësia e Kosovës mbështetet në këto njëzetë  boshte:
Një, në të drejtën për vetëvendosje të një populli si përcaktim më kulminant për fatet e tij.
Dy, në historinë e popullit shqiptar dhe etnogjenezën e tij.
Tre, në kontinuitetin e mëvetësisë së Kosovës.
Katër,  në autoktoninë e shqiptarëve .
Pesë,  në  shtrirjen etnike të shqiptarëve.
Gjashtë,  në përbërjen e popullsisë së Kosovës.
Shtatë, në historinë kushtetuese të Kosovës dhe  të qenët  e saj  njësi federale  e ish-Jugosllavisë dhe të mosqenët   “pjesë e Serbisë”, por e pushtuar prej saj.
Tetë,  në gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.
Nëntë, në shembjen kundërkushtetuese të autonomisë politiko-territoriale të Kosovës, të përcaktuar dhe të garantuar me Kushtetutën e ish-Jugosllavisë të vitit 1974.
Dhjetë,  në zhbërjen e ish-Jugosllavisë dhe daljen e shteteve të pavarura prej saj.
Njëmbëdhjetë, në  referendumin e shqiptarëve të Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur të vitit 1991 dhe në aktet kushtetuese - juridike që i paraprin atij vendimi.
Dymbëdhjetë, në luftën e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi kombëtare dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës para dhe veçanërisht pas saj.
Trembëdhjetë, në  vendosjen e Kosovës  nën Adiministrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar.
Katërmbëdhjetë,   në të qenët e pavarësisë së Kosovës faktor stabiliteti në rajon dhe të ndarjes eventuale të saj kërcënim serioz për paqe në rajon.
Pesëmbëdhjetë,  në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të datës 17 shkurt 2008 dhe njohjet nga 54 vende të botës.
Gjashtëmbëdhjetë,në njohjet e pavarësisë së Kosovës nga ish – republikat e Jugosllavisë.
Shtatëmbëdhjetë, në themelësinë formale teorike të shtetit të Kosovës.
Tetëmbëdhjetë, në bazën shoqërore dhe qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës.
 Nëntëmbëdhjetë, në të mosqenët e pavarësisë së Kosovës “precedent negativ” për lëvizjet secesioniste në botë.
Njëzetë,  në të mosqenët e pavarësisë së Kosovës zgjidhje e plotë e çështjes shqiptare, por zgjidhje e   balancuar e kohës.
Bashkëngjitet kopja e letrës dërguar  anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së,  më 30 mars 2007, si hyrje në shqyrtimin e çështjes së Kosovës.
Ju falënderoj për durimin dhe pres që në opinionin tuaj këshillues t’i merrni parasysh të gjitha faktet relevante.

Prishtinë,                        Me përshëndetje
17 janar 2009                        Esat Stavileci










Letër e hapur anëtarëve
të  Këshillit të Sigurimit të OKB-së


Vëmendja e diplomacisë botërore gjithnjë e më shumë po përqendrohet në çështjen e Kosovës. Në duart e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së tashmë është një propozim i adresuar nga ish-kryetari finlandez Martti Ahtisaari i cili i është bashkëngjitur dokumentit më të cilin ai ka vënë kornizat e një statusi të mundshëm të ardhshëm të Kosovës, ka përmbledhur garancitë për pozitën e pakicave, veçanërisht atë serbe dhe ka përshkruar modalitetet për praninë ndërkombëtare në Kosovë, edhe pas vendimit eventual për statusin e ri të saj. Tash është në përgjegjësinë e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të marrin një qëndrim rreth të ardhmes së Kosovës. Jemi në dijeni se Serbia ka intensifikuar një ofensivë diplomatike për të ndikuar te anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të pamundësohet nxjerrja e një rezolute të re të tij, me arsyetimin se, me propozimin e Ahtisaarit Serbisë “po i merret një pjesë e territorit të shtetit” dhe se “po i hiqet sovraniteti mbi Kosovën” dhe se e tërë kjo, sipas zyrtarëve të Beogradit, ”është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”. Kjo është arsyeja që, me qëllim të informimit më të të plotë të lexuesve tuaj, si një punonjës i shkencës pranë Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe një profesor universitar i së drejtës, me një bibliografi relativisht të gjerë politike dhe juridike, të sistemoj një numër argumentesh dhe faktesh historike, politike e juridike, të cilat, në mënyrën më bindëse, flasin se Kosova është vendosur nën pushtimin serb, në udhë jolegjitime dhe se, ç’është e vërteta, shqiptarët, si popull shumicë në Kosovë, duhet të gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes, qoftë si e drejtë e një popullate në një territor të individualizuar, qoftë si e drejtë kombëtare e po asaj popullate. Nëpërmjet të argumentimit dhe faktimit të kësaj të vërtete, ky shkrim mëton, njëkohësisht, të argumentojë se janë plotësisht të papranueshme persiatjet serbe për krijimin e dy entiteteve ose për ndarjen e Kosovës.
E para, meqë Kosova është aneksuar nga Serbia në udhë jolegjitime, pavarësia e Kosovës, në asnjë mënyrë, nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar. Prandaj, përpara se pavarësia e Kosovës të kualifikohej si “një rast klasik i secesionit të një pjese të një shteti sovran”, do të duhej të kundrohej, në fakt, si një “anulim aneksimi”.
Në të vërtetë, ndesh me ligjin ndërkombëtar kishte rënë vetë Serbia, e cila me 1912 e aneksoi Kosovën nëpërmjet pushtimit ushtarak, pas një agresioni të saj në Perandorinë Osmane, ”edhe pse qysh prej kohësh kishte identitetin e vet historik dhe etnik, të shoqëruar me legjitimitetin e çlirimit të vet, qoftë nga pushtimi osman (1912), qoftë nga pushtimi fashist (1944), edhe pse kishte integritet gjeografik, demografik dhe kulturor të saj”. Sëkëndejmi, në vend se të heshtë veprimin e saj ilegal që ka bërë duke shkelur “me të dyja këmbët” ligjin ndërkombëtar, me aneksimin e Kosovës, Serbia tash përdor një argument të paqëndrueshëm për të “ruajtur sovranitetin mbi Kosovën”të cilin, si dëshmojnë faktet, e mbajti në mënyrë jolegjitime për një periudhë shumë të gjatë, pa pyetur asnjëherë popullin shumicë të Kosovës dhe pa i marrë atij pëlqimin. Kosova është pushtuar gjatë luftërave ballkanike (1912-13), ”në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve që kishin shprehur në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1878-1912”.
Shqiptarët ishin kundër përfshirjes së tyre në shtetin serb, përkatësisht jugosllav. Kështu, Serbia, edhe pse “mori legalitetin ndërkombëtar”për pushtimin e Kosovës, në asnjë mënyrë nuk mundi ta arsyetojë legjitimitetin e veprimit të saj. Përveç kësaj, qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës që i referohen historisë janë dyfish të pathemelta.Së pari, ”janë të pathemelta në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit, meqë po të merrej historia si kriter, me gjithë realitetet nacionale-territoriale bashkëkohore, Hungaria do të kishte të drejtë të vinte dorë mbi pjesën jugosllave të Panonisë, Bullgaria dhe Hungaria do të rivalizonin rreth Beogradit, Greqia do të vinte dorë mbi Stambollin, Shqipëria mbi Janinën, Meksiko mbi Floridën dhe Kaliforninë, Suedia mbi Norvegjinë dhe Finlandën, Gjermania mbi pjesët e rajoneve të Shlezisë dhe të Sudeteve, Danimarka mbi Shlezvikun, Iraku mbi Kuvajtin, etj., etj”.Së dyti, qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës “janë të pabaza edhe në aspektin e së vërtetës materiale, meqë Kosova, përkundër pohimeve me karakter të tillë, ”nuk është as djep i popullit serb, as djep i shtetit serb”.
Ambiciet imperialiste me “të drejta historike”nuk kanë mundur t’i mbrojnë as Anglia, Franca, Spanja, Portugalia, Holanda që, siç është e njohur, ”me shekuj kanë mbajtur vende e popuj të shumtë”. Prandaj, ”me shkatërrimin e perandorive koloniale, janë krijuar mbi 120 shtete të reja”. Serbia ka qenë “nën sundimin e Perandorisë Osmane për afro pesë shekuj” (1389-1878), Spanja “kishte pushtuar tërë Amerikën Latine në fillim të shekullit XVI”. Më në fund, ”as rusët nuk kanë përmendur ndonjëherë ’të drejtat historike’ mbi Ukrainën”. Konkluzioni është shumë i qartë: ishin pikërisht agresioni, pushtimi dhe aneksimi serb i Kosovës që shkelen ligjin ndërkombëtar, e jo e kundërta, që pavarësia e Kosovës dhunon të drejtën ndërkombëtare.
Historia “është dëshmitare për politikën shkombëtarizuese”; për “krimet e mëdha ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1912-1918”; për “planet gjenocidale serbe për shfarosjen e shqiptarëve”; për “shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi” dhe për “shpronësimin e fshatarësisë dhe për kolonizimin serbo-malazias”e tjera. Periudha 28 shkurt 1998 deri me 10 qershor 1999 vetëm sa “i ka tejkaluar rastet e veçanta dhe ka marrë përmasat më të përgjithshme të gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve”.
E dyta, vendimi mbi të ardhmen e Kosovës nuk mund të injorojë pozitën kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi, me gjithë faktin se ajo nuk gëzonte statusin e republikës por, ç’është e vërteta, ishte pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë, me territor dhe kufijtë e vet, të cilët nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e saj.
Kosova ishte drejtpërsëdrejti e përfaqësuar në Federatën e ish-Jugosllavisë, po sikurse republikat e saj, e jo nëpërmjet Serbisë, sepse ashtu do të kishim një situatë paradoksale “të inkuadrimit të Serbisë në Serbi dhe të tri Serbive me tri vota në Federatë”, ndërsa njësitë tjera ”do të kishin nga një votë.” Mosnjohja e statusit të republikës për Kosovën nuk mund të anashkalojë faktin e “origjinës josllave të popullatës të saj shumicë shqiptare”. Se Kosova nuk ishte pjesë e Serbisë dëshmojnë edhe këto fakte historike dhe juridike: ”Kosova nuk ishte në përbërjen e shtetit sovran dhe të pavarur të Serbisë me subjektivitet juridik ndërkombëtar të pranuar në Kongresin e Berlinit (1878) ”; ”Kosova nuk ishte në përbërjen e Serbisë në Kuvendin e Dytë të AVNOJ-it (1943); ”Kosova nuk ishtë në përbërjen e Serbisë gjatë konstituimit të saj si njësi federale në Këshillin Antifashist të Çlirimit Popullor (1944); ”Kosova nuk ishte pjesë përbërëse e Serbisë në strukturën e Asamblesë Kushtetutëdhënse të Jugosllavisë me rastin e shpalljes së Republikës Federative të Jugosllavisë (1945)”; ”Kosova nuk ishte inkuadruar në Serbinë sovrane”, veçse në përbërje të “Serbisë Federale në kuadër të Jugosllavisë Federative”, gjatë pushtimit ushtarak në Kosovë (1945). Më në fund, vlen të përmendet edhe rrënimi i autonomisë së Kosovës me Amendamentet në Kushtetutën e Serbisë, akt ky që ndodhi me 28 mars 1989. Edhe po të mos ekzistonin mangësitë esenciale rreth deklarimit në Kuvendin e Kosovës, mangësi këto që janë provuar, ”mosekzistimi i vullnetit të lirë”, si pasojë e presioneve të jashtëzakonshme politike, ”e bën edhe deklarimin mbi ndërrimin kushtetues-jokushtetues”.
E treta, statusi i ri politik, juridik dhe ndërkombëtar  Kosovës duhet t’i sigurojë pavarësinë në gjithë territorin e saj, pra edhe zbatimin unik të ligjit brendapërbrenda tij, përfshirë pjesën veriore të Kosovës dhe të ashtuquajturat komuna me ”shumicë serbe” që kanë fituar shumë kompetenca shtesë, në emër të një kompromisi me projektin e decentralizimit asimetrik territorial dhe etnik që kërcënon me rrezikun që të jetë i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës. Për Kosovën janë të papranueshme persiatjet serbe të cilat mund të gjejnë ndonjë mbështetje, sado e vogël të jetë ajo në qarqet diplomatike, për krijimin e dy etntiteteve ose për ndarjen e Kosovës. Ato persiatje injorojnë faktin “për kuantume dhe proporcione relative demografike dhe kombëtare, shprehimisht të ndryshme”në Kosovë. Theksojmë edhe faktin tjetër se Kosova nuk paraqet “territor diversifikativ etnik të karakterit enklav”. Prandaj, ”përthekimi i dhunshëm politik” i një pjese të territorit të Kosovës”, përkundër kompromiseve shumë të dhembshme që ka bërë Delegacioni i Kosovës, do t’i kundërvihej drejtpërsëdrejti entitetit burimor politik të atij territori dhe do të ishte në diskordancë me të.
E katërta, e ardhmja e Kosovës nuk mund të kundrohet e krahasueshme me secesionizmin në disa nga vendet e botës. Këtë duhet ta kenë parasysh ato vende që ende mbahen të rezervuara ndaj pavarësisë së Kosovës. Ato do të duhej që t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë “pikat e përbashkëta” të Kosovës me disa shtete të botës që janë pajtuar me heqjen e sovranitetit mbi vende të tjera. Kështu, raportet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë, për shembull, të krahasueshme me ato ndërmjet Indonezisë dhe Timorit Lindor. Siç dihet, Timori Lindor ka qenë i pushtuar dhe aneksuar nga Indonezia në vitin 1975 dhe atë “kundër vullnetit të Portugalisë si sovran i jashtëm”, fakt ky që e ka bërë aneksimin ilegal. Atë vit, qeveria indoneziane njohi të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Timorit Lindor. Singapori është një shembull tjetër që duhet marrë parasysh. Ky vend u nda nga Malejzia me 1965, madje me “inkurajimin e vetë malejzianëve”. Edhe shembulli me Eritren është domethënës për Kosovën. Është qeveria etiopiane që në vitin 1991 i njohi të drejtën e vetëvendosjes. Rasti i Kosovës ka ngjashmëri edhe me atë të Namibisë. Ndarja nga Afrika e Jugut dhe pavarësia e Namibisë ndodhën më 1991. Prandaj, rastin e Kosovës nuk duhet krahasuar me secesionizmin në disa anë të tjera të botës, ku lëvizjet secesioniste “nuk janë duke vepruar në territore të aneksuara që në mënyrë të njëanshme (kundër vullnetit të popullit dhe të sovranëve të mëhershëm) u janë bashkuar shteteve aktualisht ekzistuese, por ato janë duke operuar në territore që kanë qenë pjesë e këtyre shteteve në kohën kur këto shtete kanë filluar së ekzistuari”. Kështu është edhe me lëvizjet separatiste në Transdnjestrovle (Moldavi), në Osetinë Jugore dhe në Abkhazi (Gjeorgji) që nuk kanë bazë etnike çfarë ka çështja e Kosovës dhe që nuk kanë pasur status autonom ose federal kur u shpërbë ish-Bashkimi Sovjetik, siç ka pasur Kosova kur u shpërbë ish-Jugosllavia. Më në fund, Kosova nuk është e krahasueshme as me katalonët, uelsianët, baskët, skocezët, korsikanët…, sepse ata nuk u përballën, sikur shqiptarët e Kosovës, me dëbim masiv, nga shtetet që i kontrollojnë.
E pesta, ekzistimi i Shqipërisë si shtet shqiptar, nuk mund të qëndrojë si pengesë për statusin shtet i pavarur dhe sovran të Kosovës, po sikurse që, të sjellim shembuj nga historia e krijimit të shteteve, ”as ekzistimi i Rumanisë nuk qe pengesë për krijimin e shtetit të Moldavisë ose që ekzistimi i Francës nuk paraqiste pengesë për kantonet-shtete në Zvicër”. Më në fund, edhe sikur Kosova të konstituohej si shtet i shqiptarëve, ”ekzistimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan do të ishte më parë hendikep, sesa përparësi gjeopolitike e popullit shqiptar në Ballkan”.
Prandaj, Kosova i përmbush të gjitha kriteret e qenies shtet i pavarur dhe sovran. Nëse bëhet fjalë për territorin, në OKB janë të anëtarësuara 34 shtete me territor më të vogël sesa Kosova. Nëse bëhet fjalë për popullatën, në OKB janë të anëtarësuara 58 shtete me popullatë më të vogël sesa Kosova. Nëse bëhet fjalë për praniminose jo të shteteve të reja në OKB, në periudhën prej 1990-2002, në OKB janë pranuar 34 shtete të reja.

(Dërguar në adresën e gazetave më prestigjioze të botës)
Prishtinë,                    Akademik
30.03.2007                    Esat Stavileci