Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të ardhmen e Kosovës paraqitet me rëndësi të shumfishtë. Edhe pse pritjet kanë qenë që mendimi të jetë “më i balancuar” dhe “më i interpretueshëm”, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë një mendim analitik shumë të shkoqur dhe  profesionalisht shumë të argumentuar.

 

 

Ky mendim, përfundimisht, i “vuri vulën” shtetit të Kosovës, të cilin Serbia e kishte kontestuar me një iniciativë të vetën për të vlerësuar ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 mars 2008. Serbia jo vetëm që mori përgjigjen e drejtpërdrejtë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, por njëkohësisht mori goditjen më të madhe deri më tash në përpjekjet për të kontestuar vullnetin e një populli për të qenë i lirë dhe i pavarur.
Në lidhje me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mund të shtrohen, më së paku, dy pyetje:

1.Çfarë, në të vërtetë, konfirmon mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?

2. Çfarë porosish dalin për institucionet e Kosovës?

Nëse përmblidhen arsyetimet që bëri kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe disa opinione të shfaqura në lidhje me to, mund të nxirren këto përfundime.
 
E para, se pavarësia e Kosovës “është e ligjshme” dhe se askush, në asnjë mënyrë, nuk mund të kontestojë më legalitetin e shpalljes së saj.

E dyta, se Deklarata e pavarësisë së Kosovës “nuk shkel asnjë normë të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”.

E treta, se në drejtën ndërkombëtare “nuk ka provizione që ndalojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.

E katërta, se e drejta ndërkombtare “nuk e rregullon çështjen e shpalljes së pavarësisë”.

E pesta, se pavarësinë e Kosovës “nuk e kanë shpallur institucionet e përkohshme të Kosovës, por përfaqësuesit politikë të popullit të Kosovës”.

E gjashta, se ky mendim shënon “fundin e një procedure juridike” të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

E shtata, se rasti i Kosovës është “rast unik dhe nuk vendos precedent”.

E teta, se mendimi përfundimisht “heq dilemat te shtetet që mund t’i kenë pasur në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, shtete këto  që ende nuk e kanë njohur realitetin e ri të Kosovës.

E nënta, se shteti i Kosovës “është një rrëfim i suksesshëm i një investimi
ndërkombëtar”.

E dhjeta, se “doktrina e integritetit territorial vlen vetëm në marrëdhëniet mes dy shteteve” dhe “nuk zbatohet për etnitetet që duan të ndërtojnë shtetin e vet”.

E njëmbëdhjeta, se Kosova ka qenë “territor që ka dalë nga një federatë e shpërbërë”, dhe se ka qenë  “territor i administruar përkohësisht nga OKB-ja”.

E dymbëdhjeta,  se mendimi ka qartësuar përfundimisht “legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës”.

Çfarë porosish dalin për institucionet e Kosovës?

Së pari, që të dijnë “të kapitalizojnë mendimin” e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Së dyti, “të lobojnë për njohje të reja” dhe për “anëtarësim në mekanizma ndërkombëtare”, qofshin ato ekonomike, ose politike.

Së treti, të ndërtojnë dhe të zbatojnë strategji të mirfilltë për shtrirjen e autorizimeve të institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj, me qëllim të ruajtjes së integritetit të tij.

Së katërti, që përfundimisht “t’i kthehen zhvillimeve të brendshme”, duke u angazhuar në ripërtritjen e ekonomisë dhe zhvillimin e saj.

Së pesti, që të veprojnë me ngulm në “krijimin e shtetit të së drejtës”, duke u angazhuar në luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.