Theksime nga fjala e mbajtur në Klubin për Politikë të Jashtme (26 korrik 2010) në lidhje me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Po filloj me tri sugjerime.
Së pari, euforia që na kapluar me mendimin e shprehur të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të duhej të na kalonte sa më shpejt dhe mundësisht të na kthehej në energji krijuese për ta materializuar atë.


Së dyti, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të duhej të sherbente si “mbulesë” për ngecjet në zhvillimet e brendshme.
Së treti, duhet të jemi të vëmendshëm se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është këshillues, e jo obligues.
Nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me një mendim shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj, veçanërisht nëse dimë ta kapitalizojmë.
Vetëm merrni me mend se po të kishim një mendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tjetër, të kundërt me këtë, se për çfarë do të mund të diskutonim sot.

Me një mendim të vetëm, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë më shumë përgjigje se në pyetjen e shtruar nga ana e Serbisë, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë. Për mua, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka kufizuar përgjigjen e vet vetëm në pyetjen e bërë nga ana e Serbisë, ajo prek edhe çështje të tjera.
Eshtë krejt normale që rreth këtij mendimi në Serbi të ketë interpretime dhe opinione të tjera. Atje, biles, po shtrohet edhe pyetja se a është bërë pyetja më e mirë dhe në mënyrën e duhur.
Përveç se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të thuash, do të thotë një "lindje e dytë e pavarësisë së Kosovës", ai Kosovës i ka hapur dy rrugë, kushtimisht të shprehem: ne trafikun e brendshëm dhe trafikun ndërkombëtar, edhe pse në ato rrugë Kosova, së paku edhe për një kohë, nuk do të mund të ecë vetem, qoftë për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për t’i vështirësuar dhe ngadalësuar njohjet, por edhe proceset e brendshme zhvillimore, qoftë edhe për shkak të pranisë ndërkombëtare.
Njohjet nuk do të vijnë vetvetiu. Duhet të zgjerojmë bashkëpunimin në këtë fushë së pari me vendet që e kanë njohur Kosovën. Së dyti, duhet të punojmë aktivisht me vendet që kanë hezituar ta njohin Kosovën në pritje të një mendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Së treti, duhet të vendoset lidhja edhe me shtetet që mbajnë një pozicion kundër pavarësisë së Kosovës.   
Ky mendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejëtsisë kërkon prej Kosovës që të kalojë në ofensivë. Kosova ndien nevojën për më shumë pavarësi e sovranitet, për më pak mbikëqyrje.
Ky mendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kërkon prej Kosovës që të gjejë udhët, mënyrat dhe instrumentet për të  shtrirë pushtetin, ligjin dhe kontrollin në gjithë territorin e saj.
Ky mendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kërkon prej Kosovës që t’i kthehet vendosshmërisht “detyrave të brendshme të shtëpisë, veçanërisht atyre të zhvillimit të ekonomisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, nëse nuk duam që të na shndërrohet në “shtetin e së padrejtës”.
U përmenden bisedimet dhe negociatat me Serbinë, nuk e di pse dhe negociatat. Nuk mund të bisedohet në kushte të pabarabarta dhe për çështje që, qoftë edhe tërthorazi, prekin në statusin e Kosovës. Institucionet tona nuk duhet “të bien në gracka”. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshme që edhe të ashtuquajtura çështje teknike nuk mund të zhveshen nga premisat politike. Në mënyrë të veçantë, sidomos pas një mendimi të tillë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova nuk duhet të ndihet inferiore karshi Serbisë. Të kundërtën. Ajo do të duhej që mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ta materializojë edhe në raport më Bashkimin Europian.
E para, Bashkimi Europian pas një mendimi të tillë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duhet të bashkohet rreth Kosovës.
E dyta, Bashkimi Europian duhet të pushojë së qeni “neutral karshi pavarësisë së Kosovës”.
E treta, Bashkimi Europian duhet të ndihmojë perspektivën europiane të Kosovës.
Po i kthehem edhe një herë mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kemi të bëjmë me një mendim të peshuar mirë në argumente dhe fakte nga ana e një institucioni mendimi i të cilit, sado që është këshilldhënës, është edhe “i prerë”që nuk la mundësinë për interpretime të tjera, pavarësisht se Serbia dhe aleatët e saj do të bëjnë përpjekje për “t’i serviruar opinionit” mendimin e vet. Nuk duhet të pranojmë provokimin që t’i përgjigjemi pyetjeve të tjera që Serbia nuk i ka shtruar fare para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pavarësisht gjykimit se edhe për pyetjet e tjera argumentet dhe faktet do të mund të ishin në anën tonë.
Përfundimisht, e jona është që të mos vazhdojmë “të festojmë” pafund, por që të bëjmë detyrën tonë në dy rrafshe:
në rrafshin e brendshëm, që të angazhohemi që të ndryshojmë “gjendjen në terren”e cila, ne një pjesë të mirë të territorit tonë, ende është e pafavorshme;
në rrafshin ndërkombëtar, që të angazhohemi për forcimin e subjektivitetit të shtetit të Kosovës nëpërmjet njohjeve të tij të reja dhe antëtarësimeve të tij të reja në strukturat ndërkombëtare.