Një ngjarje tragjike në Himarë të Shqipërisë që, për pasojë, pati një të vrarë minoritar grek, nuk mund të kualifikohet ndryshe veçse një akt kriminal. Edhe pse  akti u dënua, Athina zyrtare, të thuash, u tmerrua, pa vra mendjen se asnjëherë më asnjë rast nuk kishte reaguar në vrasjet e shqiptarëve në Greqi. Për derisa në Maqedoni ende janë të freskta provokimet që iu bënë shqiptarëve në lidhje me historinë e tyre në një tekst enciklopedik, arrijnë provokimet e reja në një tekst shkollor në të cilin Kosova paraqitet si “krahinë e Serbisë”. Dhe, më në fund, edhe pse zyrtarë serbë që marrin leje për të hyrë në Kosovë për “qëllime fetare”, ata kryejnë mision politik dhe ky akt shpejt  harrohet prej institucioneve të Kosovës  deri sa të mos e vizitojë  një tjetër zyrtar serb, me të njëjtin mision.

 

Dhe kështu nuk kanë të ndalur provokimet ndaj shqiptarëve nga “fqinjët e tyre të parë”, me të cilët u rekomandohet të “ruajnë miqësinë e vjetër” ose “të lidhin miqësi të re”.
Edhe pse akti i shëmtuar në Himarë të Shqipërisë, për të cilin po zhvillohen hetimet, nuk pati përmasat me të cilat “u kualifikua” në qarqet minoritare greke në Shqipëri dhe në mediat në Greqi, ai vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes të Athinës zyrtare e cila përpiqet “të përfitojë” nga një akt i izoluar për “ta përgjithësuar”atë sikur të bëhej fjalë për ndonjë dukuri çfarë në të vërtetë, është bërë vrasja e shqiptarëve në Greqi kohëve të fundit dhe viteve të fundit, ndërkohë që Tirana zyrtare, të shumtën e herëve, ka heshtur ose e ka përmendur atë sa “ndërgjegje për të larë”. Udhëheqës lokalë të Himarës “u kërcënuan” me “ndalimin e pushimeve”, ndërsa “në  këmbë” u ngrit edhe Janullatos, ai që asnjëherë nuk ka pushuar së provokuari shqiptarët në “shtëpinë e tyre”. Kështu ndodhë, si rregull, kur në vend se të sulmosh, “të detyrojnë të mbrohesh”, sepse asnjëherë nuk u reagua fuqishëm në vrasjet e shqiptarëve në Greqi, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare.
Nuk harrohet rasti i të riut shqiptar që u vra me rastin e një ndeshjeje futbolli vetëm pse mbante në dorë flamurin  e kombit të vet dhe i këndonte  kombëtares së tij. Atëherë nuk i patëm dëgjuar as udhëheqësit lokalë të Himarës, as Janullatosin dhe as Athinën zyrtare, sikurse që nuk i dëgjuam në asnjë rast tjetër kur të vrarët shqiptarë nga Greqia u kthyen në arkivole pa ndonjë shpjegim a pendim.
Ndërkohë kur pritej që Maqedonia “të diktojë një politikë më konstruktive ndaj Kosovës” të cilën formalisht e ka njohur si shtet i pavarur dhe sovran, nga po ajo Maqedoni arrijnë informacionet për provokimin e ri që u bëhet shqiptarëve. Një tekst shkollor prej të cilit “duhet të mësojnë” edhe nxënësit shqiptarë, e paraqet  Kosovën si “krahinë serbe”. Më vonë u tha se “libri tërhiqet” dhe se do “të bëhen korrigjimet”.
Kështu u tha edhe me rastin e botimit të enciklopedisë maqedonase nga ana e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve. Maqedonasit vazhdojnë “të luajnë rol të dyfishtë” dhe shqiptarët “festojnë” Marrëveshjen e Ohrit dhe e konsiderojnë atë si “ngjarje historike”.
Provokimet e fundit na bëhen “në shtëpinë tonë”. Merr “lejen zyrtare” për të hy në Kosovë, Ivica Daciq, dhe misionin fetar lehtësisht e shndërron në mision politik dhe na mban leksion se Serbia “është e interesuar për bisedime”, por duke mos e quajtur pavarësinë e Kosovës si “çështje të kryer”. Prej zëvëndës kryeministrit serb as që është dashur të pritet që të ketë “mirësjellje” në Kosovë, sepse ai “lojën fer” me Kosovën e ka luajtur qysh në kohën e Millosheviqit, duke qenë “dorë e djathtë e tij”.
Problemin “nuk e shoh” me provokuesit, por me të provokuarit dhe , padashtas, i kthehem disa prej pyetjeve nga cikli im “Intervistë me vetveten”.
Në pyetjen se “Pse ne, përherë, duhet t’i kthehemi historisë ‘me sy përpara’, përgjigjem:”Jo për ta harruar atë, por për të nxjerrë mësim prej saj”.
Kur më pyesin se “Cka ju shqetëson më së shumti”, përgjigjem se “Më shqetëson zotimi bosh politik se nuk do të lejojmë që të ndodhë diçka që, në të vërtetë, po ndodhë”.
Kur më pyesin se “C’do të thotë të gabosh e të mos korrigjohesh”, përgjigjem se “Do të thotë të gabosh tamam”.
Kur më pyesin se “Cila strategji u mungon sot shqiptarëve”, përgjigjem “Strategjia si ‘të ecim bashkë’ të ndarë”.
Kur më pyesin “Pse nuk duhet ndalur mbrapa”, përgjigjem se “Të ndalurit mbrapa mbyllë sytë përpara”.