Me këtë titull revista mujore “Studenti” e Prishtinës botoi në numrin e vet të parë, në shtator 2010,  profilin e Esat Stavilecit. Në hyrje të shkrimit thuhet se “Virtytet njerëzore, përgatitja profesionale dhe mbi të gjitha përkushtimi për të ngritur vetëdijën kombëtare përmes arsimimit dhe edukimit  cilësor e bëjnë atë të jetë njeri i veçantë. Të mahnitë fakti se me gjithë këtë bagazh të krijimtarisë së tij shkencore dhe kontributit të tij të pazëvëndësueshëm për çështjen kombëtare, akademik Esat Stavileci ruan ende modestinë dhe dëshirën për të kontribuar edhe më shumë ndaj proceseve.

 

I lindur në Gjakovë, më 11 korrik 1942, në një familje nga e cila do të dalin katër motra mësuese, arsimtare dhe profesoresha dhe tre vëllëzër, që të gjithë doktorë të shkencave dhe profesorë universitarë, ku  ka kryer shkollën fillore dhe gjimnazin, Esat Stavileci ishte student i gjeneratës së parë në Fakultetin atëherë të përbashkët juridik- ekonomik të Prishtinës, ku u diplomua me notë të shkëlqyeshme me 1965, për të vazhduar dhe kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit dhe  Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare në Francë, Itali, Hollandë dhe Venezuellë, për t’u specializuar në shumë qendra universitare të botës, për të marrë pjesë në dhjetra e dhjetra konferenca dhe simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, për të mbajtur leksione në shumë universitete, si të Tiranës, Tetovës, Sofjes, Jenes, Universitetin Amerikan në Bllagoevgrad të Bullgarisë e tjerë, për të ushtruar shumë funksione brenda dhe jashtë universitetit, për të drejtuar revista shkencore dhe për udhëhequr shoqata profesionale të juristëve, për të shkruar dhe bashkëpunuar me shumë revista dhe për të shkruar deri më sot gjithsej 33 libra, publicistikë, profesionalë, shkencorë, universitarë e të tjerë, pesë prej të cilëve në gjuhën angleze dhe një në gjuhën frënge; për të arritur në mbi 1000 paraqitje publike për Kosovën dhe çështjen shqiptare, për të marrë shumë çmime dhe mirënjohje publike për rezultatet e punës së tij, si “Shpërblimi i Dhjetorit(1978),
“Intelektuali i Kosovës”( 2007), “Qytetar Nderi i Gjakovës”(2007), “Ambasador i Paqes”(2008), “Imazhi i Intelektualit Shqiptar”(2009) e të tjerë.
Esat Stavileci është provuar edhe në fusha të tjera të jetës, si konferansier e moderator, si gazetar e reporter, si aforist e artist, si përkthyes e poet, si dramaturg e komediograf…si transmetues sporti dhe drejtues sporti, që i bën të mundshme të marrë pjesë në shumë manifestime të mëdha sportive  dhe që të vizitojë 87 vende të botës.
Shquhet  për universalitetin e juristit, prandaj ka mbajtur leksione nga dhjetra lëndë mësimore, si E drejta Administrative, Administrimi Publik, Bazat e Jurisprudencës, E drejta e Punës, Metodologjia e Hulumtimit Shkencor, Modelet e Qeverisjes, Qeverisja Lokale, Sistemi Politik, Të menduarit dhe të Shkruarit Juridik…Nga lënda e fundit po përgatit një tekst universitar.
Kontribut të rëndësishëm ka dhënë nga fusha e specializimit të ngushtë të tij(shkencat administrative).Problemet e administratës paarqesin një interesim të posaçëm shencor të tij dhe kjo mund të provohet me disa libra të tij nga fusha e administratës. Konsiderohet një ndër njohësit më të mirë të saj. Së shpejti del nga shtypi fjalori i tij shpjegues i termave dhe shprehjeve administrative.  
Ka bërë emër me shkrime dhe studime nga fusha e të drejtës kushtetuese, sistemi polititik, gjuha dhe kombi, terminologjia dhe metodologjia.
Aktiviteti i tij është i shumëanshëm dhe përfshinë paraqitjet e tij me artikuj, deklarata, diskutime, ligjerata, intervista, komente, kumtesa, polemika, reagime dhe vështrime, me pjesëmarrje në debate, dialogje, kolokiume, konferenca, përurime, simpoziume dhe tryeza.
Paraqitjen e parë publike e kishte më 10 qershor 1967, në një simpozium shkencor në Novi Sad (“Krahinat autonome në Jugosllavi”), me kumtesën “Aktiviteti normativ i KSA të Kosovës”, ku kishte tërhequr  vërejtjen për një atrofi të veprimtarisë normative të organeve krahinore që, sipas mendimit të tij, ishte pasojë e një pozite denigruese kushtetuese-juridike të krahinave autonome në Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1963. Pozita e Kosovës dhe avancimi i saj kushtetues u bën, të thuash, preokupim i vazhdueshëm  i punës së tij kërkimore- shkencore gati për pesëdhjet vjet.Angazhimi i tij në këtë fushë  qe i vazhdueshëm dhe kjo bëri që emri i tij dhe vepra e tij t’i sigurojnë një respekt, njerëzor e intelektual, edukativ dhe pedagogjik, profesional e shkencor që nuk mbeten pa jehonë.
Si thotë vetë Esat Stavileci, i ka ruajtur të gjitha paraqitjet e tij dhe kjo është pasuria e tij më e madhe. Veçanërisht e bëjnë të krenohet me  paraqitjet e tij rreth Kosovës në Beograd në kohë shumë të ëvshtira. Dëshmitë para Gjykatës Kushtetuese të ish- Jugosllavisë, në vitin 1991, janë kryefjalë e mendimit të tij në mbrojtje të mëvetësisë së Kosovës. Veprën më të mirë e quan atë të fundit: “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të Shqiptarëve-Pavarësia e Kosovës – fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet”(2009), sepse ia ka përkushtuar mbledhjes së dëshmive për Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ky libër ishte kontributi i tij më i drejtpërdrejtë në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës.
Kontribut të rëndësishëm ka dhënë në zhvillimin e shkencave administrative. Madje, konsiderohet si themelues  i tyre në Kosovë.Me tekstet e tij, përveç se në Universitetin e Prishtinës,  mësohet edhe në disa prej universiteteve të tjera në hapësirën shqiptare
Për Kosovën dhe shqiptarët ka folur në Bruksel e Gjenevë, Paris e Romë, Vienë e Uashington…  
Në periudhën e pasluftës ka reaguar pothuajse në çdo ngjarje në Kosovë. Ka parapëlqyer që t’i analizojë rrjedhat politike; e ka ndier, pothuajse si detyrim, që t’i flas së sotmes, në mënyrë që të kuptohet të nesërmen. Ka ndërtuar një qëndrim të vetin “jashtë politikës”, duke mos dashur që “të jetë me asnjërin” dhe duke parapëlqyer që “të jetë me të gjithë”.
Duke qenë një kohë në krye të Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës, ka korresponduar shumë me botën, me qëllim të sensibilizimit të çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve përgjithësisht, duke e kundruar çështjen e Kosovës vetëm si një anë të çështjes së pazgjidhur shqiptare.
Thekson me mburrje që për 45 vjet pune në universitet, të mos ketë dëgjuar asnjë fjalë të asnjë studenti të jetë ankuar në qëndrimin e tij; që në 33 librat e tij askush, me asnjë fjalë të ketë kontestuar ndonjë mendim a pikëpamje të tij; që askush me asnjë fjalë të jetë konfrontuar në mbi 1000 paraqitje publike për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Ia ka anda të theksoj se asnjëherë, me asnjë rast, askush nuk   ta ketë detyruar që të votojë për diçka ose të nëshkruajë diçka që nuk do t’i pëlqente.         
Por, nuk jeton me iluzione se çdoherë dhe në çdo rast, të ketë qenë i kryer dhe i përkryer, sepse mendimet dhe pikëpamjet mund të kenë qenë ndonjëherë të kushtëzuara, të sipërfaqshme, të papërfunduara dhe të përsëritura.
Thotë se t’i kenë  bërë nder angazhimet në aksionin e madh të faljes së gjaqeve dhe në të gjitha aksionet e tjera mbarëpopullore.
Shprehet të jetë ndier i nderuar sa herë të jetë  ftuar të mbajë fjalime mortore për personalitete të shquara të kombit, si për akademik Gazmend Zajmin, akademik Fehmi Aganin, legjendarin Adem Jasharin, avokatin Bajram Kelmendin, profesorin Bardhyl Qaushin e të tjerë.
Pranon të ketë mësuar prej akademikëve Gazmend Zajmi dhe Fehmi Agani, prandaj  
përsërit me këtë rast mendimin që kishte shprehur akademik Pajazit Nushi, më 23 qershor në Gjakovë, në ceremoninë e shënimit të 65-vjetorit të ditëlindjes së tij:
“ Me mënyrën e trajtimit kompleks të …çështjeve, akademik Esat Stavileci iu është bashkëngjitur pikëpamjeve dhe qëndrimeve juridiko- politike të ndjerit Gazmend Zajmi dhe pikëpamjeve dhe qëndrimeve sociologjike – politikologjike të ndjerit Fehmi Agani. Ky tresh akademikësh… e ka përcaktuar natyrën e çështjes shqiptare, posaçërisht asaj të Kosovës, raportet e kësaj çështjeje nga rrjedhat politike, juridike dhe sociologjike të mendimit shkencor bashkëkohor dhe drejtimin e kërkimit të zgjidhjeve të mundshme paqësore të çështjes shqiptare dhe në kuadrin e saj sidomos të zgjidhjes së asaj të Kosovës”.
Jeton në Prishtinë, në bashkëshortësi me gruan farmaciste, me të cilën ka dy vajza dhe një djal, të gjithë me fakultet të kryer dhe të punësuar.Asnjëri prej tyre nuk ka “trashëguar” profesionin e tij. Kanë zgjedhur rrugën e vet të specializimit në fusha të tjera të dijes, mjekësi,  menaxhment dhe biznes dhe teknologji informative.

Dhjetë librat e fundit të Esat Stavilecit:

1.”The Albanian Question At The Crossroads of  Peaceful Solution”, The Independent Association of Lawyers of Kosova, Prishtina, 1995(edhe në shqip);
2.”Kosova and Albanians, Between Negation And Independence”, The Independent Association of Lawyers of Kosova, Prishtina,1995;
3.”Cështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit”, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1997.
4.”Në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës”, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1998;
5.”Kosova nën administrimin ndërkombëtar”, Forumi për Iniciativë Demokratike, Gjakovë, 2000;
6. Vazhdimësia e mendimit për Kosovën dhe çështjen shqiptare”, Lidhja Shqiptare në Botë, Prishtinë, Tiranë, Tetovë, 2001.
7. “The truth About Kosova, Arguments and Facts in Support of It’s Independence”, Dardania University, Prishtina, 2007.
8. “Nocione dhe Parime të Administratës Publike”, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2007(ribotim);
9. “Shteti- shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim  rasti i Kosovës”, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2008.
10. “Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve, Pavarësia e Kosovës – fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet”, Testimony for Kosova, Forumi për Iniciativë Demokratike, Gjakovë, 2009.   

Kohë më parë, doli nga shtypi dhe libri i tij i tridhjetekatërt “Fjalor shpjegues i termave administrative”, në botim të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës(2010).

(Revista “Juristi”, Prishtinë, nr.1, shtator 2010)