Ky shkrim është menduar që të jetë një ndihmesë,sado e vogël qoftë ajo,shpërfaqjes së njohurive dhe  kuptimit më të plotë të nocioneve që ndërlidhen me demokracinë dhe liritë dhe të drejat e njeriut,në kohën kur,qoftë në botë,qoftë këtu ndër në,ato shkilen në mënyrën më brutale.I bindur se nuk ka demokraci pa respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe me njohurinë se vetëvendosja pikërisht e ka edhe burimin,edhe mbështetjen në të,mendoj se nuk mund “t’i qëndrojë kohës”dhunimi që po i bëhet vetëvendosjes në Kosovë.

Vetëvendosja(self-determination)ka lindur,në fakt,si ide filozofike, siç e shpjegon edhe Fjalori politik i Oxfordit,”në shekullin e tetëmbëdhjetë nga interesimi për problemet e lirisë dhe përparësisë së vullnetit të individit”.Ky fjalor mëson njëkohësisht se vetëvendosja”është zbatuar për çdo lloj grupi që mund të thuhet  se ka vullnet kolektiv…”,sikurse që mund të kuptohet nga ai se vetëvendosja kombëtare “ishte parimi i ‘Katërmbëdhjetë Pikave’të presidentit Wilson,që u zbatuan në copëtimin e Perandorive Austriake, Gjermane dhe Osmane pas Luftës së Dytë Botërore”.Ndërsa, është e njohur përgjithësisht se ky parim pasqyrohet edhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara,edhe në Deklaratën  mbi Pavarësinw e Vendeve  dhe Popujve Kolonialë të vitit 1960,edhe në Deklaratën mbi Parimet e së Drejtës Ndërkombëtare të vitit 1970.               
Kur e keni parasysh parimin dhe zbatimin e tij,nuk mund të jeni indiferent ndaj dukurisë që po ndodhë në Kosovë me ndjekjen dhe burgosjen e anëtarëve të një lëvizjeje që mban emrin “Vetëvendosje”dhe që angazhohet për vlerat e përgjithshme të saj dhe shtrirjen e tyre edhe në Kosovë dhe në popullatën e saj.Nuk mund të jeni indiferent veçanërisht kur dini se kjo po ndodhë në “sytë”e ndërkombëtarëve dhe me “mbështetjen”e tyre,të cilët janë këtu me mision për “të ndihmuar”në “bërjen e demokracisë” dhe për “të lehtësuar”udhët “e thithjes”së lirive dhe të drejtave të njeriut për të cilat “angazhohen”dhe në të cilat “përbetohen”.Ata shumë mirë e dinë se parimi i mosdiskriminimit është një prej atyre parimeve që janë me shumë ndikim në jetësimin e të drejtave të njeriut.Ai parim,në të vërtetë,shprehet  në faktin se njeriut nuk mund t’i  mohohen të drejtat e tij “vetem pse posedon ndonjë veti të lindur…ose që kjo veti e tij e lindur është fryt  i deklarimit të lirë”.Prandaj,nuk mjafton që “të zotohesh”për mosdiskriminimin  e  “të lejosh” diskriminimin.               

Eshtë një numër i madh argumentësh historike,politike dhe juridike-konstitucionale që e profilizojnë të ardhmen e Kosovës dhe pozitën e saj politiko-shtetërore,po sikurse që sugjerojnë mënyrën adekuate nëpërmjet së cilës do të mund të realizohej mëvetësia socio-politike e saj.Ndër ato argumente,përnga pesha në vend të parë është e drejta e vetëvendosjes së popullit të Kosovës për të ardhmen e tij.Në fakt,Kosova paraqet çështje të vetëvendosjes së popullit shumicë të saj,sepse e drejta e vetëpërcaktimit “i takon edhe si e drejtë e vetëvendosjes kombëtare edhe si e drejtë e vetëvendosjes së popullatës së territorit të individualizuar”.Kosova përfaqëson sot një realitet nacional demografik dhe territorial të popullit mbi dymilionësh,me “një individualitet historik,gjeografik,nacional-strukturor dhe politik” dhe si një “rajon politiko-territorialisht i individualizuar në Ballkan”,gëzon të drejtën e vetëvendosjes.Pra,projekti për “bërjen”e Kosovës një shtet të pavarur mbështetet pikërisht në të drejtën e vetëvendosjes së popullatës shumicë të saj.Përballë “projektit shqiptar”qëndron “projekti serb”për Kosovën,i cili mbështetet “në mite”. Mirëpo,qëndrimet posesive serbe ndaj Kosovës që i referohen historisë janë dyfish të pathemelta.”Së pari,janë të pathemelta në aspektin metodologjik të cilësimit të karakterit kombëtar të territorit”.Ndërsa,”së dyti,qëndrimet posesive të përmendura janë të pabaza edhe në aspektin e së vërtetës materiale historike,meqë Kosova,përkundër pohimeve me karakter të tillë,nuk është as djep i popullit serb,as djep i shtetit serb”.
Kosova është nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar dhe po “përpiqet të dalë”nga “një rreth i mbyllur”në të cilin gjendet ç’prej se “i është suspenduar qeverisja” institucioneve të saj.E ardhmja e Kosovës nuk “mund të ndërtohet”pa njohjen e të drejtës për vetëvendosje popullit të saj.E ardhmja e Kosovës nuk mund “të kërkohet”me ide dhe koncepte që e kundërshtojnë këtë të drejtë natyrore dhe legjitime të popullit shumicë të Kosovës. Prandaj,nuk ka se si të mos jetë irituese dhe neveritëse “ndjekja” dhe “burgosja”e vetëvendosjes.Jam i vetëdijshëm  se ky shkrim “nuk do ta ndalë”as “ndjekjen”dhe as “burgosjen”e vetëvendosjes,po sikurse që nuk e kishte “ndalë”as një “sqarim”i imi profesional “ndjekjen”dhe “burgosjen”e shqiptarëve viteve të nëntëdhjeta,kur ata  ngrisnin dy gishtërinj dhe për këtë dënoheshin “për  kundërvajtje”.Por,ndoshta do “ta vrajë”ndërgjegjën e atyre që “urdhërojnë”ndjekjen dhe burgosjen e vetëvendosjes sot në Kosovë.Thelbi i problemit të  Kosovës është pikërisht mosnjohja e të drejtës së popullatës së saj  për vetëvendosje.Duke “ndjekur”dhe duke “burgosur” vetëvendosjen,ne sikur edhe vetë po e mohojmë këtë të drejtë ,të prononcuar edhe në dokumentet ndërkombëtare.               

Liria dhe e drejta e njeriut realizohet me të drejtën e shprehjes së tij,e jo me dhunimin e saj.Prandaj,me të drejtë thuhet se “përkufizimi i demokracisë” është më i lehtë se jetësimi i saj,po sikurse që thuhet se “midis fjalës dhe asaj që tregon ajo,midis emrit dhe objektit,largësia është e madhe”.Lista e termave që “i kundërvihen”demokracisë është shumë e madhe dhe ajo,hapet me tiraninë,despotizmin dhe diktaturën,për të vazhduar me absolutizmin dhe autoritarizmin dhe për të përfunduar me totalitarizmin dhe demokracinë.Kosova dhe shqiptarët,në historinë e tyre më të largët dhe më të afërt,janë ballafaquar me shumicën e dukurive antidemokraci.Me vendosjen e Kosovës nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar është thënë se “era e historisë ka ndryshuar drejtim”dhe se “fryn vetëm drejt demokracisë”.Se sa “ka ndryshuar drejtim”dhe se sa “fryn vetëm drejt demokracisë”do të thotë vetë historia.Por,për gjykime të drejta,historisë “i duhet”një “distancë kohore”.Gjykimi mund të vonojë,por realiteti nuk mund “të shtremërohet”.E drejta dhe padrejtësia janë shumë të skajshme njëra me tjetrën.Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur e drejta devijohet.