(Skicë për ese politik)


Kosova ndien nevojën për ndryshime të mëdha në qeverisjen e vendit dhe për këtë kërkohet “gatishmëri e të gjithëve”. Ndryshe nuk mund të përballohen sfidat me të cilat po ballafaqohet sot Kosova: as mungesa e shtetit të së drejtës, as monopolet politike, as korrupsioni dhe dukuritë e tjera negative që kanë marrë përmasa shqetësuese dhe marramendëse.


Se sa janë të rëndësishme ndryshimet në Kosovë nuk flet vetëm fokusimi mbi Kosovën i vetë shqiptarëve, por edhe i ndërkombëtarëve. Fokusimi mbi Kosovën i të dytëve është, ndër të tjera, edhe  për shkak të dukurive negative që kanë shtrirje gjithnjë e më të gjerë në Kosovë.
Zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 “shihen” si një shans për të “përballuar gjendjen”.Por ato duhet që të jenë “domosdoshmërisht të lira dhe të ndershme”, nëse pretendojnë që udhëheqjet që dalin prej tyre të kenë legjitimitetin e duhur.
Në një mendim të Uinston Curçillit thuhet: “Nuk ka vlerë të thoni ne po bëjmë me të mirën që mundemi’. Suksesi arrihet “duke bërë atë që është e nevojshme”. Rrjedhimisht, pyetja që na shtrohet në prag të zgjedhjeve është: a po bëjmë atë që është e nevojshme për Kosovën?
Kushtet dhe rrethanat e tanishme në Kosovë e vështirësojnë pamjen e qartë të ardhmenisë politike të saj. “Bërja e Kosovës” një shtet demokratik dhe shtet i së drejtës është vetëm një “stacion i rëndësishëm” në atë rrugëtim të gjatë.
Me të drejtë thuhet se “zgjedhjet janë të rëndësishme, jo për atë që bëjnë, por për çka bëjnë të mundur, dhe jo për atë se si bëhen, por për faktin se bëhen”.
Kosova duhet “t’ia caktojë një çmim vetes”, përpara se këtë “t’ia caktojnë” të tjerët.Do të përparojnë vetëm ata që saktësisht dinë se çfarë duan. Objektivat e Kosovës duhet të jenë në përputhje me mundësitë e saj. Për të “ecur përpara” duhet “kujtuar gabimet”, duhet ditur dhe duhet mësuar.
Edhe pse “zgjedhjet  vendosin kush do të qeverisë”dhe jo “ç’përmbajtje do të ketë qeverisja”, Kosova ndien nevojën pikërisht për qeverisje të mirë.
Fati i shoqërisë është që të ecë përpara, të mos qëndrojë në vend, aq më pak “të shkojë mbrapa”.Edhe Kosova duhet që të ecë përpara”, të mos qëndrojë “në vend” dhe që “të mos kthehet mbrapa”.
Kosova duhet të ruhet që bota të mos i bëjë një “trajtim të keq”. Kur bota një herë të “trajton keq”, kërcënon me rrezikun që në atë mënyrë “të trajtojë përherë”.
Sa është larg dhe sa është afër Kosova që në të “të fryejë erë e demokracisë?”.
Cdo qeveri e deritanishme e pasluftës në Kosovë është shprehur se “është”për atë që, në fakt, do të duhej “të ishte”.
Kosova ndien nevojën për politikanë me “vizion të qartë”. E vetmja mënyrë për “të parashikuar të ardhmen” është “t’i njohësh dhe të dish” se cilat janë problemet dhe, më pastaj, me përkushtim, të angazhohesh në përballimin e tyre. Një klasifikim i politikanëve që kishte bërë Veberi një shekull më parë, është aktual edhe sot.
Sipas tij, njëra kategori e politikanëve “hyjnë në politikë për t’i dhënë asaj  idetë, konceptet dhe alternativat”, ndërsa tjetra është “kategoria e politikanëve që hyjnë në politikë për të vetmin qëllim për ta marrë prej saj favoret dhe statusin social”. Kosova ndien nevojën për kategorinë e parë të politikanëve, të dytët janë “me bollëk”. Ata e kanë kuptuar politikën si “biznes privat”.
Në politikë “dobia e perceptuar keq” e individit shndërrohet në dëm të papërmisueshëm  kolektiv. Si rregull, dëmi zbulohet tepër vonë, pasi “të ketë ndodhur”.
Kanë të drejtë të gjithë ata që problematikën e zgjedhjeve e trajtojnë brendapërbrenda trekëndshit shteti- demokracia- politika. Thuhet se zgjedhjet janë një mundësi e jashtëzakonshme për “njerëzit e zakonshëm”. Këtu e ka burimin aforizmi im se “vetëm nëpërmjet zgjedhjeve, askushi mund të bëhet dikushi”.
Pse mbahen zgjedhjet?
Abraham Linkoln, sikur i përgjigjet kësaj pyetjeje, edhe pse në mënyrë të tërthortë, kur thoë:”Asnjëri nuk është i aftë  të qeverisë një tjetër, pa pëlqimin e vetë këtij”. Prandaj, ndodh që ata që zgjidhen t’i zgjedhin ata të cilët do të zgjidhen që, fundi i fundit, humb kuptimin e zgjedhjeve të vërteta.
Pretendentët për poste “duken më të mëdhenj” në fushatën parazgjedhore, se sa pasi të jenë zgjedhur në to, kur “shtiren se kanë marrë dëftesën” për poste. Në fushatën parazgjedhore, secili është aq i madh sa që “i premton elektoratit gjithçka që ai dëshiron” në mënyrë që, më pastaj pas zgjedhjeve, “t’ia merrë edhe atë që nuk ia ka premtuar”.
Cilët do të mund të ishin zgjedhësit më të mirë?
Së pari, ata që do të zgjidhnin “njerëzit më të mirë”.
Së dyti, ata që do të shihnin qartë “dallimin midis njerëzve” që do të zgjidhnin.
Së treti, ata që do të mendonin, në “mënyrë të arsyeshme”se cilët njerëz do të mund të ishin më të mirë”.
Së katërti, ata që do të vepronin “të ç’interesuar për vetën”.
Nuk ka dyshim se “sundimi i dikujt” është  më i mirë se “sundimi i askujt”. Kjo përbën “formën moderne të despotizmit”. Kjo ndoshta e ka shtyer Biçerin të pohojë se “Gjëja më e keqe në këtë botë, pas anarkisë, është qeveria”. Megjithatë, është “gjë e mençur” të zgjedhësh “një qeveri dhe ta provosh atë”; nëse ajo dështon, “pranoje sinqerisht dhe provoje një tjetër”. Pra, mbi të gjitha, “provo diçka”, është moto e qeverisjes, ndërsa këshilla më e mirë më duket se është kjo: “Arti i qeverisjes është moslënia e njerëzve për një kohë të gjatë në të njëjtin vend pune”.
Nga Tallejrandi mësohet se “Arti i vendosjes së njerëzve të duhur në vendin e duhur është kusht i parë në shkencën e qeverisjes” dhe nuk e besoj se dikush mund ta provonte të kundërtën. Ndërkaq, “arti i gjetjes së vendit për të paknaqurit, është më i vështiri”.
Sistemet e zgjedhjeve, në të shumtën e herëve, i vendos politika, e jo drejtësia. Barazia nuk është “një realitet”, por një “parim vlerash”. Po qe se në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë pretendohet barazi, duhet të pretendohet dhe “parim vlerash” që siguronë ato. Nuk mjafton të thuhet se barazia është “e kundërta e pabarazisë”, sikur se nuk mjafton të thuash  se “vlera është e kundërta e jovlerës”.Kush nuk e kupton të parën, s’mund t’i përgjigjet as të dytës.
Do të dëshiroja që në Kosovë, më në fund, “era e re” të kthejë “faqen e librit nga ardhmenia”.
Thelbi i parë i zgjedhjeve është të dish çfarë dëshiron;  i dyti të gjesh kush do ta realizojë atë”. Prandaj, “nëse do që një punë të bëhet mirë, zgjidhe një njeri që është i zënë : të tjerët nuk kanë kohë”.Kosova ndien nevojën për të parët.
Aftësia e njeriut për “qeverisje të mirë” e bën demokracinë “të mundshme”.
Qeverisja e mirë është e nevojshme jo vetëm për funksionimin normal të një sistemi, por edhe për sigurimin e zhvillimit të tij. Ndryshe, shoqëria do të ballafaqohet me shumë probleme të funksionimit të qeverisjes. Ballafaqimi i Kosovës me ato probleme shtron nevojën për një qeverisje të mirë. Zgjedhjet janë një rast i mirë për të përzgjedhur njerëzit që garantojnë qeverisje të mirë.
Edhe pse Joseph De Maistre shprehet se “Secili popull ka atë qeveri që meriton”, Goethe në pyetjen se “Cila është qeveria më e mirë?”, përgjigjet : “Ao që na mëson që vetë ta qeverisim vetën”.
Eshtë larg apo afër këtij realiteti Kosova? Ja se çfarë thotë Samuel Johnson: “There is a reciprocal pleasure in governing and being governed”(Eshtë kënaqësi reciproke të qeverisësh të tjerët dhe të lejosh që të tjerët të të qeverisin).
Të qeverisësh mirë do të thotë të “pushtetosh mirë”. Volteri e ka thënë drejtë: “Qeverisja më e mirë është ajo në të cilën njeriu i nënshtrohet vetëm ligjeve”.
Nga zgjedhjet përherë pritet të dalin “politikanë të mirë”. Në një thënie gjermane pohohet se: “Ai që don të sundojë, duhet të dëgjojë dhe të jetë i shurdhër, të shikojë dhe të jetë i verbër”. Për të udhëhequr njerëzit, “ec pas tyre”, jo para tyre. Që të bëhesh politikan i mirë duhet më shumë vendosshmëri, më shumë guxim, më shumë thellësi të mendimit dhe, ajo që nuk u pëlqen t’u thuhet politikanëve, më shumë kufizime “se sa kur je në pranga”.
Mendohet se të gjithë politikanët në fushatat parazgjedhore janë të njëjtë: “ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lum”.
Dashuria e madhe e politikanit për pushtetin është aq e madhe sa që, siç shprehet Riçard Nidhem, “pushteti është ilaçi në të cilin politikanët kapen si në grep”, për të  vazhduar se “ata e blejnë atë nga votuesit, duke përdorur paratë e vetë votuesve”.
Problemet me pushtetin lindin me shpërdorimin e tij nga qeverisësit. Prandaj, kritikat në pushtetin nuk pushojnë. Pushteti është alergjik në kritikën: sa më e ashpër që është kritika, alergjia bëhet më e madhe. Edhe pse ajo do të duhej të ishte si dëbora: sa më butë që bie, aq më shumë zë vend, aq më shumë mbetet në mendje”.
Për pushtetin “këshilla është rrallë e mirëpritur, edhe ata që e duan shumë atë, e pëlqejnë fare pak”. Një proverb i vjetër thotë shumë: “Jipni pushtetin në duar, që të shohësh kush është”.
Nuk ka dyshim se kënaqësia për pushtetin është shumë e madhe, kur keni parasysh se shumë njerëz aspirojnë ta marrin atë.Por, sa njerëzit janë,në të vërtetë, të pajisur me aftësinë për të qenë “pushtetarë të mirë?”.Ka shumë të drejtë në thënien se “ai që dëshiron të pushtetojë botën, le të mësojë të pushtetojë vetën”.Së këndejmi, edhe ai që pretendon të jetë “pushtetar i mirë” në Kosovë duhet t’i kushtojë vëmendje më shumë “të mirës së përgjithshme” se “të mirës së vet”.  Nëse pushtetari do që “njerëzit të flasin mirë për të”, ai nuk duhet të flasë “për vetën e vet”.
Kosova i kërkon ndryshimet dhe asaj i duhen ndryshimet. Në të vërtetë, një kohë tjetër  një “botë tjetër” kërkon. Për ndryshime duhet të bëjmë më shumë se ç’duam, e jo të duam më shumë se ç’bëjmë.
Kohët janë duke “u ndërruar”. Sa është duke “u ndërruar vetë Kosova?”.Në “ndërrim kohësh” kërkohet edhe “ndërrim mendjesh”. Kosoëvs i duhet ky ndërrim me qëllim që t’i mbushë “hapësirat e zbrazura të shoqërisë”, që “t’i përmbushë me aftësi të reja, duke zbuluar të vërteta të reja dhe duke u përgjigjur në pyetje të reja.
Nuk e besoj se do të ketë “dalje prej rrethit”, pa angazhimin e të gjitha kapaciteteve të shoqërisë.
Ajo që nuk do të dëshiroja që të përseritet në zgjedhjet e ardhshme janë gabimet e së kaluarës. Janë bërë gabime në të kaluarën dhe nga ato duhet të kishim  marrë mësim.
Kosova është “në garë” me kohën. E vërteta e kësaj kohe është se në Kosovë “nuk ecet me kohën”. Më në fund, duhet të kuptojmë se “vetëm me kohë mund të fitohet koha”( Only through time is conquered).
Menjanimi i shkaqeve të krizës qeverisëse  në Kosovë nuk mund të bëhet pa prodhimin e mundësive optimale për përballimin e tyre. Gabimet e “të tjerëve” nuk duhet “të  mbahen  përpara”, që “të  shihen”, e gabimet vetanake mbrapa që “të fshehen”.
Mbi votuesit bie përherë “barrë e rëndë e përgjegjësisë” për kë do të votojnë. Pyetja se për kë do të votosh, në Kosovë po bëhet për ditë e më shumë pyetja më e përhapur. Suksesi më i madh i zgjedhjeve është nëse votuesve u krijohen kushte për të votuar “ç’lirshëm”. Vetëm në atë mënyrë, ata do të munden që “kokrrën e vet” t’a hudhin në “kutinë e shpresës”.
Kosovës demokracinë nuk mund t’ia sjell askush tjetër përveç se populli i saj.Por, cili popull? Ai që ndërgjegjësohet që të votojë për “vlerat e shoqërisë” nëpërmjet të të cilave demokracia nuk mbetet vetëm një parrullë politike, por që shndërrohet në një “realitet të prekshëm”.
Zgjedhjet përherë “premtojnë” ndryshime. Në Kosovë po “ndërtohen rrugë të reja”, sepse i duhen “udhë të reja”.
Më lehtë është “të qenët demokratë” se “të bërit e demokracisë”. Kosova ka kaluar nëpër një rrugë në të cilën demokracia “është ndërtuar” në “rrugë jodemokratike”.
Kosoëvs i duhet një konsensus i fuqishëm i forcave politike në “bërjen e shtetit” një realitet. Në Kosovë do të përparojë ajo forcë politike që do të di saktësisht se “çka do”.
Në zgjedhje, përveç fituesve, do të ketë edhe humbës. Teoria e demokracisë e quan “tharm që i jep shpirt” demokracisë “të pajtohesh me mospajtimin”.
Shqipëria më shumë se një vjet po e provon të kundërtën.Cfarë do të ndodhë në Kosovë? Eshtë shumë më e lehtë “t’ia qëllosh se çfarë moti do të bëjë nesër” se “çfarë do të ndodhë me Kosovën nesër”.
Kosova është në kërkim të së “ardhmes premtuese”. Zgjedhjet do të jenë një mundësi e mirë, por a do të jenë edhe një realizim i mirë?
Jemi sa larg, por edhe sa afër.