T’ i cakrrojmë gotat në ndërrimin e moteve: as verbalizmi bosh politik dhe as qëndrimi pasiv nuk janë çelësa për t’i hapur dyert! Duhet të ruhemi që me heshtje të mos i marrim përgjigjet për të ardhmen tonë! Atëherë, gëzuar për kohë më të mira!

 

Ne dimë se koha ecën, por ne sikur nuk dimë të ecim me të. Nuk kemi ecur as në të kaluarën, nuk po ecim as sot me kohën. Për ne, kohët e kaluara nuk ishin tjetër, veçse  kohë të hidhura. Duke mos i ndryshuar raportet nëpër të cilat kemi kaluar deri më tash, ne sikur ende nuk kemi nxjerrë mësim të mjaftueshëm nga e kaluara jonë.


Në Kosovë kanë shpërthyer “plasaritjet partiake” rreth zgjedhjeve, ndërkohë që në Shqipëri ato janë “temë dite” edhe një vjet e gjysëm prej mbajtjes së tyre. Prandaj, një pyetje bëhet e pashmangshme: deri kur do “të shtyhemi ndërvete” ?
Historia nuk na doli zot. Megjithatë, i qëndruam rreziqeve për të “na shfarosur” si komb dhe e ruajtëm palcën kurrizore të tij. I takon së kaluarës fajësimi i Evropës, jo “për të harruar” përgjegjësitë e saj ndaj nesh, por për të ndërtuar një të ardhme
me “duart tona”. Problemi është pikërisht te “duart” dhe me “duart”.

Me cilat “duar” ta ndërtojmë të ardhmen?

Shqiptarët, kudo që jetojnë sot të ndarë e të shpërndarë, janë të kthyer “me sy e veshë” nga Shqipëria dhe këtë e bëjnë me arsye, sepse janë shumë të preokupuar me atë që po ndodhë aty, të ndërgjegjshëm se nga zhvillimet politike në Shqipëri  do të varet shumë pozita e shqiptarëve jashtë kufijve të tashëm administrativë të saj. Në të vërtetë, pyetja që shtrojnë shqiptarët sot është: “Ku vete Shqipëria”? Në fakt, nga një pyetje e përgjithshme, mund të shtrohen tri pyetje të veçanta: e para, cilët janë shkaktarët e gjendjes së tashme; e dyta, çfarë masash duhet të ndërmerren që ajo gjendje të “kapërcehet” dhe, e treta, cila do të jetë e ardhmja e saj.
Shkaktarët e gjendjes së tashme as nuk duhet t’i kërkojmë dhe as s’mund t’i gjejmë jashtë “ngërçit politik” që e ka mundur Shqipërinë. Për mungesë të gatishmërisë
së forcave politike për të “ecur të bashkuara” drejt Evropës, ajo e ka vënë Shqipërinë në “sallat e pritjes”. Nuk dihet se kur do të dalë prej tyre.
Në krye të masave që duhet ndërmarrë në Shqipëri është funksionimi i shtetit në kuptimin juridik të tij, ku ligjshmëria paraqitet si parim qëndror në krijimin e shtetit të së drejtës.
Se cila do të jetë e ardhmja e Shqipërisë, nuk varet më ekskluzivisht dhe vetëm nga të huajt, por kryesisht dhe në rradhë të parë, varet nga vetë shqiptarët. Për ardhmeninë e vet, shqiptarët do të duhej të vendosnin vetë, po sikurse që edhe përgjegjësinë për këtë do të duhej ta merrnin vetë.
Njerëzit që e njohin historinë dhe i kuptojnë mësimet e së kaluarës, sillen më realisht në politikë: jo për t’i vënë në pyetje interesat e kombit, por të kundërten: që ato interesa t’i mbrojnë me mençuri.

Të ruhemi nga “autogolat”

Shqiptarët janë para detyrës që të bëhen “pjesë e qytetërimit perëndimor”, më konkretisht që të bëhen “pjesë e Evropës”. Gjatë ecjes nëpër këtë udhë, ata do të duhej të ishin shumë të kujdesshëm. Në mënyrë të veçantë do të duhej të ruheshin nga “autogolat” , pra golat që do t’i bënin vetes. Mjerisht, shumë autogola ata kanë bërë në të kaluarën. Por nuk mund të arsyetohen për  autogolat e tashëm.

Model sesi nuk do të duhej të ndodhte demokracia

Zgjedhjet në Kosoë janë një model  se si nuk do të duhej të ndodhte demokracia. Më mirë, zgjedhjet në Kosovë dëshmuan se si mund të dhunohet demokracia.
Në Kosovë  të gjithë vodhën” dhe “të gjithë u vodhën”. Kështu vazhdon të thuhet për zgjedhjet në Shqipëri në qershorin e 2009-it. A thua jemi aq shumë “vjedhacakë”, sa që të krijojmë përshtypjen se nuk mund “t’i fitojmë” votat ndryshe, nëse nuk i “vjedhim” ato. Apo ndoshta kështu e kemi kuptuar demokracinë”: se të jep sa mund të marrësh prej saj”.
Shqiptarët që, një kohë më të gjatë, po merreshin me korrigjimet e gabimeve të veta që kanë bërë në të kaluarën, vazhdojnë të bëjnë gabime të reja. Dihet se shumë më vështirë përmisohen gabimet e së kaluarës sesa bëhen gabime të reja, prandaj  i bëjnë të rejat.
Ne vazhdojmë të merremi shumë me vetëveten, në vend se të merremi me të tjerët që vazhdojnë të na përulin si komb.Por, edhe ne vetë e përulim kombin tonë, me veprime të ulta. Marrja e vazhdueshme me vetëveten do të thotë pranim i logjikës vetëshkatërruese dhe shmangie nga synimi i vërtetë, nga realizimi i interesave të kombit.

Difekti më i madh me partitë tona është që interesin e partisë  e kanë vënë mbi interesin e shtetit dhe të kombit.

Ato sikur t’i bajnë nga një palë duqë: gabimet e partisë së vetë  i qesin prapa, në mënyrë   që t’i fshehin,  ndërsa gabimet e partive të tjera i qesin përpara, në mënyrë që t’i shohin. Kështu as nuk ndërtohet  shteti dhe as  nuk forcohet kombi. Ndershmëria vetanake nuk mund “të mbrohet” me pandershmërinë e tjetrit.
Cfarë u mungon forcave tona politike?
Së pari, bashkërendim veprimesh.
Së dyti, pjekuri dhe maturi politike.
Së treti, dije profesionale dhe guxim intelektual.
Së katërti, formësim dhe shkathtësi diplomatike.
Shqiptarët asnjëherë më parë nuk kanë pasur më shumë njerëz të dijes dhe të gatshëm që të ndihmojnë çështjen, por asnjëherë në shoqërinë shqiptare nuk ka pasur shpërfillje më të madhe të tyre. Atëherë, e përsërisim pyetjen: me cilat duer të ndërtojmë të ardhmen?
Më shumë se njëqind vjet më parë, Veberi kishte diferencuar dy kategori politikanësh: ata që hyjnë në të për t’ia dhënë idetë dhe alternativat, dhe ata që hyjnë në të për “të marrë” prej saj. Shqiptarët kanë nevojë për të parët. Të dytët i kanë me bollëk.

Shqiptarët sikur ende nuk janë ndërgjegjësuar për peshën e kohës që po i rëndon.

Vështirësitë në raportet e deridjeshme të ndërvetshme të shqiptarëve mund të përballohen vetëm nëpërmjet të ndërtimit të modelit të veprimeve të përbashkëta “në interes të shtetit” dhe “në interes të kombit”. Po cilat forca mund ta bëjnë këtë? Vetëm ato forca që sinqerisht janë për shtetin dhe për kombin. Kurrsesi këtë nuk mund ta bëjnë ato forca që janë “për veten e tyre”.
Prandaj shqiptarëve u duhet të kalojnë nëpër një periudhë të vetëdijësimit për t’i vënë interesat e shtetit dhe të kombit mbi çfarëdo interesi tjetër.
Eshtë fatkeqësi e madhe nëse “nuk i duhemi njëri-tjetrit” dhe nëse e “përjashtojmë njëri-tjetrin”, sikurse që jemi duke bërë.  Njeriu mund t’i rezistojë pothuaj se gjithçkaje kur është i bashkuar.
Dhe sërish të kthehemi te zgjedhjet.          

Me 12 dhjetor 2010 në Kosovë ndodhi farsa e zjedhjeve

Më pastaj, u numëruan votat.Ato vazhdojnë sërish të numërohen dhe duket se askush nuk do t’i ketë  “rrobat për shtati”. Po pse ndodhë kështu? Dikush është i prirur të thotë sepse kështu kishte ndodhur edhe në Shqipëri  dhe se “vjedhja e votave” tashmë është shndërruar në një “specialitet shqiptar”.
Përgjigjen duhet ta kërkojmë në faktin se ata që është dashur  të zgjidhen, kanë zgjedhur ata që do t’i zgjedhin.
Mirëpo, ndër shqiptarët “nuk dhembin”  vetëm zgjedhjet. Më shumë “dhemb” trendi që të manipulohet me të gjitha dhe papërgjegjësia për manipulime, ndërkohë që “i këndohet” shtetit të së drejtës dhe “sundimit të ligjit”, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.
Shqipëria dhe Kosova kanë para vetës shumë detyra të papërmbushura, me pretendime që  të bëhen “pjesë e Evropës”. Po “Evropë” janë bërë edhe Shqipëria, edhe Kosova, qoftë me “rrezikimin e demokracisë”, qoftë me “dhunimin e shtetit të së drejtës”. Problemi është se si të “ç’bëhen” për “t’u bërë” njëherë e mirë “shoqëri të shëndosha dhe të mirëpritura.

Një pyetje ende mbetet pa përgjigje: a jemi ne përgjegjës që kemi shoqëri, çfarë kemi, apo  shoqëria është përgjegjëse,  që ne jemi, çfarë jemi?

Edhe dy vjet Shqipëria do të kremtojë njëqindvjetorin e pavarësisë. Më 17 shkurt 2011, Kosova mbush tri vjet “të qenët e pavarur”, ndërkohë që “ruajnë diçka të përbashkët”: paaftësinë, në Shqipëri “për të mbajtur shtet”, në Kosovë “për të ndërtuar shtet”.    
Asnjëherë ndër ne përgjegjësia dhe papërgjegjësia nuk kanë qene më afër njëra-tjetrës. Përgjegjësi është të bësh atë që nuk duhet të bësh; papërgjegjësi është të mos bësh atë që duhet të bësh.
Ne mendojmë gabimisht se jeta “na mbetet borxh”, në vend se të mendojmë se ne i mbetemi borxh asaj, duke bërë më pak se ç’duam, e duke dashur më shumë se ç’bëjmë. Prandaj, gjysma e jetës sonë  është përmbushur me dëshira, e gjysma tjetër me pakënaqësi për  mospërmbushjen e tyre.                        

Aftësitë që na mungojnë

Ne shqiptarëve vazhdojnë të na mungojnë tri aftësi.
E para, për ta kuptuar realitetin që na rrethon dhe për të marrë një qëndrim të drejtë ndaj tij.
E dyta, për të kuptuar fuqinë tonë dhe për ta matur atë me fuqinë me të cilën mund të përballemi në përpjekjet tona në të ardhmen.
E treta, për të kuptuar se kush është sinqerisht me ne dhe kush na mbështet  në objektivat tona.
Ne vazhdojmë ende “të përkundemi” në “djepin e ndërkombëtarëve”. Se deri kur do “të përkundemi në të” nuk do të varet prej atij që e “përkund djepin”, po prej atij që “përkundet në djep”.
Më shqetësojnë zotimet politike se  “nuk do të lejojmë të ndodhë” atë që tashmë ka ndodhur ose që po ndodhë.

Të gabosh e të mos korrigjohesh do të thotë të gabosh tamam.

Rendimentet në politikën shqiptare  janë shumë të ulta. Merrni me mend: sikur politikanët të paguheshin sipas rezultateve të punës, do të bëheshin rast social!
Disa nga ata që do të duhej të heshtnin- flasin, ndërsa disa nga ata që do të duhej të flisnin –heshtin. Ky difekt i politikës është vështirë i riparueshëm. Politika nuk është “zeje që mësohet”, por talent e shkathtësi që lind e zhvillohet.
Ndër ne shqiptarët ditët vijnë e ikin, ndryshimet ndodhin, e progresi nuk duket! Më shqetëson mendimi se “Gjithçka mund të degjenerohet nëse nuk përparon”, edhe pse më “mban gjallë” një mendim tjetër se “Ajo që rritet ngadalë, i reziston kohës”.  

Cila strategji u mungon sot shqiptarëve?

Si të ecin “bashkë” të ndarë?
U mungon “qëndresa e përbashkët”.
Kjo ma kujton Konicën se “tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak”!
Shqiptarët nuk duhet “ndalur mbrapa”, sepse “të ndalurit mbrapa, mbyllë sytë përpara”.
Për të ecur përpara, duhet t’i  përcaktojmë edhe përparësitë, edhe bartësit, edhe afatet për të mbërritur në cakun e duhur.
Për të arritur në cakun e duhur, na duhet më shumë miqësi sesa armiqësi. “Të sillesh armiqësisht me të tëndin, është njësoj sikur t’ia vësh zjarrin shtëpisë sate”.
Nëse jemi vonuar, a duhet të vrapojmë?
Duhet pasur kujdes se në cilën rrugë jemi, sepse “ç’vlerë ka të vraposh, nëse je në rrugë të gabuar”.

Cilat do të duhej të ishin rrugët nëpër të cilat do të duhej të ecnin shqiptarët?

E para, në rrugën: jo partia, përpara dhe, mbi të gjitha, por shteti dhe kombi, para së gjithash dhe, mbi të gjitha.
E dyta, në rrugën që “shtetin e së padrejtës” e zëvëndësojnë me “shtetin e së drejtës”.
E treta,  në rrugën që, krahas rritjes së popullit, nuk lejojnë tkurrjen e kombit.
E katërta, në rrugën që “ndjek  kohën”, sepse mund të vijnë kohët  kur nuk do të ketë më kohë ta bëjnë këtë!
E pesta, në rrugën që fatin e tyre e përcaktojnë vetë, e jo të tjerët, sepse nuk ndërtohet më mirë më duart e huaja sesa me duart tua!