(Fjalë e mbajtur në akademinë përkujtimore për Adem Jasharin, Teatri Kombëtar,6 mars 2011)

Zonja dhe zotërinj,
Musafirë të nderuar,
E nderuara Familje Jashari,
Jam shumë i nderuar me kërkesën Tuaj që, krahas kryeparlamentarit Krasniqi, të flas në këtë akademi përkujtimore.
Cdo mëngjez të 5 marsit e marr në dorë  “Mozaikun Informativ” mbi Jasharët – Histori të një Qëndrese. Edhe dje u zgjova me të në dorë, jo për të mësuar(sepse tashmë e ka mësuar çdo shqiptar), por për të përkujtuar rrethimin e tretë vendimtar që i kishte bërë “makineria e rëndë (serbe)  e luftës” Prekazit dhe Kullës së Jasharëve; për të përkujtuar rënien heroike të një familjeje të tërë “në mbrojtje të nderit të saj, të kombit dhe të atdheut”.

 

Prandaj, mblidhemi sot këtu, në akademinë përkujtimore, edhe pse nuk “ulemi të gjithë në një sofër”, në një ditë të shënueshme për popullin dhe për kombin tonë, në  nderim të të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës.
Sot përkulemi para varrezave të dëshmorëve të popullit e të kombit, përkujtojmë trimërinë dhe sakrificën e tyre për ta shkruar një faqe të re në historinë tonë, për nxitjen, zhvillimin dhe përshpejtimin e proceseve për liri e pavarësi të Kosoës dhe të shqiptarëve.
I prirur që çdo fjale time t’i prijë një moto, për sot kam përzgjedhur këtë:Aty ku nuk ka ushtri, aty nuk ka as luftë; aty ku nuk ka luftë, aty nuk ka as fitore.     
Kësaj motoje i konkuron dhe një moto tjetër: trimëria asnjëherë nuk del prej modës; Jasharët asnjëherë nuk dalin prej historisë.
Shprehja letrare, poetike e figurative, ndonjëherë më duket shpëtim për t’iu shmangur fjalorit të përditshëm dhe të merzitshëm politik. Sot shkruajnë poetët, këndojnë rapsodët, sepse ata “ia thonë më së miri”dhe e “qëndisin më së miri” këtë ditë.
Kjo ditë të lidhë logjikisht më 28 Nëntorin e vitit 1955, ditëlindjen e legjendarit Adem Jashari, por dhe me shfaqjen, në varrimin e mësuesit Halit Geci, të një formacioni të uniformuar që “të pabesueshmen e bëri një realitet.  
Ushtria Clirimtare e Kosovës “doli në skenë” në kohën kur ende “shikoheshim para pasqyrës” se “çfarë të zgjidhnim ndërmjet robërimit të ri dhe mobilizimit kombëtar për liri”. Krijimi i UCK-së  shënoi perëndimin e kohës kur thuhej se: ”Serbia ka forcë, por nuk ka popull, për ta mbështetur që Kosova të mbetet në Serbi, ndërsa Kosova ka popull, por nuk ka forcë, për ta jetësuar pavarësinë e  saj”.
Dhe ishin pikërisht Jasharët, me Ademin në krye, të parët që kishin vendosur “t’ia kthejnë pushkën” policisë serbe. Si të mos ndodhte kështu, si thuhet te “Historia e një Qëndrese”, kur “ndjenja patriotike dhe ndjenja e sakrificës ishin kultivuar në mënyrë shembullore në Kullën e Jasharëve”. Aty këndohej: “Ma mirë n’dhe me u kja me mallë, se nën shkja me ndej për t’gjallë”.
C’është e vërteta, “liria ishte obsesion i Adem Jasharit, preokupim jetësor i tij” dhe jo vetëm i tij, por i gjithë familjes patriotike Jashari që vërtet“ i tha dhe i dha shumë Kosovës”. Ademi ishte “i pathyeshëm në bindjen e tij” se “vetëm lufta mund t’ia sjellë atë Kosovës”.
UCK-ja dhe Jasharët jetuan “në kohë shumë të liga për popullin shqiptar”, jo vetëm në Kosovë, prandaj dhe bën angazhim të jashtëzakonshëm, sepse rrethanat ishin të jashtëzakonshme, për t’i dalë zot kombit të vet, për t’ia mbrojtur identitetin dhe palcën kurrizore të tij, bën përpjekje të papara për t’a mbrojtur pragun e shtëpisë dhe vatanin.
Prandaj, nderi dhe respekti sot e përherë janë të rezervuar për ta dhe ne sot përkulemi para tyre.
Heroizmi dhe qëndresa e Adem Jasharit në Prekaz të Drenicës, që u vra “në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe të nderit të kombit”, u bë shembull i luftëtarit të lirisë, shembull që do të bartet brez pas brezi dhe do të mbetet jo vetëm “pjesë e historisë”, por do të bëhet vetë historia.Rifati dhe trashëgimtarët e tij dhe të dy vëllezërve të tjerë të tij po kujdesen që në Kullën e tyre të ruhet kujtesa dhe të mbahen në mend amanetet e të rënëve. Rifati edhe dje doli me një këshillë dhe ajo sikur ma hapi mundësinë që unë sot, me një fjali, të kthehem te fjalimi im i mbajtur, dhjetë vjet më parë, në vitin 2001, në akademinë përkujtimore të Adem Jasharit.  
Në fjalën time, në ditën e sotme, para dhjetë vjetësh, në akademinë përkujtimore të Adem Jasharit, hedha shikimin në  portretin e tij, hijerëndë nën vetulla, i mbrolur në fytyrë,  më dukej sikur pyeste: ne fituam luftën, po ju kur do ta fitoni paqen? Në shikimin e tij sikur vëreja  shqetësimin  për gjendjen në të cilën ishim. Ndërkohë, ndodhen ndryshimet në statusin e Kosovës, por nuk ndryshoi shumë realiteti përreth nesh.
Nuk e çuam në shkallë më të lartë vetëdijën për të mosvepruar jo njeri kundër tjetrit, por për të vepruar njeri me tjetrin; për ta bërë dhe për ta rrumbullakuar Kosovën si shtet.
Nuk arritëm që, në veprimet tona, t’i bëjmë bashkë trimërinë dhe diturinë, guximin dhe mendjen, formësimin politik dhe shkathtësinë diplomatike.
Thonë se respekti i të vdekurve forcon miqësinë e të gjallëve. Të vdekurit jetojnë përderisa të ketë të gjallë që mendojnë për ta.
Thonë se secila familje ka “sekretet e veta”. Familja e Jasharëve  i bëri publike “sekretet e veta” para trembëdhjetë vjetësh: u udhëhoq nga filozofia : kush dëshiron të bëjë diçka të madhe, duhet të heqë dorë nga diçka e madhe, ta sakrifikojë jetën, e ndërgjegjshme se kur të humbësh jetën për diçka të madhe, e fiton dhe e meriton përjetësinë. Prandaj, as sot dhe asnjëherë, në varrezat e Jasharëve nuk duhet vendosur “kurorat e vdekjes”; ata i meritojnë “kurorat e pavdekësisë”. Ato janë kurorat më të shtrenjta, sepse janë  më të rrallat, për shkak se në to thurren etja për lirinë dhe dashuria për pavarësinë; gatishmëria për flijimin dhe vetë flijimi. Lum ajo familje që trimërinë dhe sakrificën e saj  i ruan në përmendore, në muze, në libra shkollorë, në memoare, në histori.
Megjithë zhvillimet në tri vjetët e fundit, po jetojmë në kohën kur po  i bëhen kontestime atyre zhvillimeve. Ka përpjekje për dëmkosjen e luftës dhe të rolit të UCK-së.
Të shumtën e herëve, për ato kontestime dhe dëmkosje, kemi një përgjigje: “E drejta është në anën tonë”, pra vra mendjen se duhet ta shpërndash të vërtetën për të argumentuar se, vërtet, ai që kërkon drejtësi, nuk i shkakton askujt padrejtësi.
Kemi  lejuar që, edhe me ndonjë veprim tonin, ta zbehim imazhin tonë. Prandaj, tash në vend të ecjes normale, na mbetet “vrapimi me pengesa”.
Miku më i madh i së vërtetës është koha; armiku i saj më i madh është paragjykimi.
Mendoj se koha do t’i shuaj paragjykimet e shfaqura për UCK-në që në lindjen e saj. Nuk mund të ketë dy bindje për një të vërtetë.
Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet.
Duhet ta themi të vërtetën, në mënyrë që gënjeshtra të mos na rryej atë përbrenda.
Sipas Berholt Brehtit, gjatë kërkimit të së vërtetës, duhet të përballohen pesë vështirësi:
e para, duhet ta kesh guximin ta thuash të vërtetën;
e dyta, duhet ta kesh mençurinë për ta dalluar atë;
e treta, duhet ta kesh aftësinë për ta bërë të përdorshme;
e katërta, duhet ta kesh mendimin e qartë për ta zgjedhur, dhe
e pesta, duhet ta kesh dinakërinë për ta shpërndarë të vërtetën.
Dhe e vërteta duhet ta merr dhenë.
Nuk ka asnjë normë, asnjë parim dhe asnjë dokument të së drejtës ndërkombëtare që do të mund të kontestonte luftën e drejtë, luftën mbrojtëse, çlirimtare e kombëtare të UCK-së: përkujtoj fjalinë e njohur të Klintonit në vitin 1999: “Kriza e Kosovës ishte një gjenocid në zemër të Europës”.
E vërteta thotë se nuk ishte Kosova, por ishte Serbia, ajo që e nxiti luftën e padrejtë dhe të pabarabartë; ishte Serbia që shkeli normat, parimet dhe dokumentet e të drejtës ndërkombëtare, madje qysh kur kishte aneksuar Kosovën për disa herë: 1912, 1918, 1945 dhe 1989.   
Nuk mund të ketë dy të vërteta për një realitet që, me vonesë,  u kuptua  nga bashkësia ndërkombëtare cila ndërhyri në anën e Kosovës dhe e ndihmoi Kosovën.
E vërteta thotë se nuk ishte Kosova, por ishte Serbia, ajo që shkeli një numër të madh parimesh të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të parandalimit të përdorimit të forcës; të barazisë dhe të vetëvendosjes së popujve dhe të përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare që kishte marrë në mirëbesim.
E vërteta thotë se ishin SHBA dhe NATO- ja që mbështeten UCK-në dhe luftën e drejtë të saj.
E vërteta thotë se në luftën e UCK-së u përmbushen katër elementet thelbësore të luftës antikoloniale: një, objektivi politik i luftës së armatosur; dy, zhvillimi i luftës së armatosur kundër pushtuesit kolonial; tre, ekzistimi i organizatës së caktuar që zhvillon veprime të armatosura dhe, katër, përmasat minimale të konfliktit.Kjo është gjuha e të drejtës ndërkombëtare.
Po e theksoj këtë fakt për shkak të keqinterpretimit juridik ndërkombëtar që iu bë ndonjëherë UCK-së, si për shembull në Rezolutën nr. 1160(1998) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
E vërteta thotë se agresioni serb në Kosovë nuk mund të justifikohet as me parimin e “sovranitetit kolonial” dhe as me parimin e “mosndërhyrjes ndërkombëtare”.
Luftën e NATO-s dhe të UCK-së e mohojnë dhe e vëjnë në pyetje pushtuesi serb dhe qarqet e caktuara në një numër vendesh që e mbështesin politikën serbe kundër pavarësisë së Kosovës.
Kosova sot përballet me shumë sfida për të ardhmen e saj. Rritja e numrit të njohjeve të shtetit përbën një objektiv. Vlen të theksohet se nuk u materializua një mendim këshilldhënës i GJND-së.Shtrirja e sovranitetit
përbën një objektiv tjetër të rëndësishëm. Kujdesi për të pagjeturit etj.
Pamjen e Kosovës e “mjegulloi” Raporti i Dik Martit; e zbehen zgjedhjet; e luhaten kontestimet e institucioneve të dala nga ato zgjedhje. Shkalla e lartë e papunësisë, korrupsioni dhe dukuri të tjera, bashkë me bisedimet problematike me Serbinë, e bëjnë shumë sfiduese “perspektivën europiane” të Kosovës.
Prandaj, për ta përmbyllur fjalën po i kthehem edhe një herë nevojës për ‘t’u bërë bashkë” në veprime të përbashkëta; për të kërkuar dhe për të gjetur
udhët për daljen nga një gjendje që mund të na sillet “në rreth”, kërkesë kjo që doli edhe nga Kulla e Jasharëve.Shtylla të kësaj Kulle  sot janë Murati i Rifatit, Bekimi i Hamzës dhe Lulzimi i Ademit.  
Lavdi për Adem Jasharin dhe të gjithë të rënët e familjes Jashari!