(Fragmente nga fjala e mbajtur në Simpoziumin Shkencor ”100 vjet nga Kryengritja e Malësisë”, Tuz, 4 e 5 prill 2011)

Eshtë mirë që në përvjetorë të rëndësishëm i kthehemi  të kaluarës sonë, sado e hidhur të ketë qenë ajo. Do të ishte akoma më mirë sikur historinë e kombit tonë ta ëvshtronim në raport me të tashmen dhe me të ardhmen e tij.Nga kumtesat e paraqitura në këtë simpozium shkencor, ndër të tjera, mësuam edhe për vetëdijën kombëtare të para 100 vjetëve dhe për Kryengritjen e Malësisë si një hap i rëndësishëm drejt pavarësisë. Po ku jemi sot? Kjo është pyetja që do të duhej ta shtronim,  duke pasur parasysh se sot jemi më mirë se që ishim para 100 vjetësh, por se ende nuk jemi aty ku mendonim se do të mund të ishim pas 100 vjetësh.


Vitin tjetër do të festojmë edhe një përvjetor të madh: 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë; do të festojmë një ëndërr të 1912- tës, e jo një realitet të 1913-tës.Atëherë, si “të ecim bashkë” të ndarë?
Kryengritja e Malësisë së Madhe sot “na bëri bashkë” në përkujtim të saj, po sikurse që “bëhemi bashkë” për çdo 28 nëntor, për të “mos harruar” se jemi shqiptarë! Kryengritja e Malësisë na kthen në politikën kombëtare të para 100 vjetëve. Po ç’politikë kombëtare kultivojmë sot, nëse lejojmë që, megjithëse rritemi si popull, të tkurremi si komb.
Shqiptarët këtu jetojnë në trojet e veta etnike, në një rrip të pandërprerë territorial me shqiptarët e tjerë në Ballkan. Jetojnë në afër 250 km2, pa vetëqeverisje lokale sipas standardeve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe  të diskriminuar kombëtarisht, ndërkohë që , për shembull, në Kosovë, komunat me shumicë serbe “lindin si këpurdhat pas shiut”.
Po ta pararafrazoja një fjali timën nga akademia përkujtimore për Adem Jasharin më 6 mars 2011, kur ai sikur  pyeste: ne e fituam luftën, por ju kur do ta fitoni paqen, edhe Dedë Gjo Luli e Mehmet Shpendi, sot do të mund të pyesnin: ne u ngritëm në kryengritje  para 100 vjetësh, por ju çfarë bëni sot?
Vërtet ka perënduar koha kur tregonim me gisht nga Evropa. Sot gishtin duhet ta kthejmë nga vetja jonë. Sepse nuk kemi përgjigje tjetër, përveç se : Shqipëria kombëtarisht e cunguar; Kosova, shtet me sovranitet të kufizuar; shqiptarët në Mal të Zi kombëtarisht të pakonsoliduar; shqiptarët në Kosoëvn Lindore nga të huajt të sunduar; shqiptarët në Maqedoni nga të drejtat kolektive kombëtare të privuar; shqiptarët në Turqi pothuajse të asimiluar; Camëria gati e harruar; mërgata shqiptare partiakisht e shpartalluar; diplomacia shqiptare e paunifikuar dhe politika shqiptare kombëtarisht e pandërtuar.
Sfidat e kohës nuk do të jenë as të lehta dhe as të pamundimshme.Na duhet një qëndrim kombëtar ndaj realitetit që na rrethon. Na duhet që të ulemi në sofra kombëtare para se të negociojmë në tryeza ndërkombëtare.   
Nuancat më të reja të zhvillimeve politike kërkojnë pozicionime më të zhdërvjellta të shqiptarëe, edhe në Mal të Zi.Ky përvjetor është festuar mbrëmë në po këtë sallë nga “pushteti lokal”. Ka një mospajtim të popullatës me strukturat pushtetore, ka një hasmëri midis tyre. Mbaj para vetës një këshillë: Të armiqësohesh me  tëndin, është njësoj sikur t’ia vesh zjarrin shtëpisë sate!
Janë tri shkronja të mëdha “GJ” që nuk duhet të na lejojnë që “ta harrojmë alfabetin tonë”: gjaku, gjuha dhe gjeografia. Nëse kemi një gjuhë, atëherë duhet të flasim me një fjalor!
Jemi “hapur”, por nuk jemi bërë bashkë.
Nuk kemi gjetur një strumbullar rreth të cilit do të duhej të silleshim.
Kemi një kauzë, e sillemi sikur të kishim gjashtë çështje.
Kemi krijuar dy shtete, me një pikë të përbashkët: paaftësinë në Shqipëri për ta mbajtur shtetin; në Kosovë për ta bërë shtetin.
Mund të shtrojmë disa pyetje për ta përballuar gjendjen:
A mund ta analizojmë udhën e kaluar? Po.
A mund të nxjerrim mësim pres saj? Po.
A mund t’i përgjigjemi pyetjes se cilat aftësi na kanë munguar? Po.
A mund të përcaktojmë një strategji dalëse për ta përballuar gjendjen? Po.
A do të duhej të ndryshonim raportet nëpër të cilat kemi kaluar deri më tash? Po.
Atëherë, nëse i dimë përgjigjet, pse i shtrojmë pyetjet?