E tashmja e Kosovës nuk mund të kuptohet pa të kaluarën e saj,po sikurse që edhe e ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohet pa njohjen e realiteteve të së tashmes së saj.Konteksti më i gjerë i zgjidhjes së çështjes së Kosovës flet se në shembullin  e Kosovës bëhet fjalë për konflikt etnik për territor.Zgjidhja e konflikteve etnike për territore përherë bart më vete përmasat regjionale dhe ndërkombëtare.Jashtë atyre përmasave nuk mund të vështrohet dhe as të shtrohet problemi i Kosovës.


Konfliktësia shqiptaro-serbe ka historinë e vet.Prandaj,për ndriçimin shkencor të konfliktësive interetnike shqiptaro-serbe duhet që më parë t’i bëhet një vështrim sfondit historik të tyre.
Është e njohur se populli serb realizoi shtetin e tij nacional para kombit shqiptar në Ballkan.Arsyet për këtë mund të kërkohen dhe të gjinden në rrethanat historike më të favorshme për serbët,”falë kontekstit të fuqive ndërkombëtare,ku përfshihej përkrahja e Rusisë Cariste që u jepte popujve sllavë dhe ortodoksë në Ballkan”.Përveç kësaj,kihet parasysh edhe distanca më e theksuar etnike në sajë të fesë ndaj etnikumit turk në Perandorinë Osmane. Për pasojë,nacionalizmi dhe ekspansionizmi shtetëror serb u shfaq nëpërmjet “vërsuljes në tokat e huaja”,e në rend të parë “nëpërmjet atakimit mbi tokat kufitare me shumicë etnike shqiptare,të cilat gjendeshin pa mëvetësi të tyre shtetërore në kuadër të Perandorisë Osmane”.
Principata serbe e shekullit të XIX-të,doli si “shtet më vete” në Kongresin e Berlinit,me kufij të zgjeruar me territore me shumicë etnike shqiptare të asaj kohe,por pa përfshirë edhe Kosovën.Mirëpo,atë që nuk “ia doli ta realizojë me pushtimet” para Kongresit të Berlinit,Serbia e arriti me luftërat ballkanike të viteve 1912-13,me pushtimin e Kosovës dhe të Maqedonisë.Kështu,ndodhi që lindja e shtetit shqiptar (Shqipërisë)të jetë e shoqëruar “nga paradoksi historik i copëtimit gjeopolitik të kombit shqiptar,i cili në kuadër të Perandorisë Turke gjendej nën pushtet të huaj etnik,por përbrenda kufijve të një shteti me subjekt të njohur ndërkombëtar”.Ky quhet  një paradoks historik meqë shtetet kombëtare “me logjikën e tyre inherente janë jo vetëm kornizë e shprehjes së sovranitetit kombëtar,por edhe e unitetit kombëtar në vijat dominante territoriale”.

Nga insertet e ngjeshura historike mund të konkludohet:së pari,”se konfrontimi ndërmjet kombit serb dhe kombit shqiptar në Ballkan,u zhvillua në kushte tejet të pabarabarta për kombin shqiptar”dhe,së dyti,”se kjo epërsi e pushtetit në anën e palës serbe,u përcoll si vertikale historike edhe gjatë konfliktësisë shqiptaro-serbe në kuadër të Federatës multinacionale të Jugosllavisë”.Prandaj,dhe ndodhi që Kosova të përfshihet në kuadër të shtetit serbo-kroato-slloven,të krijuar pas Luftës së Parë Botërore.Po ashtu,ajo u gjet në përbërje të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore,e formuar,siç është e njohur,si shtet federativ multinacional.
Karakteristikat specifike demografike,territoriale dhe interetnike që i shquanin shqiptarët në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore,akademik Gazmend Zajmi i përmbledh në katër,si më kryesoret,duke theksuar se ato”përkah përmasa e tyre,janë edhe karakteristika unike gjeopolitike dhe etnopolitike:gjysma e kombit shqiptar në Ballkan u përfshi brenda kufijve,si të Jugosllavisë së para Luftës së Dytë Botërore,ashtu dhe të Jugosllavisë së pas kësaj lufte;territoret jetësore të gjysmës së kombit shqiptar në Ballkan brenda kufijve të Jugosllavisë dhe të rreth gjysmës tjetër në Shqipëri përbëjnë një zonë unike territoriale në Ballkan të vazhdimësisë së shumicës etniko-territoriale shqiptare;shqiptarët në ish – Federatën multinacionale  të Jugosllavisë përbënin njërin ndër kolektivitetet nacionale më të mëdha përkah numri në mesin e kolektiviteteve të tjera nacionale,që përbënin shoqërinë multinacionale të ish-Federatës”(Kështu,ata qenë kolektivitet nacional më i madh se,bie fjala, sllovenët, maqedonët, malazezët,apo thenë më afërsisht ishin rreth dy herë më shumë se maqedonët dhe rreth shtatë herë më shumë se malazezët;shqiptarët në Kosovë,si popull dominant i saj në aspektin demografik,përbënin njëherësh rreth 2/3 e numrit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.Më gjerësisht shih studimin etnopolitik të akademik Gazmend Zajmit “Rrjedhat e konfliktësisë shqiptaro-serbe në rrafshin kushtetues të ish-Federatës multinacionale të Jugosllavisë”,Vepra 1,Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës,Prishtinë,1997).

Duke pasur parasysh këto karakteristika,akademik Zajmi me të drejtë shtronte pyetjen:”Përse një kolektvitet nacional,që përnga numri është më i madh dhe territorialisht më kompakt(Kosova)se pjesa më e madhe e kolektiviteteve të tjera  nacionale,të jetë e hendikepuar me mosbarazi politiko-institucionale në strukturën interetnike,territoriale dhe institucionale të federalizmit multinacional,nëse gjatë dekadave të mëparshme në histori,pa vullnetin e tij pësoi një hendikep me faktin e ndarjes ekzemplare gjeopolitike të kombit?
Rrjedhat e konfliktësisë shqiptaro-serbe në suaza të federalizmit multinacional,duhet të vështrohen në kuadër të historisë së institucionalizimit të federalizmit jugosllav,duke nxjerr përfundimin se deklarata politike mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës permes plebishitit pas Luftës së Dytë Botërore,në të vërtetë, nuk ishte ndonjë vendim “i sinqertë i forcave politike të Jugosllavisë”.Përkundrazi,me të,nën ndikimin dominues të faktorit serb në kuadër të trajtave të para të federalizmit polinacional të Jugosllavisë,paragjykohej fati politik i Kosovës dhe i popullit shumicë të saj.Deri tek ky përfundim arrihet logjikisht kur kihet parasysh reagimi që pësoi i forcave udhëheqëse të Jugosllavisë ndaj Rezolutës së Konferencës së Bujanit,një dokumenti të Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës në mbarim të vitit 1943 dhe në fillim të vitit 1944 që mbështeste të drejtën e vetëvendosjes,e drejtë kjo që u garantua atëherë përveç nga dy ushtritë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë dhe Shqipërisë,edhe nga Bashkimi Sovjetik,Britania e Madhe dhe SHBA. Reagimi i forcave udhëheqëse të Jugosllavisë  nënkuptonte,në të vërtetë, rrugën”për ta mbyllur mundësinë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës jashtë Serbisë”,po siç i bëri,”via facti” të pavlefshme premtimet mbi respektimin e të drejtës së vetëvendosjes për popullatën e Kosovës,për fatin politik të saj,aplikimi i gjendjes ushtarake në Kosovë nga autoritetet jugosllave pas Luftës Së Dytë Botërore.
Zhbërja e Jugosllavisë,në multinacionalitetin e së cilës përbri shtetit shqiptar(Shqipërisë),qe e përfshirë edhe gjysma e kombit shqiptar në Ballkan,do të jetë edhe sot objekt shqyrtimesh në mendimin politik.Mendojmë se vëmendja e mendimit shkencor,e mendimit politik dhe ndërkombëtar duhet të jetë e përqëndruar në vështrimin dhe analizën e lëvizjeve dhe proceseve politike institucionale dhe jashtëinstitucionale në rrafshin multinacional të hapësirës së ish-Jugosllavisë.
Po përkujtojmë se “plasaritja e parë serioze”në trungun e federalizmit multinacional të Jugosllavisë filloi në Kosovë dhe për rreth Kosovës,ndoshta edhe më drejtë,për rreth çështjes shqiptare dhe ndrydhjes së saj.Me shtypjen represive të lëvizjes shqiptare “për barazinë e Kosovës”në Federatën multinacionale”,Federata jugosllave,në fakt,”e filloi procesin e shembjes së Jugosllavisë si federatë multinacionale”.Siç është e njohur,ai proces i shembjes së Jugosllavisë u fillua “nën ombrellën e slloganit të mbrojtjes së Jugosllavisë në Kosovë”.Në fakt,tërheqja e forcave milicore sllovene “nga kuadri i njësive të bashkuara policore serbe në Kosovë”mund të konsiderohet, kushtimisht,si “goditje e pare”institucionale ndaj Federatës multinacionale të Jugosllavisë,edhe pse,në të vërtetë,goditjen vendimtare institucionale dhe jashtëinstitucionale i dha pushteti serb me angazhimin e Federatës  në shuarjen,apo thënë më saktësisht,në orvajtjen e shuarjes së kërkesës mbarëpopullore shqiptare në Kosovë për barazi të Kosovës në Federatën multinacionale.Edhe nga kjo distancë e kohës,mund të shtrohet pyetja:”si mund të ishte kërkesa për barazi në Federatë,sulm ndaj Federatës jugosllave?

Lansimi dhe vënia në lëvizje e slloganit se “Jugosllavia mbrohet në Kosovë”kishte,më së paku,dy arsye.E para,për të pasur një arsyetim “para botës ndërkombëtare”për viktimat njerëzore në Kosovë.E dyta,për të arsyetuar instalimin e gjendjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.
Edhe pse do të mund të bëhej fjalë edhe për ndonjë faktor tjetër,gjenerator i parë dhe ndoshta primar i zhbërjes së ish-Federatës së Jugosllavisë ishte kryqëzimi i kësaj federate me çështjen shqiptare në Ballkan.Rrënimi i dhunshëm i subjektivitetit politik kushtetues të Kosovës përmban një kryqëzim të autonomitetit ndaj Serbisë dhe federativitetit participativ dhe konstitutiv ndaj Federatës multinacionale dhe ai ishte njëkohësisht rrënim i subjektivitetit politiko-kushtetues të popullit shqiptar në Jugosllavi,si gjysmë e kombit shqiptar në Ballkan.
Çdo analizë e thuktë politikologjike do të tregojë për padrejtësitë ndaj kombit shqiptar në Ballkan që,vështruar edhe aktualisht,përbëjnë të hapur nukleusin e jostabilitetit të lartë në planin ndërkombëtar.Prandaj,në kuadër të përvijimeve të çfarëdo koncepti për paqe stabile në Evropën Juglindore nuk mund të largohemi nga pyetja se ç’është ajo që,në esencë,e shkaktoi luftën në hapësirën e ish-Jugosllavisë,për t’u ndalur tek pyetja tjetër se ç’është ajo që e determinoi represionin deri në përmasa të gjenocidit serb në Kosovë?
Nëse e dimë përgjigjen në këto dy pyetje, do ta dimë edhe rrugën e paqës.Rruga e paqes është njohja e realiteteve në Kosovë,mbi njohjen e të drejtës së popullatës së saj për të jetuar në territoret e veta me ligjet e veta,pra e drejta e Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur.Fuqizimin e mëtejmë të çështjes së Kosovës e sfidon pikërisht koha në rrjedhë.Kjo kohë kërkon që,më në fund,në Kosovë,të vendoset përputhje e plotë në mes të cilësisë dominante të një territori me tipare të mëvetësishme me cilësinë dominante etnike të pushtetit.Mbi atë bazë,kërkohet që në rrafshin socio-psikologjik,të ndryshohet një gjendje e panatyrshme dhe të formësohet vullneti i popullit të një territori që të bëhet zot i vetes në truallin e tij jetësor,zot i fateve të veta kombëtare. 

Po e përfundojmë.Çështja e popullit dhe e teritorit të caktuar nuk paraqet më vetëm çështje objektive me potenca të mundshme të aktualizimit politik dhe ndërkombëtar,por  duke u bërë çështje etniko-territoriale,me realitet të fuqishëm në rrjedhat e kohës,me koordinata të gjera hapësinore kombëtare dhe ndërkombëtare,kërkon dhe prêt zgjidhje të drejtë dhe të plotë.E tillë është çështja e Kosovës dhe ajo nuk mund as të kundrohet dhe as të shtrohet ndryshe.