Përgatitja dhe hartimi i kushtetutës duhen të ndodhin aty ku e kanë vendin: në Kuvendin e Kosovës
Ekipi Negociator i Kosovës është deklaruar “në favor të përshpejtimit të hartimit të kushtetutës së re të Kosovës”. Mirëpo, përpara se këtë ta kërkonte Grupi Negociator,do të duhej ta bënte Kuvendi i Kosovës.  


“Debati për kushtetutën”ka filluar përpara se puna e hartimit të saj “të adresohet”aty ku e ka vendin:në Kuvendin e Kosovës.

Fakti se kushtetuta është “shprehje e vullnetit të popullit sovran”,ajo drejtpërsëdrejti buron prej tij.Kështu do të duhej të ndodhte dhe me Kushtetutën e Kosovës.Ajo që nuk do të duhej të ndodhte është që Kushtetuta e Kosovës “të burojë nga procesi negociator”,në mënyrë që të mos gjymtohet vullneti i popullit ,”i rikonfirmuar” me një akt në Kuvendin e Kosovës.
Përgatitja dhe hartimi,po sikurse dhe miratimi i Kushtetutës së Kosovës nuk mund “të rrëshqasin”prej kornizave dhe procedurave përgjithësisht të njohura.Kushtetuta nuk përbën një “ligj të thjeshtë”,por një “ligj themelor”.
Kosova për herë të parë ballafaqohet “me mundësinë që të jetë shtet i pavarur dhe sovran”.Prandaj,puna në përgatitjen,hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kosovës kërkon një qasje serioze profesionale e shkencore kulmore,rreth së cilës duhet të mblidhen specialistë të të gjitha fushave,e jo vetëm një grup i kufizuar ekspertësh rreth Grupit Negociator.
Në të gjitha aktet më të larta juridike,pra në aktet kushtetuese,populli përkufizohet si “mbajtës i sovranitetit”.Ushtrimi i sovranitetit nga populli bëhet në forma të ndryshme.Ato janë,në të vërtetë,format e pjesëmarrjes së popullit në qeverisjen e vendit.Në parim,populli e ushtron sovranitetin “nëpërmjet përfaqësuesve të tij”.Duke i zgjedhur përfaqësuesit e tij në Kuvend,ai “iu delegon atyre pushtetin”për të nxjerrë aktet dhe “për të përcaktuar politikën e shtetit”.
As nxjerrja e akteve dhe as përcaktimi i politikës së shtetit nuk mund të tjetërsohen prej Kuvendit.Aty ndodhin dhe duhen të ndodhin të dyja veprimet.
Edhe pse Kosova është e përfshirë në procesin negociator, edhe pse ka emëruar një Grup Negociatorësh,Kuvendi është organi më i lartë përfaqësues të cilin nuk mund ta zëvëndësojë asnjë trup,qoftë ai edhe i mandatuar prej tij,në përgatitjen dhe hartimin e Kushtetutës së Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës duhet të burojë “nga vullneti i popullit”dhe jo nga “procesi i negociatave”.Ndryshe,do të bëhej “peng” i tyre.