(Në trevjetorin e Kushtetutës së  Republikës së Kosovës)

Kosova këto ditë shënoi, por nuk kremtoi trevjetorin e Kushtetutës së saj. Me rastin e trevjetorit, më shumë se sa për rëndësinë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, u fol dhe u shkrua  për shkeljen e saj. U dëgjuan zëra edhe për ndryshimin e domosdoshëm të saj.


Vështirësitë në bërjen e shtetit të Kosovës vërtet janë të mëdha. Vështirësitë më të mëdha janë pasojë e ushtrimit të kufizuar të sovranitetit. Kosova është e kufizuar në një numër dimensionesh që parashihen në Planin e Ahtisarit i cili është bërë ‘pjesë përbërëse’ e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, madje edhe duke ia marrë primatin e të qenët ‘akt më i lartë juridik i shtetit’. Me këtë dokument, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar është pushtet kryesor, me autoritete të gjëra ekzekutive që e bëjnë të jetë superior ndaj organeve të zgjedhura të Kosovës. Njëkohësisht,   është autoritet i fundmë i interpretimit të Planit të Ahtisarit, ndërkohë që vetë Plani i Ahtisarit përbën ‘bazën kryesore’ të përkufizimit të sovranitetit  të Republikës së Kosovës. Prandaj, edhe vetë Deklarata e Pavarësisë ishte, në fakt:
së pari, një ‘përshkrim i obligimeve’ që kishte marrë shteti i Kosovës
nga Plani i Ahtisarit;
së dyti, një ‘akt i kufizuar me  kushte, obligime dhe rezerva’, shumica e të cilave kishte të bënte me pakicën serbe;
së treti, një ‘dokument i përmbushur me përkushtime për konsultime, respektim e dëgjim ndaj ndërkombëtarëve’.
Qysh me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, para tri vjetësh, kisha theksuar si tri defekte më të mëdha të saj:
e para,  shprehjen e Kosovës si ‘shoqëri multietnike’, përkundër strukturës etnike dhe demografike të popullit të saj;
e dyta, tkurrjen e entitetit kombëtar shqiptar, me ‘heqjen dorë ose fshirjen nga kujtesa e vlerave të trashëguara kombëtare’;
e treta, ndalesat që iu bënë Kosovës, si ‘shtet sovran’, për bashkim me një shtet tjetër ose pjese të një shteti tjetër, një qëndrim politik i bashkësisë ndërkombëtare që, padyshim, nuk do të mund t’i qëndrojë kohës.(Shih në librin ‘Rrugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve’, Forumi për Iniciativë Demokratike, Gjakovë, 2009, faqe 747).
Atëbotë kisha theksuar se, siç po zhvillohen ngjarjet, Kosova edhe për një kohë, do të merret, nga njëra anë, me interpretimin më shumë se më ndërtimin e rendit juridik, ndërsa në anën tjetër, më shumë me kërkesën për shtrirje se me shtrirjen efektive të pushtetit dhe ligjit në gjithë territorin e saj. Mendoja se ndarja faktike në këto dy plane do të mund të përbënte një ‘gjenerator negativ politik’, siç edhe u bë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, qysh nga fillimi, u sfidua:
nga një anë, me ‘barazimin ligjor të ombrellës së UNMIK-ut  në Rezolutën e pashfuqizuar 1244’;
nga ana tjetër, në ‘pozitën neutrale(të saj) karshi statusit të Kosovës’.
Parashihnja si sfidë më vete (dis)funksionalitetin e administrimit të Kosovës, nëse institucionet e saj  nuk do të mundë të funksiononin ‘në tërësinë e vet tokësore
me një sistem juridik’.  
Tre vjet pas Kushtetutës, shtrohet nevoja e ndryshimeve dhe  plotësimeve të saj. Prandaj, e kam vënë në titull: Pas Kushtetutës - Kushtetuta.
Përgjithësisht, Kosova do të duhej të ecte drejt një rruge që do të mund t’i hapte perspektivat e fuqizimit të shtetit.
Në këtë rrugë, Kosova do të duhej t’i merrte përgjegjësitë e plota për ta qeverisur shtetin; do të duhej ta shtrinte pushtetin, kontrollin dhe ligjin në gjithë territorin  e saj; do të duhej të siguronte supermacionin e Kushtetutës së saj ndaj të gjitha rregullave të tjera, duke pasur parasysh se Plani i Ahtisarit nuk do të mundë t’i qëndrojë  si ‘pranga në këmbë’; Kosova do të duhej të vishej me subjektivitet të plotë politik, juridik, kushtetues e ndërkombëtar.
Ajo tek e cila arrihet më së vështiri, e ka çmimin më të madh.