Në Tuz të Malësisë së Madhe, në Simpoziumin Shkencor me titull: “100 vjetori i kryengritjes së Malësisë”, akademik Esat Stavileci u paraqit me kumtesën: “100 vjet nga kryengritja-çka pas”. Me këtë paraqitje publike, akademik Stavileci, arriti numrin e 1050 paraqitjeve të tij publike për Kosovën dhe çështjen shqiptare.


Shkruan: Ferid Selimi
(doktorant në Shkencat e Komunikimit dhe Informimit, në Universitetin e Tiranës)



Akademik Esat Stavileci, padyshim që është ndër intelektualët më të afirmuar të Kosovës (fitues i çmimit: intelektuali i Kosovës i vitit 2007; intelektuali më i besueshëm në vitin 2008; dhe imazhi i intelektualit shqiptar në vitin 2009) dhe ndër krijuesit më të frytshëm, me 34 libra të botuara autoriale dhe 5 të tjera me bashkautorësi, e që pjesa dërmuese e tyre u referohen Kosovës dhe çështjes shqiptare.
Duke përzgjedhur fjalën, e jo heshtjen për rrjedhat aktuale, ai, (jo vetëm muajve të fundit) është prononcuar pothuajse për të gjitha ndodhitë me, dhe rreth Kosovës dhe shqiptarëve.
Në Tuz të Malësisë së Madhe, më 4 dhe 5 prill të këtij viti, në Simpoziumin Shkencor me titull: “100 vjetori i kryengritjes së Malësisë”, u paraqit me kumtesën: “100 vjet nga kryengritja-çka pas”. Me këtë paraqitje publike, arriti numrin e 1050 paraqitjeve të tij publike për Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Në kumtesën e paraqitur në këtë simpozium për 100 vjetorin e kryengritjes së Malësisë së Madhe, ai shtroi nevojën për pozicionime më të zhdërvjellëta të shqiptarëve në Mal të Zi, duke pasur parasysh faktin se atje, edhe pse shqiptarët jetojnë në 250 kilometra katror në troje të veta etnike, në një rrip të pandërprerë me shqiptarët e tjerë në Ballkan, nuk gëzojnë vetëqeverisjen lokale sipas standardeve evropiane; dhe, se kombètarisht janë të diskriminuar.
Mbahet mend fjala e tij në Akademinë Përkujtimore për Adem Jasharin më 6 mars 2011, në të cilën, tërheq vërejtjen që nuk konsideron shkallë më të lartë se vetëdijen kombëtare, se nuk u angazhuam sa duhet për të rrumbullakuar Kosovën si shtet, dhe porositi që me veprimet tona të bëjmë përpjekje për ndryshimin e imazhit të dëmtuar, për ta shpërndarë sa më shumë të vërtetën e një populli, që nuk kërkon tjetër, përveçse drejtësi, duke mos i shkaktuar askujt padrejtësi.
Nëse i referohemi “ueb site” të tij, ku deri më sot ka 1600 klikime, mësojmë që edhe shkrimet e fundit të tij, si dhe paraqitjet nëpër tryezat e simpoziumet shkencore, kryesisht u referohen temave më aktuale dhe realitetit, me të cilat ballafaqohen Kosova dhe shqiptarët.
Ai shfaqet i bindur se koha do të shuaj paragjykimet për UÇK-në, që në lindje të saj, dhe se nuk ka asnjë normë, asnjë parim dhe asnjë dokument të së Drejtës Ndërkombëtare, që do të mund të kontestonte luftën e drejtë, mbrojtëse, çlirimtare dhe kombëtare shqiptare, duke përkujtuar fjalinë e njohur të ish kryetarit të SHBA-ve, Bill Klinton, në vitin 1999: “Kriza e Kosovës ishte një gjenocid në zemër të Evropës”.
Mjafton t’i hedhim një sy intervistës së tij, dhënë të përditshmes “Epoka e Re” të datës 25 janar 2011, për të mësuar për mendimin e tij për zhvillimet e fundit politike në Kosovë; për degradimin e politikës; për komprometimin e procesit zgjedhor; për veriun e Kosovës; për ndërhyrjen e Qeverisë Serbe në të; për deklarimin e tij kundër bisedimeve me Serbinë; për fuqizimin e pavarësisë dhe të Sovranitetit të Kosovës; për sfidat e ndërtimit të shtetit; dhe, për nevojën për të vepruar bashkë forcat politike në Kosovë, për të përballuar këtë gjendje. Sa i përket Deklaratës Kushtetutese të 2 Korrikut të vitit 1990, për t’i dalë në mbrojtje këtij dokumenti shumë domethënës për Kosovën dhe shqiptarët, pati paraqitur dëshminë e vet para Gjykatës Kushtetuese të Jugosllavisë.
Pati edhe një paraqitje në Simpoziumin Shkencor rreth demonstratave të vitit 1981, dhe për moto kishte përzgjedhur mendimin e Rasellit: “Ruajtja e paqes nëpërmjet shtypjes së një populli, gjithsesi nuk mund të quhet paqe”. Duke bërë fjalë për pozitën që kishte Kosova në kohën e shpërthimit të demonstratave, ai theksoi se, me gjithë pozitën më të mirë në raport me Kushtetutat e mëhershme, Kosova nuk ishte Republikë, populli i saj nuk trajtohej si komb, dhe gjuha e tij nuk trajtohej si gjuhë e një kombi.
Në shkrimin e tij më të fundit të titulluar: “Në trevjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës” shtron nevojën e ndryshimeve dhe të plotësimeve, duke pasur parasysh defektet e mëdha të saj, për të cilat ka tërhequr vërejtjen qysh në nxjerrjen e Kushtetutës, para tre vjetësh.
Tani, nuk do të ndalem te shumë paraqitjet e tij kohëve të fundit në Radio e Televizion, me tema aktuale për realitetin tonë. Nuk do të ndalem as te dy veprat më të reja që i ka nëpër duar, sërish me temë të këtij realiteti. Por, do të përfundoja shkrimin me një konstatim, që besoj dhe shpresoj të pajtohen edhe të tjerët, se, në shkrimet dhe paraqitjet e fundit të akademik Esat Stavileci, nuk mungojnë prononcimet për gjendjen në të cilën gjendet Kosova; për zhvillimet aktuale politike, për dukuritë negative në shoqëri; si dhe për nevojën e ndryshimit të Kushtetutës. E nuk mungojnë as porositë në lidhje me daljen nga kjo amulli, duke porositur politikanët kosovarë që, “kur të vendosin në emër të popullit ta bëjnë në konsultim me popullin”.

(botuar ne letrat.eu)