Vetëm për një kohë të shkurtër, Kosova dhe shqiptarët provokohen nga disa anë, qoftë nga Serbia drejtpërdrejt, me ndërhyrjet në veriun e Kosovës, qoftë nga ndërkombëtarët, me neglizhencën e tyre për ta ndryshuar në më të mirë gjendjen në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Nëse i referohemi vetëm disa ngjarjeve më të fundit në Kosovë dhe për rreth Kosovës, do të konstatojmë abstenimin serb në veri të Kosovës nga procesi regjistrimit të popullsisë, moskthimi i autoriteteve  gjyqësore, hyrje-daljet e zyrtarëve serbë pa lejen e institucioneve të Kosovës, pajisjen e qytetarëve serbë në veri të Kosovës me targa automjetesh të prodhuara në Serbi e tjera. Kur kësaj i shtojmë prononcimin e kryenegociatorit serb në bisedime me Kosovën se Serbia ka një ‘plan tjetër’ për bisedime, provokimet marrin edhe një kahje tjetër, ndërsa kur të gjitha këtyre ia ‘bashkëlidhim’ edhe një emërim të fundit të ULEX-it, të një kryepolici me shtetësi rumune, bëhet e qartë se provokimet me Kosovën dhe shqiptarët nuk kanë të ndalur. Nuk dhembin vetëm provokimet, sa dhemb mungesa e reagimit, me kohë e me arsye, e institucioneve të Kosovës ndaj provokimeve të tilla, kështu që vazhdojmë ‘me heshtje’ t’i marrim përgjigjet për  disa prej zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe për rreth saj.
Abstenimi serb në jetën publike në Kosovë nuk paraqet diçka të papritur. Serbët qysh moti abstenojnë çdo ndërmarrje të institucioneve të Kosovës në veriun e saj dhe këtë e bëjnë me porosi nga Serbia, nga janë të kthyer me sy e veshë. Shpjegimi i tyre  le për të kuptuar se ata nuk i pranojnë institucionet e Republikës së Kosovës, se nuk e njohin Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, se do të vazhdojnë ta kontestojnë këtë krijesë të re shtetërore dhe, para së gjithash, se duan ta ruajnë kontrollin në këtë pjesë të territorit të Kosovës, madje duke instaluar edhe një administrim të veçantë në të.
Përkundër këtij qëndrimi serb, shqiptarët me ‘mirësjellje’ hynë në  bisedime me Serbinë, gjoja për çështje teknike, pa vra mendjen se me serbët dhe me Serbinë nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë çështje të papolitizuar, ndërkohë që zyrtarët tonë ‘trumbetojnë’ se po bëhen bisedime ‘midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane’, edhe pse Serbia çdo ditë deklarohet se nuk e njeh dhe nuk e ka ndërmend ta njohë shtetin e Kosovës. Serbia ka pranuar të bëjë bisedime me Kosovën, shumë e interesuar  që të përfitojë nga ato në procesin e anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, ndërkohë që Kosova, përveç se ‘me fjalë’, nuk është në gjendje të identifikojë asnjë ‘përfitim të vetin’ nga bisedimet. Për më shumë, sikur nuk është në gjendje të kuptojë se me bisedimet, për gjoja ‘çështjet teknike’, ngadalësohet tmerrshëm  procesi i njohjeve, sepse është diplomacia serbe ajo ‘që troket’ në diplomacitë e vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të mos e bëjnë këtë   për derisa ‘nuk mbyllen bisedimet’, sepse nga ato presin që të ketë ‘pajtim pikëpamjesh mes dy delegacioneve’ që mund ‘të ndryshojë realitetin e krijuar’. Prandaj, nuk është e rastit që kryenegociatori serb ‘paralajmëron’ edhe ‘tema’ të tjera për bisedime.
Ndërkohë, nëpër veriun e Kosoës qarkullojnë automjetet me targa të shtetit serb.
Zyrtarët tonë ‘kërcënohen’ me ndalimin e përdorimit të tyre, pa i ndaluar as targat e mëparshme që nuk korrespondonin me targat e reja të shtetit të Kosovës. 
Sikur nuk munguan provokimet nga Serbia dhe, ndërkohë, na serviroi edhe një provokim EULEX-i, me emërimin e një shtetasi rumun në krye të një shërbimi shumë të rëndësishëm të policisë. Policët rumunë ‘kanë lënë gjurmat’ në Kosovë në protestat e ‘Vetëvendosjes’ dhe ata prej atëherë janë të padëshirueshëm në Kosovë. Eshtë shumë e vërtetë se ky emërim është ‘çështje’ e EULEX-it, por është gjithashtu e vërtetë se ishin policët rumunë ata që kishin ‘ikur prej vendit të krimit’ fare të pandëshkuar. A është emërimi i kryepolicit rumun(Marian Petre) ‘kthim në vendin e krimit?’. Nuk do ta komentojmë as ‘vërtetësinë’ dhe as ‘falsitetin’ e kësaj pyetjeje që po shtrohet në opinionin e Kosovës, por shtrojmë pyetjen tjetër se si është e mundur që institucionet e Kosovës të ‘heshtin’ në kohën kur reagimi i tyre bëhet i pashmangshëm.
Pohimi ynë se me ‘heshtje’ po marrim shumë përgjigje për zhvillimet e fundit me Kosovën dhe për rreth Kosovës sikur po verifikohet për ditë e më shumë, po sikurse që po verifikohet se bërja e shtetit është shumë më shumë se ‘deklarimi’ për të.
 Sfidat e shtetndërtimit të Kosovës po bëhen shumë serioze dhe shqetësuese për të ardhmen e saj.