(Fjalë e përmbledhur në festimin e 113 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Prizren, 10 qershor 2011)

         Për moto të fjalës sime sot këtu në Prizren kam përzgjedhur aforizmin: Ata që nuk mbajnë në mend të kaluarën, nuk e kuptojnë as të tashmen dhe as të ardhmen.
         Befasia e parë e pakëndshme sot, ditën e festës sonë të madhe, më arriti shumë herët: tek ndiqnja në television  pasqyrën e shtypit dhe në asnjë kënd të asnjërës prej gazetave, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, nuk përmendej, nuk përkujtohej fare dita e sotme. Kjo qe arsyeja që bëra përzgjedhjen e këtij aforizmi për moto të fjalës sime në këtë shënim të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.


         Që të ngulitet diçka në kujtesë, duhet të mundesh prej saj.
         Eshtë mirë që, së paku dy herë në vjet, në 10 qershor dhe në 28 nëntor, na bie ndërmend  se na bashkon gjaku, gjuha dhe gjeografia. Po bëj një numër pyetjesh.

 

         Pse duhet ‘t’i kthehemi historisë ?
         
         E kemi për detyrë që ‘t’i kthehemi historisë’, sepse në të e kemi pësuar si popull dhe si komb. Natyrisht se këtë do të duhej ta bënim ‘me sy përpara’, jo për ta harruar të kaluarën, por për të mos e ‘rishijuar’ të hidhurën e saj.
         
         Si u përjetua formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndër shqiptarët ?
         
         Formimi i Lidhjes  Shqiptare të Prizrenit si një organizatë mbarëshqiptare u përjetua ndër shqiptarët si një ngjarje historike, jo vetëm për kohën kur u formua, por edhe për të ardhmen e tyre si komb. Në të vërtetë, si një lëvizje e gjerë, e themeluar me qëllim mbrojtjen e tërësisë territoriale ku banonin shqiptarët, me daljen në pah të kërkesës për autonomi, si formë institucionale e kësaj mbrojtjeje, me parashikimin që të ngrihej deri në shkallën e shtetit të pavarur, Lidhja Shqiptare e Prizrenit vazhdoi dhe përfundoi si një lëvizje kombëtare. Ajo nxiti synimet kombëtare dhe të lirisë, të cilat do të sendërtohen 34 vjet më vonë, ndonëse jashtë shtetit mbeten dy të tretat e etnisë shqiptare, bashkë me gjysmën e popullatës që u pushtua nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia gjatë luftërave ballkanike të vitit 1912.
         
Cilat amanete mbeten të parealizuara?
         
         Edhe 113 vjet më vonë flasim për amanetet e parealizuara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kohë më parë mora pjesë në kremtimin e 100 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe. Theksova se edhe njëqind vjet pas kryengritjes, shqiptarët në Mal të Zi janë të diskriminuar. Në vitin tjetër do të festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, por 100 vjetorin e pavarësisë së Londrës dhe jo 100 vjetorin e Shqipërisë Natyrale.
         Pra, kushti i historisë për distancën kohore është plotësuar, prandaj gjykimet për ngjarjet shumëfish janë konfirmuar.
         Historianët shprehen se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ‘shpalli një besë të përgjithshme midis shqiptarëve, duke krijuar kështu  kontratën e parë themelore të kombit…’Uniteti i mendimit dhe veprimit midis qarqeve atdhetare shqiptare kundër copëtimit të trojeve shqiptare qe shtylla programore e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit’, e copëtimi, megjthate, ndodhi.   
         
          Cili qe misioni i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ?         
         
          Sot, 113 vjet pas, kujtojmë misionin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që ‘të zgjerojë dhe thellojë vetëdijën për origjinën e përbashkët të shqiptarëve dhe për themelimin e shtetit komb’.
          
           Cilat qenë  ndër arritjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit?
          
          Ndër arritjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte, duke iu referuar një shkrimi të akademik Pajazit Nushit, ‘ bashkimi shpirtëror, moral dhe motivues i shqiptarëve për liri dhe barazi’ dhe ‘thellimi i bazave të të drejtave dhe lirive njerëzore të pandara nga të drejtat kombëtare me synim dhe në të drejta shtetërore’.
          
           Cka nuk arriti të mbrojë Lidhja Shqiptare e Prizrenit?
 
            Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk arriti ta mbrojë tërësinë  territoriale të tokave shqiptare, ‘sepse kërkesat legjitime  dhe të arsyeshme të kësaj organizate nuk gjeten përkrahjen dhe mbështetjen e duhur, të mjaftueshme dhe efektive të përfaqësuesve të shteteve të mëdha të asaj kohe’. Mirëpo, lëvizjet për liri dhe barazi nuk u shuan.
           
            Cfarë na mungon sot?          
           
           Nuk kemi një vështrim për udhën e kaluar, prandaj na mungon dhe projekti për të ardhmen. Udha e kaluar na ka prodhuar  një Shqipëri kombëtarisht të cunguar; një Kosovë, ende me status të parrumbullakuar; shqiptarët në Maqedoni nga të drejtat kolektive kombëtare të privuar;  shqiptarët në Mal të Zi kombëtarisht të paemancipuar; shqiptarët në Kosovën Lindore të diskriminuar; Camërinë pothuajse të harruar; shqiptarët në Turqi të asimiluar; diasporën shqiptare partiakisht të shpartalluar; diplomacinë shqiptare të paunifikuar dhe politikën shqiptare të pabashkërenduar.
          
           Cfarë na duhet për të ecur ërpara?

           Ne ende sikur nuk ndjejmë nevojën që të funksionojmë si një tërësi kombëtare. Për më shumë, krijojmë barriera brendakombëtare. Eshtë fatkeqësi kur barrierat i krijojmë vetë.
          Për të ecur ‘përpara’ duhet kujtuar gabimet, duhet ditur, por edhe duhet mësuar. Imazhi shqiptar ndërtohet duke ‘ecur përpara’, e jo duke ‘qëndruar në vend’, madje edhe duke u kthyer mbrapsht.
          Do të duhej të ecnim në binarë të njëjtë dhe në drejtim të njëjtë.
          
          Cka nuk do të na falej?
          
          Ecja në binarë të ndryshëm dhe në drejtime të ndryshme. Ajo do të na kërcënonte me rrezikun e mosarritjes në të njëjtin destinacion.
          Nuk do të duhej të silleshim sikur ‘i kemi përgjigjet për të gjitha situatat’.
E vërteta flet për mungesën e një strategjie të përbashkët të veprimit të përbashkët për interesa të përbashkëta kombëtare.
          Të reagosh politikisht qartë, me fjalorin e duhur dhe në mënyrën e duhur, kërkon, më së paku, një qëndrim të përbashkët, të elaboruar mirë dhe të argumentuar bindshëm. Komponentja kryesore me rastin e një qëndrimi të tillë, do të duhej të ishte interesi i përbashkët kombëtar, e jo gjymtimi i tij.
          
            Cka nuk duhet të harrojmë?
           
            Se hapësira etnike shqiptare është një tërësi kombëtare , historike, gjeografike, gjuhësore, ekonomike dhe politike. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur një qëndrim të drejtë, nuk ka as sot, ndaj këtij realiteti.
           
             Cka nuk duhet të lejojmë?
            
             Ajo që nuk do të duhej të lejonim të na ndodhte është : të mos lejojmë që, duke u rritur si popull, të rrudhemi si komb.