Ndonëse shtet i pavarur dhe sovran, që nga 17 shkurti 2008, Kosova ende  bashkëqeveriset. Në Kosovë ka një prani të theksuar ndërkombëtare qe vetvetiu pavarësinë e saj e bën të kufizuar dhe sovranitetin e saj e bën të cunguar. Përveç kësaj, në një pjesë të territorit të Kosovës, qeveria e Serbisë “bën garë” me institucionet e Kosovës për pushtet, ligj dhe kontroll.

 

 

Për të “balancuar konkurrencën” për pushtet, ligj dhe kontroll midis Kosovës dhe Serbisë, ka filluar një “proces negocimi” që deri më tash ka “prodhuar” tri “marrëveshje”, të quajtura “përfundime”, sigurisht për shkakun  se nuk mund të ketë marrëveshje dhe më pak firmosje të tyre nga të dyja palët nëse ato, në fakt, nuk faktorizohen si shtete të pavarura dhe sovrane.
Prandaj, në vend se “marrëveshjet” të fuqizojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës ato, në të vërtetë, i zbehin ato, ndërsa nga ana tjetër, i ndihmojnë Serbisë afrimin me Europën dhe ia lehtësojnë procesin e anëtarësimit në të. Kush i analizon me kujdes “marrëveshjet” do të kuptojë se: së apri,  ato janë, në fakt, një “përparësi për Serbinë”, por jo edhe për Kosovën dhe, së dyti, “kompromiset” e bëra në marrëveshje “e gërryejnë dhe e dëmtojnë statusin e Kosovës” si një shtet i pavarur dhe sovran.  Nëpërmjet të këtyre “marrëveshjeve”, Serbia mbetet në garë për pushtet, ligj e kontroll në Kosovë, ndërkohë që Kosova ende nuk i ka marrë të gjitha përgjegjësitë për ta qeverisur veten; ende nuk e ka shtrirë pushtetin, ligjin dhe kontrollin në gjithë territorin; ende nuk e ka siguruar epërsinë e aktit të vet më të lartë juridik ndaj të gjitha akteve të tjera dhe ende nuk është veshur me subjektivitet të plotë politik, juridik, kushtetues e ndërkombëtar. Përherë kam tërhequr vërejtjen se i druaj vendosjes së një statusi të Kosoës që krijon ndjenjën e të qenët e shtet, pa mundësinë e funksionimit të plotë të tij.”Marrëveshjet” sikur e verifikojnë një “parashikim” të tillë.
(2)E kemi shpallur shtetin dhe e kemi “bërë me kushtetutë”. Kushtetutën e kemi mbështetur në Deklaratën e Pavarësisë e cila ishte, në fakt, një “përshkrim i obligimeve” që “kishte marrë shteti i Kosovës” nga Plani i Ahtisaarit.Në të vërtetë, Deklarata e Pavarësisë ishte një “akt i kufizuar me kushte, obligime, dhe rezerva”, shumica e të cilave “kishin të bënin me pakicën serbe”. Prandaj,  Deklarata e Pavarësisë qe  hartua si një “dokument i përmbushur  me përkushtime për konsultime, respektim e dëgjim ndaj ndërkombëtarëve”. Dhe, pikërisht me rekomandim të ndërkombëtarëve, palët “u ulën në bisedime”nga të cilat “u prodhuan” tri “marrëveshjet” e para në të cilat Kosova nëpërmjet të negociuesve të saj, “hoqi dorë” nga  nga ca “elemente të shtetësisë” dhe nga kushtetuta që, sadoqoftë e vënë  “nën prangat” e Planit të Ahtisaarit, përmban cilësime të shtetit.Porositë janë të qarta: Kosova nuk do të duhej të bënte “kompromise” me atributet e pavarësisë dhe sovranitetit të saj; Kosova nuk do të duhej të lejonte që ato “kompromise”  t’ia kufizonin legjitimitetin e saj si shtet i pavarur dhe sovran dhe, më në fund, Kosova nuk do të duhej të lejonte që në “marrëveshjet e dakorduara” të përfshiheshin “zgjidhje” që të do të “mohonin ekzistencën e realitetit që e përfaqëson” një shtet i pavarur dhe sovran.   
(3) Tri “marrëveshjet” e para të Kosovës me Serbinë shtrojnë edhe pyetjen e tretë: a ka Kosova Kuvend?. Pyetja shtrohet duke pasur parasysh faktin se ai është anashkaluar që nga “fillimi i bisedimeve”. Madje, bisedimet kanë nisur ende pa pasur pëlqimin e Kuvendit dhe janë zhvilluar pa e informuar  atë për rrjedhat e bisedimeve dhe pa kërkuar prej tij ndonjë mendim a qëndrim për “pikat e marrëveshjes”, edhe pse, në fakt, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte nxjerrë një Rezolutë dhe “kishte vendosur” disa “korniza” të bisedimeve. E vërteta flet se “bartësit e bisedimeve” nuk janë treguar të përgjegjshëm në raport me obligimet që kanë marrë prej Kuvendit.
Pa patur nevojë për analiza më të thella(mbase ato mund të pasojnë edhe më vonë), nuk mund t’i shmangem përshtypjes se për ndonjë “shërbim të vogël administrativ”nga ana e Serbisë, vetë Kosova e ka zbehur edhe pavarësinë edhe sovranitetin, edhe ashtu të zbehur qysh në shpalljen e shtetit në 17 shkurt 2008.
A nuk flasin për këtë faktet, si: të moscilësuarit  e Kosovës si  shtet i pavarur dhe sovran në bisedime; të mostrajtuarit e vetë bisedimeve si bisedime të dy shteteve të pavarura dhe sovrane dhe vetë përmbajtja e “marrëveshjeve” që, gjykuar sipas një juristi ndërkombëtar që është në Kosovë qysh nga koha e vendosjes së saj nën administrim të UNMIK-ut,  një, “të ashtuquajtura konkluzione e përparojnë kërkimin e Serbisë për status të hershëm kandidati për BE në dëm të Kosovës”; dy, “ato e përkrahin pretendimin e Serbisë për sovranitet të vazhdueshëm ndaj Kosovës dhe seriozisht e dëmtojnë dhe pakësojnë statusin e Kosovës si shtet i pavarur” dhe tre, ”konkluzionet e  ringjallin UNMIK-un si një autoritet që vazhdon të veprojë me kompetenca qeverisëse në Kosovë”.