(Me rastin e paraqitjes së 1050 publike për Kosovën dhe shqiptarët)

Në fokus të shqyrtimeve: analizimi i rrjedhave dhe parashikimi i tyre

Për vite të tëra në periudhën e pasluftës, nuk kam parapëlqyer heshtjen rreth aktualitetit që rrethonte  Kosovën dhe përgjithësisht shqiptarët kudo që ata jetonin. Të kundërtën,kam reaguar, me fjalë dhe me shkrime, pothuajse për çdo ngjarje me interes që ndërlidhej me Kosovën dhe me shqiptarët. Kam parapëlqyer që t’i analizoj rrjedhat, që mundësisht, edhe t’i parashikoj ato; t’i flas së tashmes, ‘duke komunikuar edhe me të ardhmen’. Kam mbajtur parasysh këshillën: koha moderne nuk kërkon prej intelektualit që ai ‘t’ia gjejë asaj kuptimin e vërtetë’, por të kundërtën, për intelektualin është sot çështje sa do të jetë ai  ‘në nivelin e atij kuptimi’. Paraqitjet e mia publike të viteve të fundti dhe të kohëve të fundit dëshmojnë më së miri se sa kam qenë ‘në nivelin e atij kuptimi’. 

 

 

Temat e trajtuara

Gjatë disa vjetëve të fundit, kam folur dhe kam shkruar për shumë tema me interes për Kosovën dhe për shqiptarët përgjithësisht, ndër të tjera:  për padrejtësitë e Europës ndaj shqiptarëve përgjatë historisë; për Kosovën si çështje të hapur ndëretnike në Ballkan; për proceset politike në Ballkan dhe për çështjen shqiptare; për çështjen e pazgjidhur shqiptare dhe për statusin e kombit shqiptar përgjithësisht; për Shqipërinë; për shqiptarët në ish- Federatën e Jugosllavisë, në Maqedoni, në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi; për çështjen çame; për të kuptuarit e çështjes shqiptare si  një çështje dhe për të qenët e saj kryefjalë e mendimit politik shqiptar; për një zë të artikuluar për Kosovën dhe për shqiptarët ; për të mosqenët e Shqipërisë Etnike-‘Shqipëri e Madhe’; për vetëndërgjegjësimin dhe konsolidimin kombëtar; për atë se si  shqiptarët ‘të ecin bashkë’ të ndarë; për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe për të ardhmen e Kosovës; për proceset politike në Kosovën e pasluftës; për neglizhimet e bashkësisë ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës; për ‘katandisjet’ e statusit të Kosovës; për mesazhet që i kam drejtuar botës dhe subjekteve me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare dhe zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë për sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve; për ‘fizkulturat e Europës’ me Kosovën; për ‘legalizimin e heshtur’ të ‘ndarjes së Mitrovicës’ me rastin e instalimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë; për statusin e Mitrovicës dhe të veriut të Kosovës përgjithësisht; për veprimet që ‘flisnin vetë’ në veriun e Kosovës; për përgjegjësinë e (pa)pranuar të UNMIK-ut për ndodhitë në veriun e Kosovës; për ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë, ‘para syve’ të UNMIK-ut dhe me miratimin e tij; për ‘shqetësimet e vonuara’ për veriun e Kosovës; për shterpësinë e  procesit negociator; për negociatat si ‘investim joekonomik’ i bashkësisë ndërkombëtare; për ‘pajtueshmërinë’ me të papajtueshmën; për koncesionet në dëm të së ardhmes ndërkombëtare të Kosovës; për të mosqenët e Kosovës ‘shoqëri multietnike’ dhe për ‘kurthet’ e saj; për decentralizimin  asimetrik dhe etnik; për ‘bosnjëzimin’ e Kosovës; për tendencat  për territorializimin e çështjes serbe; për interesimin e Serbisë, jo për serbët e Kosovës, por për ‘territoret serbe’ në Kosovë; për mungesën e përgjigjeve kundër konceptit serb të ‘ndarjes së Kosovës’; për vërejtjet për Kosovën nga Europa; për çmimin e lartë të negociatave për Kosovën; për nevojën e sjelljes së Kosovës rreth botës; për nevojën e të qenët të Shqipërisë, jo spektator, por faktor me ndikim në procesin e vendimeve për statusin e Kosovës; për ‘dritat dhe hijet’ e Planit të Ahtisarit; për vërejtjet parimore dhe konkrete në Planin e Ahtisarit; për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës; për nevojën për qeverisje të plotë të Kosovës; për kërcënimin e rrezikut të krijimit të mentalitetit të ri të vartësisë së Kosovës me vazhdimin e pranisë ndërkombëtare civile; për mandatin e pranisë civile ndërkombëtare dhe ndërhyrjet ekzekutive të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë; për Deklaratën e Pavarësisë, kushtetutën dhe simbolet e Kosovës; për sfidat në Kosovën e passtatusit; për vështirësitë e bërjes së shtetit të Kosovës; për ndërtimin e shtetit të së drejtës në Kosovë dhe kërcënimin e rrezikut që ai të shndërrohet në ‘shtetin e të së padrejtës’; për përplasjen e autoriteteve ndërkombëtare në Kosovën e pavarur; për marrjen në Kosovë me interpretimin e së drejtës më shumë se me krijimin e saj; për gjashtëpikëshin e Ban Ki Munit dhe për synimet e Serbisë për të qëndruar në garë për pushtet, kontroll dhe ligj në Kosovë; për ‘shqetësimet’ e Ministrit të Jashtëm serb Jeremiq për një kishë serbe në Gjakovë, pa vra mendjen për dëmet që shkaktoi Serbia në Kosovë me shkatërrimin e monumenteve historike, kulturore dhe fetare, e tjera e tjera tema.  

Komunikimi me botën

Për vite të tëra kam komunikuar me letra me qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes, duke ‘ua tërhequr vërejtjen’  se status quoja në Kosovë është e paqëndrueshme dhe duke argumentuar të drejtën për vetëvendosje dhe shtet sovran dhe të pavarur. Këtij qëllimi i shërbente dhe libri im në anglisht: The Truth About Kosova- Arguments And Facts In Support Of Is Independence (‘E vërteta për Kosovën, Argumente dhe Fakte në Mbështetje të Pavarësisë së saj’, 2007).

Rezervat e shfaqura

Në paraqitjet e mia publike të viteve të fundit vazhdimisht kërkoja që diplomacia shqiptare të kalojë në ofensivë, sepse ishte përgjegjësi të mos bëhej ajo që duhej të bëhej në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.
Ndaj negociatave me Serbinë mbaja  një qëndrim shumë të rezervuar, duke i konsideruar ato më shumë një ‘investim joekonomik’ të bashkësisë ndërkombëtare, duke pasur parasysh, ndër të tjera, edhe pozicionet shumë të kundërta të palëve, ndërsa Delegacionit të Kosovës i ‘tërhiqnja vërejtjen’ se nuk guxon që prej ‘pavarësisë së premtuar’ të mos i sheh ‘dromcat’ prej të cilave do të mund të gjymtohej ajo, po sikurse që nuk mund ‘të shtiret’ se asgjë nuk po ndodh në pjesën veriore të Kosovës.
Druajtjen më të madhe e kam shfaqur për mundësinë e vizatimit të ‘hartave etnike’ në emër të ‘procesit të decentralizimit’. Duke medituar se çdo zgjidhje e re krijon të paktën një problem, zbatimin e saj, më shumë se me pyetjen se ku është Kosova sot, u mora me çështjen se  ku do të jetë Kosova nesër, duke u angazhuar për qartësi të statusit dhe përjashtim të dykuptimësisë së tij.
Decentralizimin e shihnja dhe vazhdoj ta shoh edhe sot si sfidën më të madhe për sigurimin e territorit unik dhe të ligjit unik në Kosovë.
Tërhiqnja edhe vërejtjen se me mosrrumbullakimin e statusit, vetë statusi do të përbëjë njërën prej sfidave më të mëdha të Kosovës pas shpalljes së ‘pavarësisë 
së mbikëqyrur’. Prandaj, nuk pushova me fjalët dhe me shkrimet e mia edhe pas 17 shkurtit 2008. Biles, ato u rriten, për të mos u ndalur edhe sot.

Argumentimi i pavarësisë së Kosovës

Menjëherë pas kontestimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe hapjes së procedurës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, u përqëndrova në argumentimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në librin tim që e botoi Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës me titull:’Shteti, shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës’(2008), i bëra një kundërpërgjigje nismës serbe për ta kontestuar legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Madje, i shkrova, nëpërmjet disa gazetave prestigjioze të Europës, një letër të hapur edhe vetë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë(17 janar 2009), prej së cilës kërkova që ‘të rreshtohet në anën e së drejtës dhe të drejtësisë’.
Nuk u ndala këtu. Bëra edhe një libër(‘Rrugëtimet dhe labirintet e Kosoës dhe të shqiptarëve’, 2009), me nëntitull ‘ Pavarësia e Kosovës- fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet( libër në gjithsej 800 faqe, me rreth 150 faqe në gjuhën angleze (‘Testimony for Kosova’), për të ofruar kështu ndihmesën time profesionale për dëshmitë për Kosoëvn para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pata edhe shumë paraqitje publike në këtë temë gjithandej Kosoëvs dhe jashtë saj.

Realiteti që na rrethon

Në paraqitjet publike të viteve të fundit dhe të kohëve të fundit, në asnjë moment nuk u shkëputa nga realiteti që  rrethonte  Kosoën dhe gjithë shqiptarët. Madje, i përforcova disa përfytyrime që kisha krijuar qysh më parë rreth atij realiteti ndaj të cilit nuk kishim marrë një qëndrim të drejtë, prandaj dhe shumë përgjigje i kishim marrë me heshtje.
Isha dhe vazhdoj të jem shumë kritik ndaj pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe neglizhencës së saj për t’i zhvilluar dhe përparuar proceset në Kosovë. Bëja shumë vërejtje në adresë të saj. I bëj edhe sot kurdo që më bëhet e mundshme, veçanërisht në lidhje me veriun e Kosovës i cili ende mbahet i ndarë dhe jashtë jurisdiksionit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Për sa isha kritik ndaj stafit ndërkombëtar, edhe më kritik ndoshta jam treguar ndaj politikanëve të vendit. Madje, politikanëve të Kosovës u kam dërguar një mesazh shumë të drejtpërdrejtë: ‘Kosova nuk është e asnjërit prej jush,  por e të gjithëve dhe këtë do të duhej ta kishit parasysh kur të merrni  vendime të rëndësishme për Kosovën. Nëse e konsideroni  vetën ‘përfaqësues të popullit’, mendoni  më shumë për popullin sesa për veten. Madje, kur të vendosni  në emër të popullit, bëjini këtë në konsultim me popullin’.


Zhvillimet e fundit politike në Kosovë

Zhvillimet e fundit politike në Kosovë i kam parë si shprehje e tensioneve politike, të brendshme dhe me ndërkombëtarët, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të Serbisë në veriun e Kosovës, për shkak të përpjekjeve për të vendosur ‘dy rende kushtetuese’ në Kosovë, për shkak të mungesës së shtetit të së drejtës, për shkak të monopoleve politike, për shkak të dukurive negative, veçanërisht  korrupsionit në përmasa marramendëse, por edhe për shkak të shkallës së ulët të ekonomisë dhe të  shkallës shumë të lartë të papunësisë.
Kam folur për defektet që e kanë shoqëruar dhe që vazhdojnë ta shoqërojnë politikën në Kosovë dhe që kanë prodhuar një qeverisje të paefektshme, një shkallë të lartë të papajtueshmërisë në drejtimin e shoqërisë, një çrregullim të veprimtit institucional dhe një ‘palë zgjedhje’, as të lira dhe as të ndershme, një demokraci të lënduar dhe një elektorat të zhgënjyer në përmasat që mund të vënë në pyetje edhe të ardhmen demokratike të saj.
E vërteta flet se në Kosovë ka çrregullime në disa fusha. Pra, nuk bëhet fjalë për gjendje të rënduar vetëm në një fushë.
Në Kosovë ka mungesë ligjesh dhe ka  mangësi rregullimi juridik në shumë fusha.
Zgjedhjet në Kosovë i kam quajtur ‘model se si nuk do të duhej të ndodhte demokracia’. Në të vërtetë, ato sikur dëshmuan se si mund të dhunohet demokracia. Në Kosoë ‘të gjithë vodhën’ dhe ‘të gjithë u vodhën’.
Kosova u sfidua me raportin e Dick Martyt. Janë bërë shumë vlerësime kuturu, edhe prej njerëzve që nuk e kanë lexuar fare raportin. Kërkesa për t’i zhvilluar hetimet në lidhje me ‘pohimet e raportit’ përbën shkallën më të lartë të gatishmërisë së shqiptarëve për t’u ballafaquar me të vërtetën, por edhe për të arritur te e vërteta se bëhet fjalë për një spekulim të llojit të veçantë për ta dëmtuar imazhin e luftës dhe të UCK-së.
Kam tërhequr vërejtjen se përpara se ‘t’i vëhen kushte Serbisë’, duhet çmuar se a do të duhej fare të zhvillohen bisedime me të. Nëse do të çmohej se duhet të kishte bisedime, do të duhej të merreshin parasysh edhe disa momente që do të mund t’i kushtëzonin ato. Për mua bisedimet nuk do të duhej të zhvilloheshin: pa u njohur pavarësia e Kosovës nga ana e Serbisë, sepse bisedimet do të ishin krejtësisht të pabarabarta; nuk do të duhej të zhvilloheshin bisedime pa u ndëshkuar Serbia për dëmet e luftës, sepse ato do të niseshin ‘nga e para’, sikur asgjë të mos kishte ndodhur më parë në Kosovë; pa iu kompensuar Kosovës dëmet e luftës, sepse do të manipulohej se në Kosovë kishte ndodhur konflikt, e jo luftë, me pasoja shumë të rënda për Kosovën dhe për shqiptarët; pa iu garantuar Kosovës shtrirja e plotë e qeverisjes në veriun e saj, sepse ç’kuptim do të kishte pavarësia e Kosovës sikur në bisedime të hapej ‘çështja e veriut’. 



Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e kam trajtuar me rëndësi të shumëfishtë për Kosovën, sepse ajo kishte dhënë një mendim analitik shumë të shkoqur dhe profesionalisht shumë të argumentuar. Biles, jam shprehur se ai mendim
‘i vuri vulën’ shtetit të Kosovës dhe se Serbia jo vetëm që mori përgjigjen e drejtpërdrejt se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, por njëkohësisht mori goditjen më të madhe deri më tash në përpjekjet për të kontestuar vullnetin e një populli për të qenë i lirë dhe i pavarur. Pavarësia e Kosovës është e ligjshme dhe askush, në asnjë mënyrë, nuk mund të kontestojë më legalitetin e shpalljes së saj, ndërsa Deklarata e Pavarësisë ‘nuk shkel asnjë normë të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare’. Kam bërë edhe porosi për institucionet e Kosovës. Së pari, që të dinë ‘ta kapitalizojnë mendimin’ e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë; së dyti, që ‘të lobojnë për njohje të reja’ dhe anëtarësim në mekanizma ndërkombëtare’ dhe, së treti, që të ndërtojnë dhe të zbatojnë strategji të mirëfilltë për shtrirjen e autorizimeve në gjithë territorin, me qëllim të ruajtjes së integritetit të tij. Madje me sugjerime për institucionet e Kosovës e kisha filluar fjalën edhe në një paraqitje tjetër publike në lidhje me Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë( në Klubin për Politikë të Jashtme, në debatin e mbajtur në Prishtinë, më datë 26 korrik 2010).
Rreth miratimit të Rezolutës në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara për dialog me Serbinë, po sikurse rreth dialogut përgjithësisht, jam deklaruar disa herë, duke theksuar vazhdimisht rezervat e mia ndaj të gjithë proceseve negociuese me serbët, sepse ata janë më shumë të njohur për të nxitur mosmarrëveshje sesa për të lidhur marrëveshje. Këtë rezervë e kam pasur edhe në kohën  e veprimit të G-15-it para luftës dhe për negociatat e Vjenës, e kam edhe tash. Përherë kam menduar se nuk mund dhe nuk duhet të zhvillohen biseda të pabarabarta, se nuk mund dhe nuk duhet të zhvillohen biseda nëse palët nuk kanë respekt  të ndërsjellë dhe se nuk mund dhe nuk duhet të zhvillohen biseda në të cilat do të mund të bëheshin koncesione në dëm të një pale dhe për përfitime të një pale tjetër. Nuk po ndalem edhe te përgjigjet që kam dhënë në intervistat në radio e televizion në lidhje me dialogun.
Për zgjedhjet e fundit në Kosovë vërtet kam folur dhe kam shkruar shumë, mos qoftë edhe ta kem tepruar. Zgjedhjeve në Kosovë u kam paraprirë me një shkrim ende para mbajtjes së tyre(‘Zgjedhjet dhe Kosova‘,Juristi’, nr. 3, viti I, nëntor 2010).
Po shkëpus dy a tri mendime. Së pari, Kosova ndien nevojën për politikanë me ‘vizion të qartë’. Kosova ndien nevojën për politikanë që i sjellin politikës idetë, konceptet dhe alternativat, e jo për ata që vetëm marrin prej saj. Së dyti, thelbi i parë i zgjedhjeve është të dish çfarë dëshiron; i dyti të gjesh kush do ta realizojë atë.  Së treti, suksesi më i madh i zgjedhjeve është nëse votuesve u krijohen kushte për të votuar’çlirshëm’.
Pas mbajtjes së zgjedhjeve, kam folur dhe kam shkruar disa herë për to.
Me 12 dhjetor 2010 në Kosovë ndodhi farsa e zgjedhjeve. Më pastaj, u numëruan votat.Ato vazhdojnë sërish të numërohen dhe duket se askush nuk do t’i ketë ‘rrobat për shtati’. ‘Vjedhja e votave tashmë është shndërruar në një specialitet shqiptar’, kisha shkruar në numrin e dhjetorit 2010 të revistës ‘Juristi’. Përgjigjen duhet ta kërkojmë në faktin se ata që është dashur të zgjidhen, kanë zgjedhur ata që do t’i zgjedhin. Mirëpo, te shqiptarët nuk ‘dhembin’ vetëm zgjedhjet. Më shumë ‘dhemb’ trendi që të manipulohet me të gjitha dhe papërgjegjësia për manipulime, ndërkohë që ‘i këndohet’ shtetit të së drejtës dhe ‘sundimit të ligjit’, si në Kosovë dhe në Shqipëri. Një pyetje ende mbetet pa përgjigje: a jemi ne përgjegjës që kemi shoqëri çfarë kemi, apo shoqëria është përgjegjëse, që ne jemi, çfarë jemi?
Duke iur referuar defekteve që e kanë shoqëruar dhe që vazhdojnë ta shoqërojnë politikën dhe qeverisjen në Kosovë, kam theksuar se ato kanë prodhuar një qeverisje të paefektshme, një shkallë të lartë të papajtueshmërisë në drejtimin e shoqërisë, një çrregullim të veprimit institucional dhe, së fundi, një ‘palë zgjedhje’, as të lira dhe as të ndershme, një demokraci të lënduar dhe një elektorat të zhgënjyer, në përmasat që mund të vënë në pyetje edhe të ardhmen demokratike të saj.
Teorikisht, formulën më të mirë qeverisëse e përcaktojnë ‘shifrat’ që dalin nga votat e qytetarëve. Por, shtrohet pyetja se këto shifra në rastin e Kosovës a do të duhej të ishin ‘i vetmi kriter’, ndër të tjera, për shkak të nevojës për’veprim të bashkuar’ në kohë ende ‘të mjegullta’ për Kosovën dhe rreth Kosovës, kohë këto që kërkojnë një ngjeshje të rradhëve të brendshme për t’u dalë në krye detyrave që e presin Kosovën, në një të ardhme jo shumë të largët për fatet e saj.
Përherë kam parapëlqyer me shumë qeveritë gjithëpërfshirëse për shkak të nevojave për t’u shprehur me ‘një fjalor’ në sfidat e kohës, pa prekur në autonominë e asnjërit subjekt politik.
Një qeveri,me anëtarë të një a dy ngjyrimeve  politike e bën ende më të vështirësuar veprimin e saj për ‘interesa të vendit’.
Edhe një herë t’i kthehem ‘bisedimeve me Serbinë’ për të theksuar faktin se pala shqiptare hyri në to pa pëlqimin e Kuvendit si organ më i lartë i pushtetit; se hyri në to pa një agjendë të përcaktuar më parë dhe se hyri në to pa përgatitje të duhura. Prandaj, ai proces u kritikua dhe vazhdon të kritikohet, madje dhe të kërkohet ndërprerja e tij. Përherë kam menduar se bisedimet edhe për të ashtuquajtura ‘çështje teknike’,  kur janë në pyetje Kosova dhe Serbia dhe raportet në mes tyre, nuk mund të jenë të papolitizuara dhe pa ndikim në punët e brendshme të Kosovës dhe pa prekjen në sovranitetin e saj. Në një proces negociator dini vetëm se kur hyni, nuk dini as kur do të dilni dhe as si do të dilni nga ai proces. Në disa paraqitje të mia publike, jo vetëm që kam kushtëzuar pjesëmarrjen e Kosovës në bisedime, por edhe jam deklaruar kundër tyre.
Rreth Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, hetimeve të shumë ish-pjesëtarëve të saj, rreth gjykimit të Ramush Haradinajt dhe raportit të Dick Martyt, kam pasur rastin  të prononcohem më shumë herë.
Eshtë pëlqyer një fjalë e imja e mbajtur në Akademinë Përkujtimore për Adem Jasharin, në Prishtinë më 6 mars 2011 dhe unë, me këtë rast, do të shkëpus dy a tri mendime.
Së pari, Ushtria Clirimtare e Kosovës dhe Jasharët jetuan ‘në kohë shumë të liga për popullin shqiptar’, jo vetëm në Kosovë, prandaj edhe bën angazhim të jashtëzakonshëm,  sepse rrethanat ishin të jashtëzakonshme,  për t’i dalë zot kombit të vet, për t’ia mbrojtur identitetin dhe palcën kurrizore të tij, bën përpjekje të papara për t’a mbrojtur pragun e shtëpisë dhe vatanin. Së dyti, ka përpjekje, jo vetëm për kontestimin e luftës, por edhe për dëmkosjen e saj dhe të rolit të UCK-së. Së treti,  mendoj se koha do t’i shuaj paragjykimet e shfaqura për UCK-në që në lindjen e saj. Nuk mund të ketë dy bindje për një të vërtetë.
Kam theksuar se nuk ka asnjë normë, asnjë parim dhe asnjë dokument të së drejtës ndërkombëtare që do të mund të kontestonte luftën e drejtë, luftën mbrojtëse, çlirimtare e kombëtare të UCK-së, duke përkujtuar  fjalinë e njohur të Klintonit në vitin 1999:’ Kriza e Kosovës ishte një gjenocid në zemër të Europës’.
E vërteta thotë se nuk ishte Kosova, por ishte Serbia, ajo që nxiti luftën e padrejtë dhe të pabarabartë; ishte Serbia që shkeli normat, parimet dhe dokumentet e të drejtës ndërkombëtare, madje qysh kur kishte aneksuar Kosovën për disa herë: 1912, 1918, 1945 dhe 1989.
E vërteta thotë se ishin SHBA dhe NATO që mbështeten UCK-në dhe luftën e drejtë të saj.

Edhe pas Kushtetutës- Kushtetuta

Ditëve të fundit kam trajtuar edhe një temë me interes për Kosovën: nevojën e ndryshimeve dhe plotësimeve të kushtetutës së saj. I jam kthyer tri defekteve të mëdha të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për të cilat kisha bërë vërejtje qysh me nxjerrjen e saj.
E para, shprehjen e Kosovës si’shoqëri multietnike’, përkundër strukturës etnike dhe demografike të popullit të saj.
E dyta, tkurrjen e identitetit kombëtar shqiptar, me ‘heqjen dorë ose fshirjen nga kujtesa e vlerave të trashëguara kombëtare’.
E treta, ndalesat që iu bën Kosovës, si ‘shtet sovran’, për bashkim me një shtet tjetër ose pjesë të një shteti tjetër, një qëndrim i bashkësisë ndërkombëtare që, padyshim, nuk do të mund t’i qëndrojë kohës.(Shih në librin tim: ‘Rrugëtimet dhe labirintet e Kosoës dhe të shqiptarëve’, Forumi për Iniciativë Demokratike, Gjakovë, 2009, faqe 747).

1050 paraqitje publike
 
Këtë shkrim po e mbyll me informacionin se në Simpoziumin Shkencor ‘100 vjet nga Kryengritja e Malësisë 1011-2011’, në Tuz, më 4 e 5 prill 2011, shënova paraqitjen e 1050 publike për Kosovën dhe çështjen shqiptare përgjithësisht.