Edhe pse Kosova qysh në 17 shkurt 2008 kishte shpallur pavarësinë, tek  në 25 korrik 2011 “filloi t’i vie era shtet”. Në të vërtetë, përpjekja për t’i futur nën kontroll dy pikat kufitare, 1 dhe 31, në veriun e saj, shënuan fillimin e shtrirjes së sovranitetit në veri që përbën gurin e themelit të shtetit në kuptimin që i jep atij e drejta ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një ditë të shënueshme, sepse shteti serb për 12 vjet rresht e mbante nën kontroll atë pjesë të Kosovës, përkundër instalimit të forcave ndërkombëtare atje.

 

 

Ajo që është më e rëndësishme tash, në ditën e parë të shtrirjes së pushtetit, ligjit dhe kontrollit të institucioneve të Kosovës në veriun e saj, është që  Qeveria e Kosovës ,”me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë” të mos zmbrapset nga vendimi, në mënyrë që të mos e kompromentojë as veten dhe as të ardhmen e Kosovës, pavarësisht nga presione që mund të ushtrohen në të, veçanërisht nga BE-ja që vazhdon të mbajë “qëndrim neutral” ndaj pavarësisë së Kosovës, edhe pse Kosova deri më sot është njohur nga 77 vende të botës.
Ajo që u bë e qartë, madje  edhe nga një deklaratë e zëdhënëses  së ICO-së  është se :“sikur çdo vend sovran, edhe  Qeveria e Kosovës ka  të drejtë të ndërmarrë hapa për të siguruar administrim adekuat, përfshirë këtu kontrollin e kufirit dhe të doganave”, gjykim ky që bie ndesh me vlerësimin e EULEX-it , i cili qysh nga fillimi i aksionit, e konsideroi “ilegale” ndërhyrjen e Qeverisë në veri”, edhe pse vetë ai kishte si mision vendosjen e rendit dhe të ligjit.
Presidenti  serb  Tadiq deklaroi se pas këtij aksioni “fshihet një qëllim”. Nuk fshihet asnjë qëllim,z. Tadiq,  por bëhet i qartë i vetmi qëllim: që institucionet e Kosovës  pretendojnë  ta marrin pushtetin në territorin e veriut të Kosovës. Nëpërmjet realizimit të këtij qëllimi, Kosova, në fakt, synon t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë dhe asgjë më shumë, prandaj me të drejtë thuhet se” ai që kërkon drejtësi, nuk i shkakton askujt padrejtësi”.
Natyrisht se ky veprim kishte edhe një qëllim konkret: vendosjen e reciprocitetit midis dy vendeve.       
Mbetja në fuqi e këtij vendimi, pra zotimi i Qeverisë që të “mos devijojë” nga “rruga e nisur” do të krijojë një situatë krejtësisht të re në raportet Kosovë- Serbi, edhe pse Serbia do të përpiqet, të thuash, me “të gjitha mjetet” ta “kthejë gjendjen” e para 25 korrikut 2011.Ajo do të duhej “të mësohej”me këtë situatë e cila, vërtet ka qenë dashur të ndodh edhe  më heret.
Shprehur në mënyrë të përmbledhur,  veprimi që ndodhi në veriun e Kosovës, natyrisht nëse do t’i qëndrojë kohës, do të konfirmojë njëkohëisht tri gjendje:
E para, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran;
E dyta, se Kosova  ka Kushtetutë;
E treta, se Kosova ka institucione “të përkushtuara” që të zbatojnë “aktin themeltar juridik” në tërë territorin e Kosovës.
Këto tri gjendje nuk ishin dëshmuar asnjëherë prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2OO8 dhe këto ishin arsyet që përherë mbanim një qëndrim të rezervuar ndaj pavarësisë së shpallur dhe sovranitetit të deklaruar.
Nëse do të arrihej “të mbaheshin” këto tri gjendje,do t’i jepej fund përpjekjeve të Serbisë për “dualitet administrimi” në Kosovë dhe disfunksionalitetit të shtetit të Kosovës; do t’i jepej fund pretendimeve të Serbisë për “të hapur” tema të panegociueshme në “negociatat e pajustifikueshme”; do t’i jepej fund synimeve të Serbisë për “ të kërkuar hise”në pushtetin, ligjin dhe kontrollin në Kosovë.
Për t’u mbajtur këto tri gjendje, asnjëherë se më parë,  ndihet nevojë shumë e madhe për “t’u bërë bashkë”, për “të folur me një zë” dhe për të “goditur në të njëjtin cak” në mbrojtje të Kosovës, pavarësisë dhe sovranitetit të saj.