Një vendim i Qeverisë së Kosovës që “me mjete legale e ligjore” të shtrihet autoriteti i pushtetit të Kosovës në gjithë territorin e saj “i bëri bashkë” shqiptarët dhe ata folën më “një zë”. Mbështetja që “i erdhi” pozitës nga opozita, por dhe nga shoqëria civile, vërtetoi faktin se prapa një veprimi të drejtë e racional, dallimet në pikëpamje zbehen deri në masën sa që, në të vërtertë, shndërrohen në një qëndim të përbashkët të të gjitha forcave politike dhe shoqërore.Inkurajimi nga ana e Shqipërisë veçsa e rriti “shkallën e unitetit në pikëpamje”.

 

 

U dëshmua se uniteti nuk krijohet me “deklarata të mëdha”, por me kuptimin e drejtë të realitetit të Kosovës dhe të shqiptarëve dhe synimin për të ardhmen e tyre.
Aq sa u tregua e lartë shkalla e unitetit në pikëpamje rreth një vendimi dhe veprimi në bazë të tij, edhe më e lartë u shpreh në kërkesën që të mos bëhet kthim prapa dhe gatishmërinë e “të gjithëve” që të ndihmojnë për një ndryshim realiteti dhe jetësim të tij në një pjesë të territorit të Kosovës që prej kohësh nuk qeverisej nga institucionet e Kosovës.
Këto ditë i konsiderojmë si ditë të “rikëndelljes”. Ndarjet na kanë kushtuar shumë në të kaluarën dhe pasojat kanë qenë shumë të rënda. Tash topin e kemi “në këmbët tona” dhe nuk duhet të lejojmë që të “na merr kundërshtari”.
Jemi para nevojës së afrimit të ideve, mendimeve dhe pikëpamjeve, por nëpërmjet ballafaqimit dhe këmbimit të tyre në mënyrë që të arrijmë te zgjidhjet më të arsyeshme. Asnjë lider dhe asnjë parti nuk duhet të jetojë në iluzione se vetëm ideja, mendimi ose pikëpamja e tij ose e saj është racionale dhe se këtë duhet ta ndjekin të tjerët. Ka një interes më të madh mbi interesin e liderit  dhe të partisë. Eshtë interesi i shtetit dhe ai do të duhej të “na bashkonte”. Kjo do të duhej të ndodhte edhe në Kosovë, por edhe në Shqipëri.
Në qasjet e liderëve dhe partive do të duhej të kishte më shumë “qasje ndërtuese” sesa “qasje rrënuese”. Të armiqësoshesh me të tëndin, është njësoj sikur “t’ia vesh zjarrin shtëpisë sate”.
“Bashkimi rreth Kosovës”i këtyre ditëvei pozitarëve dhe opozitarëve,i të “djathtëve” dhe “të majtëve”, duhet të na forcojë ndjenjën e “të menduarit” , por edhe “të vepruarit” si një tërësi “në interes të kombit”, ndjenjë që, fatkeqësisht, na ka munguar në të kaluarën, prandaj dhe e kemi pësuar në histori. Njëkohësisht duhet ta na forcojë ndjenjën e “llogaridhënies” dhe përgjegjësisë për lëshimet dhe dështimet me të cilat do të pësonte interesi madhor për llogari të liderit ose partisë. Po sikurse që zotohemi se “do të jemi bashkë” në përpjekjet për të realizuar objektivat”, do të duhej të bëheshim bashkë edhe në gjykimin e përgjegjësve për lëshimet dhe dështimet eventuale për mosrealizimin e qëllimeve madhore.
Uniteti  nuk duhet të kuptohet si frazë, por si veprim i arsyeshëm politik “në kohë”. Në Kosovë ndodhi një veprim i arsyeshëm politik. Nuk do të dëshironim që nga “të sigurtë e entuziastë” nga ai veprim, të përfundonim me “heqjen e kafshatës nga goja”, në kohën kur “bëheshim gati ta gëlltisnim”. Veprimi i përbashkët dhe qëndresa e përbashkët përbëjnë çelësin që hap të gjitha dyert. Inkurajimi i NATO-s  dhe i fuqive të mëdha  na bëjnë që të ndihemi më të fuqishëm. Por, kujdes nga “gabimet në hapa”. Nuk do të na falej nëse nuk do të kuptojmë rëndësinë e çastit nëpër të cilin po kalojmë.