Serbia, me sjelljet e veta kohëve të fundit, sikur ndërgjegjësoi bashkësinë ndërkombëtare për një pozicionim (sa më ndryshe) ndaj kërkesave të saj.  Në të vërtetë, vetëm brenda një dite, Serbia mori dy përgjigje prej bashkësisë ndërkombëtare: të parën në lidhje me kërkesën e saj për të rikthyer gjendjen në kufijtë me Kosovën të para 25 korrikut 2011 dhe, të dytën, në lidhje me kërkesën e saj për një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së rreth zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës. 

 

 

Pas zhvillimeve të ditëve të fundit  në veriun e Kosovës, në 28 korrik 2011, zyrtarët  serbë u takuan me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler dhe në kërkesat e tyre morën përgjigjen: KFOR-i shpall zona ushtarake pikat 1 dhe 31.Për më tepër, Buhler i bëri me dije se “ka urdhër për të qëlluar mbi këdo që rrezikon personelin dhe pronën”. Sipas tij, “ushtarët kanë leje për të përdorur forcë vrasëse”. “KFOR-i është i prerë që “të mbajë rendin në pikat kufitare”.Ky vendim i KFOR-it ka pasuar gjendjen e krijuar me vrasjen e një pjesëtari shqiptar të Policisë së Kosovës dhe djegien e pikës kufitare në Jarinjë. Natyrisht se zyrtarët serbë kanë dalur të zhgënjyer nga takimi me komandantin e KFOR-it.

Zhgënjimin e dytë serbët e përjetuan me refuzimin e kërkesës së tyre për një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në të cilin, sipas ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiq, pretendonin ta sqaronin “verzionin e tyre” mbi ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës, pa vra fare mendjen për veprimet e tyre kriminale dhe të ndëshkueshme në po ato ngjarje.

Kësaj rradhe, bashkësia ndërkombëtare, sikur nuk ra në grackën e Serbisë, meqë i vështroi nga afër zhvillimet dhe krijoi përfytyrimin e qartë mbi to.

Pyetja që po e shtrojmë me këtë rast është se a i është dashur një kohë kaq e gjatë bashkësisë ndërkombëtare për “t’u ndërgjegjësuar” për skenarët e Serbisë sa herë që në Kosovë kanë ndodhur zhvillime të ngjashme dhe sa herë që për to ka kërkuar që “të mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së” që “të dënojë Kosovën dhe shqiptarët”.

Nuk ka fije dyshimi se kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim(sa të vonuar) të bashkësisë ndërkombëtare për sjelljet e Serbisë. Kujtojmë se kështu kishte ndodhur edhe me një vërejtje të vonuar dhe përgjegjësi të papranuar të UNMIK-ut në lidhje me ndodhitë në veriun e Kosovës në vitin 2007. Le të më lejohet që të sjellë një fragment të një shkrimi tim të botuar  në “Shqip”të Tiranës në 15 tetor 2007:” Prononcimi i UNMIK-ut  në lidhje me zhvillimet në veriun e Kosovës dhe veprimin e ‘institucioneve paralele’ atje, duke theksuar dhe pasojat  që mund të prodhohen për të ardhmen e Kosovës, me mundësi ndarjen e saj, paraqet një vërejtje shumë të vonuar, por njëkohësisht, edhe një përgjegjësi të(pa)pranuar prej tij për lejimin e involvimit të Serbisë në jetën dhe proceset në Kosovë prej përfundimit të luftës e këndej”.

 Zhvillimet në veriun e Kosovës dhe veprimi  i “institucioneve paralele” atje nuk ndodhin prej sot dhe për këtë duhej të ishin të vetëdijshëm edhe KFOR-i, edhe UNMIK-u. Shumë ndërhyrje të Serbisë në Kosovë kanë ndodhur “para syve” të bashkësisë ndërkombëtare dhe ajo është treguar shumë tolerante ndaj tyre, ndërsa vetë shqiptarët pothuajse indiferentë për zhvillimet që synonin “kthimin e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën”. Neglizhimet e bashkësisë ndërkombëtare inkurajuan dhe fuqizuan “institucionet paralele serbe”. Nuk u “kualifikuan”me kohë të dëmshme me mundësinë e prodhimit të pasojave të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Me kohë nuk “u sqaruan” punët me Beogradin dhe ai u inkurajua për “të kërkuar hise” në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare, më në fund, sikur “po i shtrëngon dhëmbët” karshi Serbisë dhe nga këmbëngulësia e saj për të mbajtur pozicionim të drejtë do të varet shumë e ardhmja e Kosovës. Bërthama e progresit në Kosovë është fuqizimi i shtetit.