(Intervistë dhënë gazetës së Prishtinës “Tribuna Shqiptare”(1 nëntor 2011)


Tribuna Shqiptare: Si e shihni aksionin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për vendosjen   e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës?
Esat Stavileci: Aksionet e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për  vendosjen e rendit  dhe ligjit në veri të Kosovës  ende janë më shumë të karakterit deklarativ sesa të veprimit konkret, megjithë pompozitetin publik  që u jepet atyre aksioneve. Nuk ka dyshim se është shumë më lehtë të   deklarosh sesa të veprosh. Ndonjëherë deklarohet se ‘po ndodh’ diçka që, në të vërtetë, do të duhej të ndodhte. Vendosja e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës është shumë më shumë se kontrolli i dy pikave kufitare. Prandaj, u mbetet shumë për të bërë, si institucioneve vendore, ashtu edhe atyre  ndërkombëtare për të vendosur rend e rregull në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Kushtet dhe rrethanat e tanishme në veriun e Kosovës e vështirësojnë pamjen e qartë të rrumbullakimit të shtetndërtimit në atë pjesë të territorit.

 


Tribuna Shqiptare: Pas këtij aksioni, banorët serbë i kanë bllokuar të gjitha rrugët që çojnë në pikat kufitare 1 dhe 31. Mirëpo, një muaj më vonë, KFOR-i  ka marrë vendim për largimin e barrikadave. Pse është dashur që të pritet kaq gjatë për largimin e tyre?
Esat Stavileci: Më lejoni që, më parë, t’i kthehem një mendimi tim të shfaqur në një shkrim të botuar në gazetën “Shqip” të Tiranës, qysh më datën 15 tetor 2007 se mosvendosja e përgjegjësive  të KFOR-it dhe të UNMIK-ut  në veriun e Kosovës “ tërheq vërejtjen për zhvillimet në këtë pjesë të Kosovës dhe veprimin e institucioneve paralele atje, duke theksuar dhe pasojat që mund të prodhohen për të ardhmen e Kosovës, me mundësi ndarjen e saj, pa vra mendjen se vetë janë bashkëpërgjegjës për ato zhvillime që karakterizohen jo vetëm me veprimin e strukturave paralele ilegale serbe, por edhe me moszbatimin e ligjeve në fuqi, mosfunksionimin e mekanizmave të sigurisë dhe, si rrjedhojë, me frikën e qytetarëve të asaj pjese të Kosovës për të ardhmen e tyre”.  
Edhe katër vjet më vonë, KFOR-i  ende “nuk po i tregon dhëmbët”, kështuqë serbët lokalë “para syve të tij”, i ngrehin barrikadat sikur “lodrat e fëmijëve”të cilëve “nuk mund t’ua prishësh” se “mbërthejnë në vaj”. Ju po shtroni pyetjen: pse është dashur të pritet aq gjatë? Unë mendoj se me këtë qëndrim të KFOR-it do të pritet dhe do të pritet shumë më gjatë sesa që KFOR-i  deklarohet me “të zbardhur të dritës” nesër, pasnesër, javën tjetër, muajin tjetër…

Tribuna Shqiptare: Pse është lejuar kjo ?
Esat Stavileci: Mendoj se asgjë nuk ndodh rastësisht. Rastësisht nuk ka ndodhur as   Mitrovica dhe as veriu. Rastësisht nuk ndodhin as barrikadat. I rastësishëm nuk është edhe neglizhimi i KFOR-it. Problemi është më i  madh dhe adresa e tij është në qëndrimin e palëkundur të Brukselit që, përkundër deklarimeve kundër ndarjes së Kosovës, mban “qëndrim neutral” karshi shtetit të Kosovës dhe me këtë “ia lë të hapura” dyert Serbisë që të involvohet në zhvillimet në Kosovë. Eshtë kohë e fundit që Brukseli të ndërgjegjësohet se një vend ose është ose nuk është shtet; ose ka ose nuk ka pavarësi; ose ka ose nuk ka sovranitet. Europa në vend se ta ndëshkojë Serbinë për involvimet në veri  të Kosovës, “e mirëpret” në gjirinë e saj pa kushte. E vetmja gjë që kërkon prej Serbisë është “ angazhimi konstruktiv në dialogun me Prishtinën dhe zbatimi i marrëveshjeve të aritura deri tani” që, në të vërtetë, janë “lehtësime”  për ta marrë statusin e kandidatit.
 Tribuna Shqiptare: A mendoni se Qeveria e Kosovës e ka seriozisht shtrirjen e autoritetit të vet edhe në këtë pjesë të Kosovës?
Esat Stavileci: Për këtë do të duhej pyetur qeveria. Defektet që e kanë shoqëruar dhe që vazhdojnë ta shoqërojnë politikën në Kosovë kanë prodhuar një qeverisje të paefektshme përgjithësisht dhe në pjesën veriore, në mënyrë të veçantë; një shkallë të lartë të papajtueshmërisë midis koalicionit qeverisës dhe opozitës në drejtimin e shoqërisë; ndonjëherë dhe ç’rregullim të veprimit institucional dhe demokraci  të lënduar me elektorat të zhgënjyer, në përmasat që kanë vënë në pyetje vetë të ardhmen e Kosovës. Aksionet për shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës duhet “çuar në fund “. Lënë shumë për  të dëshiruar. Qeveria është treguar shumë indolente ndaj  shumë  zhvillimeve që kanë ndodhur më parë  në veriun e Kosovës. Ato zhvillime kanë ndodhur “para syve” të UNMIK-ut i cili, në mënyrë të tërthortë, ndihmoi pothuajse legalizimin e veprimit të pushtetit të Beogradit në pjesën veriore të Kosovës, sikur pika e kufirit të ishte te lumi Ibër, pa vra mendjen se kufiri i Serbisë me Kosovën është shumë e shumë më larg. Neglizhimet e UNMIK-ut “krijuan një realitet” kundër të cilit Qeveria e Kosovës  asnjëherë nuk reagonte me fuqinë vepruese dhe përpjekjet për ta ndryshuar atë realitet   më 25 korrik 2011 sikur dëshmuan se ajo e ka “me tamam”. Bërthama e progresit në veri të Kosovës është pikërisht shtrirja e sovranitetit të institucioneve të Kosovës, krijimi i kushteve për vendosjen e rendit dhe ligjit atje. Më në fund, Kosova ka një kushtetutë dhe janë të papranueshme “dy rende juridike” në një vend. Prandaj, çdo opsion dhe çdo model që “prek në tërësinë territoriale”; që pamundëson shtrirjen e institucioneve të Kosovës në gjithë territorinë e saj; që pamundëson zbatimin e ligjit unik në gjithë hapësirën e saj,janë opsione dhe modele të cilave Qeveria e Kosovës do të duhej t’u përgjigjej me vendosmërinë më të madhe dhe vetëm ashtu do të mund të kuptonim sesa me të vërtetë është serioz angazhimi i saj. Do të ishte fatkeqësi për Kosovën sikur politika dhe interesat partiake të vendoseshin mbi interesat e shtetit
Tribuna Shqiptare: Kosova dhe Serbia e kanë nisur dialogun teknik, me ndërmjetësimin e BE-së. Janë arritur edhe disa marrëveshje. Serbia së fundi ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut, duke kërkuar që pjesë e dialogut të jenë edhe pikat doganore në veri?
Esat Stavileci: Serbia asnjëherë nuk i ka fshehur pretendimet e saj. Nuk i fsheh edhe më këtë kërkesë.E para, sikur është për dialog, e  e ndërpret atë kur nuk i përgjigjet. E dyta, kërkon që në dialog të diskutohen vetëm ato pika që për të paraqitën të rëndësishme. E treta, nuk heq dorë nga angazhimi për të penguar proceset e shtetbërjes në Kosovë, sepse deklarohet haptas kundër pavarësisë së saj. E katërta, tregon “gatishmëri për marrëveshje”e asnjëherë nuk angazhohet për përmbushjen e tyre.
A nuk flet kjo për shterpësinë e dialogjeve deri  tash të mbajtura, përfshirë edhe ato në Vjenë? A nuk flet për të qenët të pabarabartë dhe për  mosnjohjen e subjektivitetit të Kosovës nga ana e Serbisë, deri në masën sa të shtrohet pyetja: atëherë përse Kosova të jetë e interesuar për dialog në ato kushte dhe rrethana.
Tribuna Shqiptare: Atëherë çfarë do të prisni nga Serbia?
 Esat Stavileci: Përherë kam mbajtur qëndrim të rezervuar ndaj dialogut me Serbinë, e mbaj edhe tash, përderisa ajo nuk ndërgjegjësohet se Kosova tashmë është shtet i njohur nga 84 vende të botës. Nuk kam asgjë kundër sikur dialogu të zhvillohej ndërmjet dy shteteve të njohura reciprokisht dhe në kushte të barabarta.              
Tribuna Shqiptare: Opozita ka kërkuar ndërprerjen e dialogut dhe përqëndrimin e  Qeverisë  vetëm në shtrirjen e sovranitetit në veri. A është zgjidhje kjo?
Esat Stavileci: Opozita ka kërkuar ndërprerjen e dialogut dhe përqëndrimin e institucioneve të Kosovës institucioneve të  Kosovës në shtrirjen sovranitetit , por nuk mori përgjigje pohuese, sikurse edhe më parë, edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës. Sado i “politizuar”, Kuvendi doli pothuajse me “një qëndrim”.
Tribuna Shqiptare: Komisioni për ndryshime kushtetuese ka filluar amendamentimin e Kushtetutës dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor, ku parashihet zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nga qytetarët. Si e vlerësoni këtë?

Esat Stavileci: Janë të nevojshme dhe nisma të tjera rreth  ndryshimeve dhe plotësimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse ajo vërtetë ndien mungesë të rirregullimit edhe në fusha të tjera, si në parime që I referohen të qenët shtet sovran dhe i pavarur, ashtu dhe në disa pjesë normative të saj, si për shembull, në kapitullin për  praninë ndërkombëtare. Kosova ndien nevojën për “më shumë” pavarësi  dhe sovranitet, pra edhe për më shumë vendimmarrje në institucionet e saj. Sot Kosova është relativisht e kufizuar në disa dimensione, fakt ky që e bën vetvetiu të kufizueshme edhe qeverisjen e vetë institucioneve. Kosova do të duhej që, gradualisht, të fuqizojë shtetësinë e saj dhe t’u ngjajë shteteve të tjera në kuptimin juridik të fjalës. Eshtë koha që Kosova”ta marrë vetën si shtet”. Por për këtë, s’ ka dyshim se duhet angazhim më i madh i institucioneve vendëse dhe “bërje e politikës” më shumë për “interesa të shtetit sesa për interesa të ngushta partiake. Sa i përket pyetjes rreth zgjedhjes së presidentit, mendoj se zgjedhja e drejtpërdrejt e tij prej popullit është më demokratike, sepse vetëm në atë mënyrë mund të sigurohet që ai, vërtet, të bëhet përfaqësues i denj i tij. Edhe në Kosovë duhet të perëndojë koha për politikanët që vetëm “marrin prej politikës”. Kosova gjithnjë e më shumë po ndien nevojën  për politikanë që politikës i ofrojnë ide e zgjidhje.    
Tribuna Shqiptare: Nëse ndonjë subject do t’ju propozonte për kandidat për president, a do të pranonit t’I hyni kësaj gare?
Esat Stavileci: Nuk më duket racionale që të ngarkohem me këtë temë “përpara kohës”. Jam koshient që është nder i madh nëse “të zënë në gojë”, qoftë edhe pa të nominuar fare për president. Por, është një numër faktorësh që në momentin e duhur, mund të jetë përcaktues. Ata që më njohin e dinë se nuk kam ambicie të theksuara për politikë dhe për pushtet, edhe pse për to kam shkruar mjaft dhe vazhdoj të shkruaj.  
Tribuna Shqiptare: A keni pasur ndonjë kërkesë apo kontakt nga ndonjë subject politik për këtë çështje?
Esat Stavileci: Ndoshta  kam një të drejtë që të mos përgjigjem  në këtë pyetje. Edhe në të do të përgjigjem  “në kohë”.

4.     Nuk më pyetet se “çfarë kam në duar”. Janë dy a tri projekte që mund të përfundojnë vitin 2012. Janë angazhime në fushën profesionale. Kam në përfundim e sipër një libër të shkruar për herë të parë në veten e parë . I ngjan më shumë një ditari politik. Do të dëshiroja që me te të shënoja 70 vjetorin e lindjes sime. Natyrisht se nuk heq dorë nga pjesëmarrja në konferenca dhe simpoziume shkencore, qofshin ato kombëtare apo ndërkombëtare në të cilat trajtohen tema me interes për Kosovën dhe çështjen shqiptare përgjithësisht, edhe pse, ç’ është e vërteta, na mungojnë viteve dhe kohëve të fundit. Na duhet rrahje e mendimeve për “tema të mëdha”, me kusht që në to, si shprehem ndonjëherë, të ketë më shumë  mendime sesa përsëritje, më shumë meditim, sesa verbalizëm dhe më shumë  mendim kritik sesa oportunizëm.