Lexova tekstin e plotë të letrës suaj me të cilën i drejtoheni  baroneshës Ashton dhe komisionerit Fuele. Nuk më bëri përshtypje kërkesa juaj për “dialogun e mëtutjeshëm rreth veriut mes Prishtinës dhe Beogradit” dhe gjykimi juaj se “koha ka ardhur që të lëvizim përtej çështjeve ngushtë  të definuara teknike”.
Nuk është vështirë të nxirret përfundimi se nga Jini pozicionuar me këtë kërkesë dhe me këtë gjykim, z. Bild. Ju njohim edhe nga paraqitjet e mëhershme për çështjen e Kosovës  dhe angazhimin tuaj të pandërprerë:

 

 

E para, që Serbisë me çdo kusht t’i jepet statusi i kandidatit për pranim në BE.
E dyta, që për ngjarjet në veri të Kosovës të shfajësohet Serbia.
Ky angazhim i tashëm i juaj flet për vazhdimësinë e një qëndrimi tuaj të pafavorshëm për çështjen e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Ju Jini z. Bild ai që kishte zënë në gojë statusin hibrid të sovranitetit të Kosovës në kohën kur edhe juve, më në fund, iu bë e qartë se “Kosova nuk do të mund të mbetet nën  Serbinë”. Patët përmendur  “sovranitetin në shtresa” që nuk mund të shpjegohej ndryshe veçse një opsion i Juaj  “që nënkuptonte një mes midis mbetjes së Kosovës nën Serbinë dhe pavarësimit të plotë të saj”, opsion ky jashtë çdo logjike kushtetuese dhe jashtë çdo realiteti   politik.
Ju mbajmë në mend edhe për një letër të para disa vjetëve dërguar kolegëve Tuaj europianë, ku patët shtruar disa pyetje thelbësore për statusin e Kosovës, duke filluar nga ajo nëse BE-ja duhet të marrë kontrollin mbi pjesën veriore të Kosovës apo ta pranojë “de facto” ndarjen.
Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Ju silleni ndaj Kosovës sikur ajo të mos kishte status të zgjidhur dhe sikur ai status i ri i saj të mos ishte njohur nga një numër i madh   i shteteve të Europës dhe të botës, përfshirë aty dhe shtetin të cilin e përfaqësoni  në diplomacinë europiane.
Z. Bild, një vend ose është ose nuk është shtet; ose ka ose nuk ka pavarësi; ose ka ose nuk ka sovranitet. Eshtë e vërtetë se shteti i Kosovës   është i kufizuar në disa dimensione të tij,por kjo nuk ju jep të drejtën që të deklaroni, sipas një kabllogrami diplomatik të bërë publik nga Ëikileaks nga një takim në Stokholm në 11 dhjetor 2007, se “pa një regjim special, veriu do të shpallë pavarësinë e vet nga Kosova”. Serbët në veri vërtet kohëve të fundit e përmendin shpalljen  e pavarësisë, por nuk i përmendin dhe mentorët e tyre, ata që “u prijnë nismave të tyre”.
Në letrën tuaj ju sikur dëshironi të lini përshtypjen se jini kundër ndarjes së Kosovës(“ne duhet të jemi të vendosur në refuzimin e çdo nocioni  të ndarjes”), por atë që e mendoni, në të vërtetë, e shprehni në vazhdim të po të njëjtës fjali: “ ne duhet poashtu të jemi realistë sa duhet për ta pranuar se nuk do të ketë zgjidhje të lehtë për të tejkaluar ndasinë ekzistuese që momentalisht është duke u rritur më e fuqishme dhe më armiqësore çdo ditë” që, kur e studioni bie ndesh në thelb gjoja me angazhimin tuaj kundër  ndarjes.
Më lejoni, z. Bild, që me këtë rast t’ i referohem disa fakteve në lidhje me temën që kini hapur në letrën tuaj drejtuar baroneshes Ashton dhe komisionerit Fuele.
E para, vendosja e Administrimit të Përkohshëm Civil Ndërkombëtar në Kosovë që në fillim u shoqërua me paqartësi dhe dilema.Misioni i OKB-së në Kosovë pati kërkuar prej popullit që përjetoi gjenocidin “të zbatojë të drejtën” e shtetit që e ushtroi atë gjenocid ndaj tij, shtet që, në fakt, nuk ekzistonte më, as në kuptimin politik dhe as në atë gjeografik.
E dyta, Rezoluta 1244 në preambulën e saj “iu kthye” një krijese shtetërore dhe ruajtjes së sovranitetit  të saj, edhe pse po ai organ, me dy rezoluta të mëhershme 757/1991 dhe 777/1992, kishte konfirmuar “vdekjen e saj”dhe mosnjohjen automatikisht të trashëgimisë juridike të “Jugosllavisë së Re”(Serbi dhe Mali i Zi).
E treta , UNMIK-u në Kosovë që nga fillimi i shtrirjes së misionit të tij, u angazhua për një” Kosovë multietnike”, pa vra mendjen për strukturën reale demografike dhe etnike të Kosovës.
E katërta, Kosova , si entitet historik, nacional dhe social-politik, me një identitet e individualitet të pamohueshëm, ka një strukturë etnike me shumicë dominante shqiptare.
E pesta, neglizhimet e UNMIK-ut inkurajuan dhe fuqizuan institucionet paralele serbe në veriun e Kosovës.
E gjashta, kërkesa serbe për një autonomi të gjërë të cilin e mbështesni dhe ju në letrën tuaj, synon përligjjen e një realiteti të ri në veriun e Kosovës.Nëpërmjet kësaj kërkese, ideja territoriale na shfaqet si “formë e zgjidhjes së konfliktit ndëretnik shqiptaro-serb që, në fakt, mund të sherbejë si shkas për konflikt të ri.
E shtata, projekti serb nuk ka të bëjë me “ruajtjen e interesave serbe në Kosovë”, por me përligjjen e territoreve serbe.
Prandaj, nëse kini parasysh këto fakte, më ç’arsye kërkoni vazhdimin e dialogut”përtej çështjeve teknike”. Në vend se përgjegjësinë për veriun e Kosovës t’ia adresoni Qeverisë së Kosovës,ju do të duhej që të ftoni bashkësinë ndërkombëtare të instaluar në Kosovë që të eleminojë fuqishëm involvimin e Beogradit në jetën politike në Kosovë  dhe zhbërjen e strukturave ilegale. Cdo zgjidhje tjetër nuk do të paraqiste zgjidhje “në funksion të stabilitetit”, por do të prodhonte një destabilizim vështirë të riparueshëm për tërë rajonin.