Me një shkrim, sado përmbledhës që pretendon të jetë, njeriu e ka shumë të vështirë të flas dhe të thotë gjithë atë që do të duhej të thoshte për  një njeri të madh  me të cilin  e lidhin kujtimet më të mira qysh nga njohja e parë me të. Njohja me të kishte ndodhur në kohën e draftimit të Kushtetutës së Shqipërisë kur, pikërisht me iniciativën e tij, ishte ftuar një grup ekspertësh juridikë nga Kosova që të shprehen rreth zgjidhjeve që ofroheshin në dokumentin më të lartë juridik të shtetit. Nuk ishte ftesë kurtoazie, por ftesë shumë e sinqertë për vendosjen e urave të bashkëpunimit Shqipëri- Kosovë dhe në fushën  e hartimit të akteve kushtetuese. Herën e fundit takimin me te e kisha ne Tetovë kur u zhvillua një debat rreth Enciklopedisë së Akademisë maqedonase të Shkencave dhe të Arteve.

Ndërkohë, e kisha takuar edhe disa herë të tjera në Tiranë. Nuk mund të mos shprehem me respektin më të madh për politikanin e urtë dhe shkrimtarin frymëzues me vepra nga historia dhe letërsia.

 

Mirë e ka thënë Shopenhaur:” Njerëzit e mëdhenj bëjnë një jetë të dyfishtë, janë në të njëjtën kohë spektatorë dhe aktorë..”Kështu ishte dhe me Sabri Godon, me dallimin që ai u shqua më shumë me “të qenët aktor”në proceset e vështira të transicionit në Shqipëri.    
Edhe Napoleoni na ka lënë një fjali shumë  të urtë: “Njerëzit në fytyrë janë të gjithë të njëllojtë me Zotin; dituria, talenti dhe virtytet janë të vetmet ndryshime që e dallojnë njerin nga tjetri.” Pikërisht janë virtytet njerëzore që e kanë dalluar Sabri Godon, marr guximin të shprehem, nga të gjithë njerëzit, politikanë e krijues,  që kam njohur në Shqipëri  ç’prej se, për herë të parë,  kam shkelur në te në vitin shumë të largët 1967. E kam konsideruar njërën nga “figurat më të kompletuara të politikës” në Shqipëri.  
Në kohë shumë të vështira për Shqipërinë dhe Kosovën,  kisha provuar  një burrë që nuk i ndante dhe nuk pranonte t’i ndante interesat kombëtare të shqiptarëve. Ishte shumë i  thellë dhe i drejtpërdrejt kur fliste për të kaluarën, për kohën kur jetonim si botë krejtësisht të ndara. Porosia bëhej shumë e qartë. Përveç tjerash, edhe për këtë ju kam ftuar në Komisionin për hartimin e Kushtetutës, ma thoshte një ditë përderisa pinim kafe në një prej kafeneve në afërsi të godinës ku takohej Komisioni për hartimin e Kushtetutës. Edhe më i sinqertë ishte mendimi: e di për mundësitë e kufizuara të përfilljes së propozimeve tuaja, por të mësohemi që të punojmë bashkë në projekte që janë më interes për  të dyja  anët. Shumë afër zemrës e kam Kosovën dhe deri në vdekje do të punoj për realizimin e ideve të popullit të saj, fliste në kohën kur në  persiatjet për Kosovën dhe statusin e saj qarkullonin opsionet nga më të ndryshmet. Ishte shumë këshillues. Na thoshte që të jemi shumë të vëmendshëm që të pranojmë vetem atë që është e pranueshme për popullin dhe të refuzojmë  çdo opsion që bie ndesh me vullnetin politik të tij.
Arsyeja dhe pasioni  qenë “timoni dhe velat” e Sabri Godos në lumenjtë e jetës që për asnjë moment nuk u thyen në lundrën e tij. I pëlqente një mendim i Senekës se : “Tri janë gjërat që duhen evituar më tepër: urrejtja, zilia, përbuzja”. Vërtet, në jetën e tij nuk shfaqi urrejtje ndaj asnjërit; nuk pati zili askënd dhe nuk përbuzi njeri.
Lidhjet midis njerëzve qëndronin lart në tabelen e klasifikimit, madje edhe më lartë se  cilësitë e tyre.Cilësitë mund të kundërshtojnë njëra- tjetrën, thoshte Shnhicler, por “megjithate, lidhja realizohet”. Vërtet, Sabri Godon e dallonte nga të tjerët dhe lidhja me njerëzit. Ishteë shumë i afërt   dhe shumë miqësor. Ma kujtonte atë mendimin e urtë se të armiqësohesh me të tëndin, është njësoj s’i t’i vesh zjarrin shtëpisë sate.
Sot të gjithë flasin mirë për Sabri Godon. Por, “gjithkujt i duket më e bukur  ajo që shohin në distancë”. Mendoj se për Sabri Godon njësoj mirë, ndoshta edhe më mirë, do të flitet nesër, kur do të ndihet mungesa e tij dhe e arsyes në politikën  kombëtare.
Eshtë e dhimbshme të konstatojmë, por një Godo kishte Shqipëria. Do të jetojmë, “duke pritur” Godon tjetër. Sa gjatë do ta presim?