BE-ja bëri bilancin e fundvitit të raporteve Kosovë- Serbi dhe nuk ndau asnjë shpërblim për asnjërën prej palëve negociatore. Kosova nuk qe fare në listë të të shpërblyerve të mundshëm, ndërsa Serbisë iu tha se çmimin “mund ta marrë” në pranverën e vitit 2012, nëse do të ketë një angazhim më të madh në “lojën shtesë” me Kosovën.

 

 

Edhe Kosova, edhe Serbia, duhej të kishin parasysh një rrethanë rënduese të BE-së në kohën kur mendohej se do të mund të shpërbleheshin prej saj. Prej BE-së nuk vijnë lajme të mira sa i përket të ardhmes. Këtë e konfirmoi vetë takimi i mbajtur këtyre ditëve i Këshillit Europian. Në të dolën në sipërfaqe përplasje relativisht të mëdha dhe, në njëfarë mënyre, u konfirmua kriza e brendshme që ekziston, si pasojë e krizës së eurozonës, e euros dhe ekonomisë europiane përgjithësisht. Si Kosova, ashtu dhe Serbia, që “prisnin dhuratën e Babadimrit për fund të vitit”, nuk  kishin llogaritur faktin se BE-ja kishte prioritete më të mëdha se problemin e Kosovës me “liberalizimin e vizave” dhe atë të Serbisë me “marrjen e statusit të vendit kandidat”. BE-ja ishte ndeshur kohëve të fundit me plasaritje të brendshme, kështu që kishte gjasa të vogla që BE-ja të mirrej me mundësitë e zgjerimit të saj, në kohën kur kërcënohej me rrezikun për të ardhmen e vet. Në këtë mënyrë, as “dëgjueshmëria e Kosovës” dhe as “padigjueshmëria e Serbisë” nuk morën “nota kaluese” për “ta kaluar vitin”.

Kosova as që u përmend dhe ky përbën një shqetësim, sepse Kosova “nuk kurseu” pothuajse asgjë  për t’ i ndihmuar negociatat me Serbinë për të cilat vazhdohet të thuhet se janë “vetëm teknike”, pa vra mendjen se në to  bëhet madje “politikë e madhe”. Marrëveshja për “menaxhim të integruar të kufirit” nuk është pa konotacione politike. Mjafton të ndalesh vetëm te emërtimi që përdorët për kufirin e Kosovës  me Serbinë dhe shumë gjerë të bëhen të qarta. Me kompromisin e arritur midis dy delegacioneve në negociata, shërbimi nuk i është bërë Kosovës, por drejtpërsëdrejti Serbisë. Nuk ka fije dyshimi se “çështja e emrit dhe e simboleve në vendkalimet kufitare me Serbinë janë çështje esenciale politike e jo teknike”. Prej zyrtarëve tanë thuhet se “janë zbatuar standardet ndërkombëtare”. Mirëpo,  “kalim”, si thuhet në marrëveshje,  nuk do të thotë ende “kalim kufitar”, aq më pak midis dy shteteve reciprokisht të njohura.

Se nuk bëhet fjalë për “njohjen e kufijve të Kosovës” nga ana e Serbisë flet edhe një fakt tjetër. Ekzistojnë kritere të tjera për shënimin e vendkalimeve kufitare me vendet e  tjera, për shembull, me Maqedoninë dhe Malin e Zi.Cila është arsyeja që këto kritere të mos zbatoheshin edhe në raportet e Kosovës me Serbinë?

Përderisa prej Kosovës kërkohet “përmbushje e kushteve” për “liberalizimin e vizave”, prej Serbisë kërkohet që të jetë më e vëmendshme “rreth kontrollimit dhe qetësimit të gjendjes në veri të Kosovës”.

Në këtë mënyrë,Serbia “provimin e vjeshtës” do ta ketë në pranverë, ndërkohë që Kosova duhet “të mësojë shumë më shumë” që t’i shtrohet provimit të parë, pa garanci se do të dalë me “notë kaluese”.