Mendohet se kurrë nuk është folur më shumë dhe se kurrë nuk është shkruar më shumë se sot. A thua pse? Një e dhënë flet për rritjen e vazhdueshme të “prodhuesve të ideve”. Secili “prodhues i ideve” ka filozofinë e vet të të menduarit. Prandaj, “na bie hise” që të dëgjojmë fjalë nga më të ndryshmet dhe të lexojmë  shkrime nga më të ndryshmet., sepse potencialet e “prodhuesve të ideve” janë, poashtu, nga më të ndryshmet.
Asnjëherë nuk është folur dhe nuk është shkruar më shumë se sot për “fjalën e lirë” dhe asnjëherë nuk është kërkuar më shumë se sot mbrojtja e saj. Por, sa më shumë që flitet dhe shkruhet për “fjalën e lirë” dhe sa më shumë që kërkohet mbrojtja e saj, sikur lihet në harresë keqpërdorimi i saj.

 

 

E drejta e “fjalës së lirë” nuk kupton njëkohësisht dhe “të drejtën” për keqpërdorimin e saj.

Supozohet se fjala dhe shkrimi janë prore “në marrëdhënie të afërt” në mes tyre , si “procese pothuajse të ndërlidhura për të prodhuar dije”.
“Loja” e folësit dhe shkruesit “i ngjan lojës së prodhuesit me konsumuesin”. Po sikurse që dallojnë “potencialet e prodhuesve”, dallojnë edhe “potencialet e konsumuesve”.
“Fjala e lirë” kërkon prej folësit dhe shkruesit që “ta mbajnë nën kontroll” mendimin. Kjo zotësi e folësit dhe shkruesit paraqet “thelbin e mendimit të tij”. Një shembull dhe një krahasim mund të ndihmojnë në zbërthimin e konstatimit të mësipërm. Për shembull, konstruktori i urës dhe skicuesi i ligjit, së pari “hartojnë modelet provuese” e më pastaj “nxjerrin produktin final”. Kështu do të duhej të ishte edhe me folësin dhe me shkruesin: më parë duhet të mendojnë, e më pastaj, duhet të flasin dhe të shkruajnë. Por, a ndodh gjithnjë kështu? Sigurisht se jo, prandaj dëgjojmë fjalë e lexojmë shkrime “të pamenduara”, të tilla  që nuk prodhojnë tjetër veçse “mendime të pandërgjegjshme”.
Mjafton t’i hedhim një sy mediave tona, veçanërisht atyre të shkruara, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, që ta dëshmojmë këtë pohim.

Cili është  dallimi midis mendimeve të ndërgjegjshme dhe mendimeve të pandërgjegjshme?

Ky dallim bëhet veçanërisht në teoritë psikologjike të mendimeve dhe ai, në parim, shprehet   si dallim i mendimeve “racionalisht të kontrolluara” dhe mendimeve “irracionale”.
Neisser flet për disa verzione të kësaj dihotomie mendimesh. Ndër të tjera, ai thekson “intuitën përkundër arsyes” dhe “mendimin vetor përkundër mendimit realist”. Nënvizon se “në themelin e këtyre dihotomive qëndron dallimi midis tipit logjik realist të të menduarit dhe të fragmenteve të pakapura të mendimit të cilat,  kohë pas kohe, paraqiten dhe humbin, pa i respektuar ligjet e logjikës, por “ndodhitë e asociacioneve të lira”.


Dallimi midis fjalës së lirë dhe mendimit kritik

Shumë folës dhe shkrues nuk e bëjnë dallimin midis “fjalës së lirë” dhe mendimit kritik. Cili është mendimi kritik?
Mendimi kritik është “një proces i ndërlikuar i përfshirjes së ideve dhe burimeve në mënyrë krijuese, i  rikonceptualizimit dhe risktrukturimit të koncepteve dhe informacionit. Ai është proces njohës, veprues dhe ndërveprues, i cili ndodh, njëkohësisht , në mjaft nivele të menduarit”.

Kultura e të folurit dhe kultura e të shkruarit-pjesë e kulturës në pëgjithësi
 
Prej folësve dhe shkruesve kërkohet që të kenë një kulturë të të folurit dhe të të shkruarit që janë “pjesë të pandashme” e kulturës në përgjithësi. Prandaj, kulturën e të folurit  dhe kulturën e të shkruarit nuk mund t’i vështrojmë jashtë kulturës në përgjithësi, por si “pjesë përbërëse” të saj.
Teoria e kulturës iu ka qasur përkufizimit të saj nga autorë të ndryshëm dhe nga kënde të ndryshme. “Pikë e përbashkët” e të gjitha përkufizimeve të kulturës së përgjithshme është se ajo, në të vërtetë, paraqet një “sferë komplekse” që, vështruar nga nevoja për të nxjerrë domethënien e saj, ende nuk ofron asgjë. Po qe se “do të ndjeknim këtë rrugë” të përkufizimit, duke e konsideruar atë si “sferë komplekse”, do të duhej që, së paku, në vija të përgjithshme, të shprehim rrafshin e atij kompleksiteti të kulturës së përgjithshme. Përpjekja për ta bërë këtë na shpien: së pari, tek traditat dhe, së dyti, tek përvojat, të cilat reflektohen nëpërmjet kulturës së përgjithshme dhe që ndërlidhen me zhvillimin shpirtëror “në të gjitha fushat e jetës”, pra edhe në fushën e të folurit dhe të shkruarit. 
Përkufizimi më i plotë i kulturës së të folurit dhe i kulturës së të shkruarit nuk kundrohen jashtë një shoqërie në të cilën kultivohen dhe brendapërbrenda së cilës zhvillohen për shkakun se elementet që i përbëjnë, shprehin “vlerat, bindjet dhe qëndrimet” deri tek “simbolet, prirjet dhe format” e sjelljeve në raport me të folurit dhe të shkruarit dhe jo vetëm me ato. Nuk ka dyshim se ato çështje i përkasin edhe “përzgjedhjes së drejtimeve dhe qëllimeve të zhvillimit të tërësishëm shoqëror”.
Mirëpo, vështirë se “mund të vëhet pikë” këtu dhe të thuhet ja kjo është kultura e të folurit dhe kjo është kultura e të shkruarit. Për të nxjerrë kuptimin më të saktë të kulturës së të folurit dhe kulturës së të shkruarit, ndoshta duhet vendosur një katërkëndësh, ku secili prej këndeve do të mund t’i referohej: së pari, kulturës së përgjithshme; së dyti, krijimtarisë; së treti, dijes dhe së katërti, përvojave jetësore të folësve dhe të shkruesve. Nuk ka dyshim se këta faktorë dhe “përsosshmëria” e tyre ndikojnë në “hapësirat dhe mundësitë” e tyre për të folur dhe për të shkruar.
Të vështruara kështu, kultura e të folurit dhe kultura e të shkruarit janë nënsisteme të kulturës së përgjithshme që përmbledhin normat dhe parimet mbi mënyrat e drejtimit dhe të qeverisjes së shoqërisë “nëpërmjet kulturës së të folurit dhe kulturës së të shkruarit”.



Kultura e të folurit dhe kultura e të shkruarit përcaktojnë sjelljet e folësve dhe të shkruesve në fushën e kulturës në përgjithësi.

Ato “mbartin me vete” koncepte dhe veprime që mund të jenë me ndikim në dëgjuesit dhe në lexuesit. Ato ndikojnë në uljen ose rritjen e ndjenjës së besimit të dëgjuesve dhe të lexuesve në folësit dhe në shkruesit. Prandaj, mund të nxirret përfundimi se kultura e të folurit dhe kultura e të shkruarit e lehtësojnë perceptimin ose, të kundërtën, e vështirësojnë dhe e errësojnë atë për të kuptuar të vërtetën për  atë që flitet dhe që shkruhet.
Këtyre parimeve duhet t’u përmbahen edhe fjalët edhe shkrimet që  mëtojnë të paraqesin “realitetet ndryshe” nga ato që ndodhin në të vërtetë. Gjithë ajo propagandohet se bëhet në emër të “fjalës së lirë”. E vërteta thotë se përpara kemi të bëjmë me keqpërdorimin e saj.

Kur “fjala e lirë” kthehet në të kundërtën e saj

Me atë rast humbin, jo vetëm vlerat e kulturës së të folurit dhe të kulturës së të shkruarit, por edhe vlerat e kulturës në përgjithësi, bashkë me vlerat e kulturës së vetë folësve dhe shkruesve. 
Askujt nuk mund t’i merret e drejta që të shprehë një pikëpamje ndryshe nga ajo e një autori që pretendon se nuk përkon me realitetin, por askujt nuk i takon as e drejta që tjetrit “t’i mbajë leksione”, në mënyrë të veçantë nëse më parë nuk i ka marrë për vete.

Nevoja për të bërë dallimin midis fjalës dhe shkrimit kompetent dhe fjalës dhe shkrimit jokompetent

Eshtë në rritje numri i atyre që flasin dhe shkruajnë me pretendime se janë “të veshur me kompetencë”, ndërkohë që janë pa atë fare dhe synojnë “të bëjnë emër” pa e njohur problemin, për të cilin flasin ose shkruajnë, as në gjerësi dhe as në thellësi. Mendojnë se me një fjalë ose me një shkrim të sipërfaqshëm apo formal ia kanë arritur qëllimit që “ta rrënojnë tjetrin”, pa vra ndërgjegjën se, në të vërtetë, e rrënojnë veten e tyre, veçanërisht nëse flasin a shkruajnë për emra dhe vepra të verifikueshme.   

Praktikat e gabueshme

Te ne po bëhet  gjithnjë e më shumë praktikë që gazetari “t’i mbajë leksion” studiuesit; që inxhinieri “të mësojë” mjekun për mjekësinë dhe anasjelltas, që mjeku “të mësojë inxhinierin për inxhinierinë; që kimisti “të di më mirë” se gjeografi për gjeografinë dhe anasjelltas, që gjeografi “të di më mirë” se kimisti  për kiminë, kështu edhe letrari më mirë se juristi për drejtësinë, gjuhëtari më mirë se ekonomisti për ekonominë.