Duke shfletuar ditarin 2011

Ndryshe nga Petro Marko që, në “Intervistën me vetvetën”(2000), nuk kishte shfletuar, “as dokumente, as shkresa, as shkrime”, sepse “nuk kishte mbajtur kurrë shënime”, që nuk kishte shkruar “ç’kishte parë e ç’kishte dëgjuar, ç’kishte qarë e ç’kishte kënduar, ç’kishte thënë e ç’i kishin zënë veshët”, ndryshe nga ai, që “i kishte nxjerr nga kujtesa”, e cila “ende nuk e kishte lënë”, mbresat e “jetës së tij”, unë kam ecur nëpër një rrugë tjetër të jetës që, në mos asgjë tjetër, më ka mundësuar që, më lehtë, “t’i nxjerr nga kujtesa”  ngritjet, lëkundjet, përmbysjet dhe shembjet që kanë ndodhur brenda kohës që kam jetuar, sepse kam mbajtur një evidencë, shumë të rregulltë, të përpikët e të vazhdueshme, në formë ditari. Ditëve të pushimit, në ndërrimin e moteve, shfletova ditarin 2011 dhe iu ktheva disa prej ngjarjeve që kisha përshkruar në të.

 

 

Kur pushtetet  rrëzohen si “gurët e dominos”

Rënia e qeverisë tuniziane në janar paralajmëroi “pranverë të paqetë arabe”. Të rinjtë, të thuash në gjithë “botën myslimane”, po ngritën në kryengritje. Arsyeja: të gjithë janë të pakënaqur, qoftë me pushtetin, qoftë me privilegjet e elitave në pushtet. Tunizinë e pasoi Egjipti dhe regjimet në Lindjen e Mesme. Se ku dhe kur filloi dihet, mirëpo se ku dhe kur do të mbarojë  është vështirë të parashikohet. “Diçka po zihet” në Bahrejn dhe në Libi, Jordani e Marok, Algjeri e Iran, Siri e Jemen, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo që është tmerruese janë mercenarët serbë, të parë të huaj, që mbrojnë Muamer Gadafin. Bëhet fjalë për veteranët e luftës që kanë luftuar në territoret e ish- Jugosllavisë. Ata dalin mbrojtës të kolonelit që 66 vjet është në pushtet(nga viti 1969). Ai është pushtetari që ka shërbyer më së gjati në pushtet në botë. Komentet e metejshme bëhen të panevojshme.     

Një ftesë e rrallë

Fillimi i shkurtit më gjeti në Tiranë. Më 4 shkurt Universiteti jopublik "Marin Barleti" organizoi Konferencën Shkencore me temë gjykatat administrative. Nuk po ndalem te tema dhe as te kumtesa që kam paraqitur në konferencë, sepse bëhet fjalë për një temë profesionale, por po tërheq vërejtjen për mungesën e komunikimit të ndërsjellë, sikur të ishim dy botë. Ishte kjo një ftesë e rrallë që më është bërë për pjesëmarrje në një ngjarje shkencore. A thua cila është arsyeja që nuk ftojmë njëri-tjetrin, andej në Shqipëri apo këndej në Kosovë, për t'i bashkuar forcat në projekte shkencore. S'di se mu kujtua ajo fjala e urtë: Kur ecësh vetëm, mund ta humbasish rrugën; kur ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja.   

Jehona e 81-shit

Në Simpoziumin Shkencor kushtuar demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, të organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë më 25 mars, për moto të fjalës sime përzgjodha një mendim të B. Russel:"Ruajtja e paqes nëpërmjet shtypjes së një populli, gjithsesi, nuk mund të quhet paqe". Koha e demonstratave ishte, në fakt, "koha në rrjedhë" që e sfidoi çështjen e Kosovës. Ishte  mospërputhja "në mes të cilësisë të një territori me tipare të mëvetësisë me cilësinë dominante etnike të pushtetit". Ishte "vetëdija në rritje"e një populli "për ta ndërruar një gjendje të panatyrshme". Ishte 81- shi që pati ndikim dhe e përshpejtoi organzimin politik të popullit shqiptar të Kosovës. Ngajrjet e mëvonshme vetëm sa konfirmuan se çka, në të vërtetë, synonin demonstratat dhe 81-shi.    
Edhe 100 vjet pas kryengritjes për pavarësi- pa pavarësi
Më 4 e 5 prill mora pjesë në Simpoziumin Shkencor "100 vjet nga Kryengritja e Malësisë"në Tuz. Kryengritja e Malëisë na ktheu në politikën kombëtare të para 100 vjetëve. Po ç'politikë kombëtare kultivojmë sot, nëse lejojmë që, megjithëse rritemi si popull, të tkurremi si komb. Dedë Gjo Luli e Mehmet Shpendi, sot do të mund të pyesnin: ne u ngritëm në kryengritje para 100 vjetësh, po ju çfarë bëni sot? Vërtet ka perënduar koha kur tregonim me gisht nga Europa. Sot gishtin duhet ta kthejmë nga vetja jonë. Nuancat më të reja të zhvillimeve politike kërkojnë pozicionime më të zhdërvjellta të shqiptarëve edhe në Mal të Zi.

Heshtja si "strategji"

Nuk mund të refuzoja pjesëmarrjen në një debat në Tetovë rreth Enciklopedisë së Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve. Bëhet fjalë për një fyerje të rëndë të identitetit të shqiptarëve. Akademia është institucion i shtetit. Enciklopedia është projekt i shtetit dhe përgjegjësia është e shtetit. Ky është fakt. Falsifikimi i historisë së shqiptarëve është i qëllimshëm dhe ky është një tjetër fakt. Edhe dalja në dritë e Enciklopedisë në këtë kohë nuk është e paqëllimshme. Po ne si reagojmë? Ose nuk reagojmë fare ose nuk reagojmë me një zë të fuqishëm dhe të artikuluar mirë. Shqipëria, si rregull, hesht, sepse "i frikësohet"prishjes së "miqësisë" me Maqedoninë. Kosova hesht, sepse sapo ka vendosur marrëdhënie diplomatike  me Maqedoninë dhe është "në provë të tyre". Shqiptarët në Maqedoni nuk heshtin, por nuk flasin ata që duhet të flasin. Reagojnë të ndarë dhe të përçarë. Një "pjesëtim" i tillë i shqiptarëve veçsa "i trimëron"maqedonasit për të mos ndryshuar kursin ndaj tyre.
Kundër ndryshimeve kozmetike në Kushtetutën e Kosovës
Një debat i organizuar në Prishtinë rreth ndryshimeve dhe plotësimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës kishte mledhur një numër ekspertësh konstitucionalistë. Komisioni kompetent i Kuvendit të Kosovës ka marrë prej tij mandatin që të "të ndërhyjë"në pjesëen e tekstit të Kushtetutës e cila i referohet zgjedhjes së presidentit. Më duket "kafshatë e vogël", sepse ndihet nevoja për ndryshime dhe plotësime më të thella të saj. Qysh me rastin e nxjerrje së Kushtetutës së vendit, kisha vërejtur nëpërkëmbjen e identitetit të shqiptarëve që i bëhej në të, "për hir të ndërtimit të identitetit shtetëror". Përfundimi ishte i qartë: "heqja dorë, ose fshirja nga kujtesa, e vlerave të trashëguara kombëtare, kërcënon me rrezikun e tkurrjes së entitetit kombëtar shqiptar". Përveç kësaj, Kosova është e kufizuar në një "numër dimensionesh" dhe ky fakt e lëndon sovranitetin e saj. Ndihet nevoja për një transformim të pozicionit politik dhe juridik të Kosovës dhe këtë më së miri do të mund ta shprehte Kushtetuta e saj. Prandaj, ndryshimet kozmetike nuk mund t'i përbushin synimet e Kosovës në rrugën e bërjes shtet i pavarur dhe sovran në kuptimin e plotë të fjalës. Njohja nga shtetet e tjera përbën një akt shumë të rëndësishëm me vendosjen e Kosovës në një raport karshi Serbisë. Mirëpo, më e rëndësishme se njohja, është kontrolli i territorit, kështu që çështja e sovranitetit, përkundër shpalljes së pavarësisë, përbën njësi thelbësore për funksionalizimin e shtetit.

"Bashkë" në Prizren

Përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit "bëri bashkë", së paku një herë në vjet, ata që i përkasin një kombi të ndarë në më shumë shtete. Aty u fol dhe iu këndua bashkimit. Nuk u shtrua pyetja: si të ecim "bashkë" të ndarë? Nuk e kuptoj sesi mund të zotohemi se nuk do të lejojmë të ndodh ajo që veç po ndodh. Vitin tjetër do të festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Po të cilës Shqipëri: të Shqipërisë Etnike apo Natyrale, apo të Shqipërisë së Londrës? Cfarë, në në të vërtetë, festojmë: mite apo realitete? Prej shqiptarëve pritet që mitet t'i kthejnë në realitet. Na mungon "qëndresa e përbashkët". Kjo ma kujton Konicën se "tragjedia si komb e shqiptarëve fillon te kulti i tyre për heroizmin vetjak". Shqipatrët nuk duhet "ndalur mbrapa", sepse "të ndalurit mbrapa, mbyllë sytë përpara". 

A mund të mbajmë zgjedhje të dinjitetshme?

Vitin e kaluar i mbajti Kosova, sivjet Shqipëria. U mbajtën sipas modelit sesi nuk do të duhej të ndodhte demokracia. Të gjithë "vodhën" dhe të gjithë "u vodhën". A thua nuk mund t'i fitojmë zgjedhjet pa "i vjedhur" votat? Apo kështu e kemi kuptuar demokracinë: merr sa mund të marrësh prej saj. Përse njerëzit janë aq shumë të interesuar për "t'i fituar zgjedhjet" dhe për "t'u përfshirë në politikë". Ndoshta për shkak se kanë mësuar se njerëzit hyjnë në politikë "për të marrë prej saj", e jo "për t'i dhënë asaj". Shqiptarët të parët i kanë me bollëk. U mungojnë të dytët.  

Europa dhe shqiptarët

Fundviti,si rregull, shoqërohet me dhurata e shpërblime. As Shqipëria dhe as Kosova nuk u dhuruan dhe nuk u shpërblyen nga Europa. Thuhet se "nuk e ndoqën kohën". I kërcënon rreziku se mund të vijnë kohët kur "nuk do të ketë më kohë". Vetëm "me kohë" mund "të fitohet koha". Për të arritur në "cakun e duhur" duhet më shumë miqësi sesa armiqësi. "Të sillesh armiqësisht me të tëndin, është njësoj sikur t'ia vesh zjarrin shtëpisë sate". Le të jetë ky mesazhi im për partitë dhe për liderët e tyre,  për institucionet dhe për drejtuesit e tyre. 

Në ndërrimin e moteve

I cakrrojmë gotat në ndërrimin e moteve, pa vra ndërgjegjën se as verbalizmi bosh politik dhe as qëndrimi pasiv nuk janë çelësa për t'i hapur dyert. Duhet të ruhemi që me heshtje të mos i marrim përgjigjet për të ardhmen tonë. Atëherë, gëzuar për kohë më të mira!