Tek dëgjoja folësit nga trojet shqiptare në çeljen e manifestimeve për shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë në datë 17 janar 2012, gjykoja se shqiptarët nuk kanë udhë tjetër, veçse udhën e bashkimit. Prandaj, detyrë parësore e tyre është ndërtimi i një strategjie të veprimit të përbashkët. Ajo strategji do të mund të ndërtohej, nëse do të bazohej në objektivat, në themelësinë praktike, në logjikshmërinë, në arsyeshmërinë, në konzistentitetin, në koheritetin dhe në realshërinë e veprimeve të përbashkëta të shqiptarëve.

 

 

Në histori, shqiptarët  asnjëherë nuk kanë  vendosur për veten e tyre si komb. Për ta kanë vendosur të tjerët dhe ata i kanë  miratuar ato vendime dhe për to kanë  fajësuar Europën, Kongresin e Berlinit(1878), Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1913), Konferencën e Versajës(1918-1920)... Ata  këtë vjet festojnë pavarësinë e 1912- tës, e jo verdiktin europian të 1913-tës që i bëri “pikë e pesë”.
Por, sot nuk mund të fajësojnë më historinë dhe Europën për padrejtësitë ndaj tyre. Ajo kohë ka perënduar.  Gjendjen në të mirë të kombit mund ta ndryshojnë vetë, nëse pushojnë të merren me vetveten dhe kur nga politika e deridjeshme e vetërrënimit kalojnë në politikën kombëtare të vetëndërtimit.
Në veprimet e tyre  të ardhshme, do të duhej të nderoheshin këto tri parime:
Së pari, veprimet e tyre do të duhej të niseshin nga interesat e përgjithshme dhe jo nga ato të pjesshme.
Së dyti, veprimet e tyre do të duhej të niseshin nga interesat kombëtare dhe jo nga ato partiake.
Së treti, veprimet e tyre do të duhej të pretendonin shumimin dhe jo pakësimin e kombit.
Shqiptarët janë marrë shumë dhe ende merren shumë me vetveten, në vend se të bashkohen në projekte gjithëkombëtare. Këtë askush nuk mund t’ua  ndalojë.
Në ecjen kombëtare, nëpër udhët e historisë, shqiptarët ngelen të ndarë. Ata u bënë “pakicë kombëtare” në trojet e veta etnike. Prandaj, vërtet është kohë e fundit që çështjen e vet shqiptarët ta vështrojnë, por edhe ta shtrojnë, si një çështje. Ata nuk duhet dhe nuk guxojnë ta heshtin këtë fakt. Shqiptarët do të duhej që kombëtarisht të konsolidoheshin për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta, racionale dhe efektive, produktive dhe perspektive, për qenien dhe për të ardhmen e tyre si komb.
Ndryshimi në mes të asaj që bëjnë dhe që mund të bëjnë shqiptarët ende është shumë i madh. Ata ende duan më shumë se ç’bëjnë për veten e tyre si komb. Përfundimisht, ata do të duhej që të ndryshonin raportet në të cilat kanë jetuar si botë krejtësisht të ndara mes tyre. 
Ndihet nevoja për një organizim më të fuqishëm të shqiptarëve, organizim që do të duhej të mbështetej në mençuri, por njëkohësisht dhe në maturi; në pjekuri, por njëkohësisht dhe në guxim; në dije, por njëkohësisht dhe në formësim politik dhe shkathtësi diplomatike.
Diplomacia shqiptare, e cila edhe vetë do të duhej të vepronte “e bashkuar”, do të duhej të formësonte qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta. Një komb- një qëndrim, nuk do të duhej të tingëllonte  vetëm si një parrullë politike. Shqiptarët çështjen e tyre do të duhej ta vendosnin mbi një tryezë të përbashkët. Vetëm në atë mënyrë ata do ta ruanin tërësinë e saj dhe nuk do të lejonin që, duke u rritur si popull, të tkurren si komb. Porosia bëhet e qartë: uji do të duhej “të derdhej në një mulli”.
Vërejtje: ky është shkrimi i parë në ciklin e shkrimeve me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Angazhimi im gjatë këtij viti do të përkojë me këtë përvjetor të madh të shqiptarëve.