Në një shkrim të mëhershëm tërhiqnim vërejtjen për kujdesin që duhet të tregojë pala e Kosovës në bisedimet me Serbinë rreth termave që përdorën për shënimin e vendkalimeve kufitare, me theks se emri  dhe simbolet në vendkalimet kufitare me Serbinë në asnjë mënyrë nuk janë çështje teknike, si mendon t’i paraqesë dikush, por çështje politike dhe atë të rëndësisë së veçantë për Kosovën.Tash po tërheqim vërejtjen për kujdesin tjetër të madh që duhet të tregojë pala e Kosovës në bisedimet me Serbinë rreth termave që do të përdorën në marrëveshjen për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet   rajonale dhe mënyrën e prezantimit të saj në to.

 

 

Gjëja e parë që bëhet e qartë është se dialogu i imponuar me Serbinë dhe i propaganduar,nga zyrtarë tanë dhe ndërkombëtarë, si “proces teknik” nuk përkon me realitetin. Vërejtja që e dëgjonim se ky proces  nuk “do të kapërcejë çështjet praktike”, nuk u dëshmua, sepse ai, në të vërtetë, po shndërrohet dalëngadalë në një proces politik, në të cilin dihet  vetëm se kur hyhet,  por asnjëherë se kur do  dilet  dhe si dilet  prej tij.
Gjëja e dytë që bëhet e qartë është se  bëhen përpjekje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në dialogun e imponuar me Serbinë që pavarësia e shpallur e Kosovës në 17 shkurt 2008, të relativizohet deri në atë masë sa të shndërrohet në një çështje të interpretimit, qoftë nga ana e vetë Serbisë, qoftë dhe nga ana e shteteve të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe që vazhdojnë të mbajnë atë qëndrim.
Dhe gjëja e tretë që bëhet e qartë është se nëse Kosova do të pranonte që bri emrit të saj në takimet rajonale në të cilat do të merrë pjesë të vendosej fusnota “pa paragjykim të statusit”, atëherë edhe ajo vetë do të pranonte kontestimin  që i bëhet shtetësisë së saj.
Zyrtarë tanë e interpretojnë “si të arritur” që Kosova nuk do të përfaqësohet më nga UNMIK-u, ndërkohë që deklarohen për përfundimin e procesit të “pavarësisë së mbikëqyrur”që vetvetiu e bën të paqëndrueshëm UNMIK-un në Kosovë. E kam thënë edhe ndonjëherë tjetër: një vend ose është ose nuk është shtet; ose ka ose nuk ka pavarësi; ose ka ose nuk ka sovranitet. Prej 17 shkurtit 2008, sadoqoftë me kufizime në një numër dimensionesh të pavarësisë dhe sovranitetit, Kosova ka shpallur shtetësinë  dhe atë deri më sot e kanë njohur 86 vende të botës. Mosnjohja ende nga pesë vende të Bashkimit Europian dhe mosnjohja nga Serbia, nuk mund të vënë në pyetje statusin e Kosovës, në mënyrë që ai të manipulohet si “i paparagjykur” për teket e Serbisë, por edhe të disa qarqeve diplomatike europiane e botërore që kompromentojnë një akt të shpallur me marrëveshje dhe në mbështetje të pjesës më të fuqishme, politike e ekonomike,të bashkësisë ndërkombëtare. Mbi këtë bazë, Brukseli nuk mund “t’i vë kushte Kosovës” që të pranojë fusnota bri emrit të saj në të cilat kushte, si ky i “paparagjykimit të statusit”, të nëpërkëmbët vullneti i popullit të Kosovës për të qenë i pavarur dhe sovran.
Papranueshmëria e këtij kushti bëhet edhe më e madhe kur pretendohet që ai “të shitet” si “çështje teknike”, edhe pse, ç’është e vërteta, është me rëndësi të madhe politike, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës.
Zyrtarët tonë duhet ta kenë të qartë se sa është e rëndësishme pjesëmarrja në takimet rajonale, edhe më i rëndësishem  është emri  me të cilin do të paraqitet dhe forma me të cilën do të paraqitet Kosova në to. Kosova që një kohë të gjatë ishte vetëm me emër, pa mbiemër, tash e ka mbiemrin dhe vetëm nëpërmjet tij do të mund të dëshmonte mbrojtjen që i bën një vullneti të popullit që, megjithatë, nuk është mallë që “mund të shitet në treg”.