Në kohën kur po afrohet 17 shkurti, katërvjetori i bërjes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, bashkësia ndërkombëtare po shton presionin mbi Kosovën që të pranojë koncesione të reja në raport me Serbinë, në mënyrë që kësaj të fundit  “t’i hapen dyert” për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ende nuk kanë përfunduar dilemat rreth mënyrës së prezantimit të Kosovës në takimet rajonale.Ndërkohë, qëndron i hapur opsioni i statusit të veçantë për veriun e Kosovës.

 

Për “ta bindur Kosovën” që të prezantohet me” fusnotë”, ndërkombëtarët  përmendin përvojat e prezantimit të shteteve të mëdha të cilave nuk u kontestohet statusi, ndryshe nga Kosova që ende nuk është njohur nga Serbia dhe një numër tjetër shtetesh. Harrohet me këtë rast një fakt: sikur Kosova të kishte trajtim të barabartë dhe emërtim të njëjtë me gjithë pjesëmarrësit në takimet rajonale, mosprezantimi i plotë i Kosovës nuk do të përbënte problem.Por, nëse kjo do të bëhej për “t’ia ruajtur pretendimet territoriale  të Serbisë ndaj një shteti tjetër”, të njohur ndërkombëtarisht  tani dhe të pranuar nga 87 vende të botës, derepublikimi në emërtim i Kosovës është i papranueshëm.
Edhe pse deklarohej zëshem, më shumë nga vendësit se sa nga ndërkombëtarët,se negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që bashkësia ndërkombëtare i quan dialog midis Prishtinës dhe  Beogradit nuk do të shtrihen në tema politike, por se do të fokusohen vetëm në “çështje teknike”, tashmë po bëhet gjithnjë e më qartë se çështja e veriut të Kosovës pashmangshëm do të diskutohet midis dy palëve. Madje, ndërkombëtarët kërkojnë prej Kosovës që “te ketë një plan” për këtë çështje, pa vra fare mendjen se ishin vetë ata që detyruan palën e Kosovës që të bëjë shumë koncesione me rastin e diskutimit të Planit të Ahtisarit që, megjithatë, nuk u mbështet nga Serbia. Me gjithë kundërshtimin e shqiptarëve, serbët e “shohin në horizont” një autonomi të zgjëruar për ta dhe për këtë nuk iu mungon “animi i ndërkombëtarëve”. E përballur me këtë gjendje, Qeveria e Kosovës kërkon një formë  “pajtimi të forcave politike”për veriun, në kuadër të diskutimit të mbylljes së procesit të “mbikëqyrjes së pavarësisë”, aty  ku serbët këmbëngulin për një referendum në 14 e 15 shkurt 2012, me pyetjen se i pranojnë (ose jo) institucionet e Kosovës të cilin bashkësia ndërkombëtare, si rregull kur  bëhet fjalë për nismat serbe, nuk e mbështet, por as nuk e pengon, që flet qartë për një pozicion të saj neutral karshi pavarësisë  së Kosovës.
Përderisa thuhet se “Kosova nuk ka një plan për veriun” dhe prej saj kërkohet që ta ketë një të tillë, Serbia i nxjerr në sipërfaqe “Katër pikat e Tadiqit”, prapa të cilave fshehet një plan hegjemonist i saj, një plan territorial për Kosovën që synon copëtimin e saj, me synim dekompozimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës  të shpallur në 17 shkurt 2008.
Karërpikëshin e TADIQIT  nuk mund ta vështrosh të izoluar prej Gjashtëpikëshit                                                                                                                                                                                                                                 të Ban Ki Munit. Përkujtoj lexuesit se me një shkrim të datës 12. 11. 2008, isha shprehur se “Plani Gjashtëpikësh i Ban Ki Munit  është tërësisht i papranueshëm për Kosovën, jo vetëm për shkak se ai, në të vërtetë, paraqet një plan të Serbisë për përfshirjen e saj në rregullimin e brendshëm të Kosovës, por edhe për shkak të legjitimimit ndërkombëtar të përfshirjes së saj në garë për pushtet dhe ligj në Kosovë”.  Kisha tërhequr vërejtjen se sipas këtij plani, që Bashkimi Europian negocioi me Serbinë, ai, në fakt, pranoi të gjitha kushtet e vëna nga Serbia: e para, që EULEX-I të bazohet në Rezolutën 1244; e dyta, që EULEX-i të jetë neutral karshi statusit të Kosovës dhe, e treta, që EULEX-i të mos ketë fare të bëjë me Planin e Ahtisarit. Kjo ishte arsyeja që në po atë shkrim kisha thënë se duhet të kundërshtohet fuqishëm Gjashtëpikëshi i Ban Ki Munit, jo vetëm për shkak të anashkalimit të Kosovës në marrëveshje, por në rradhë të parë, se prapa tij fshehet tendenca për ndarje, jo vetëm në vija administrative dhe politike, por dhe në rrafshin ekonomik, me dëme të mëdha për ripërtritjen e saj në një zonë shumë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës.
Gjashtëpikëshi i Ban Ki Munit tash servirohet me “’rroba të reja”, të fabrikuara si “Katërpikëshi i Tadiqit” dhe ndërkombëtarët  nuk e përjashtojnë si “temë diskutimi” ndërmjet dy palëve.
Kosova është përpara një ekuacioni më shumë të panjohura dhe vështirë se do të mund ta zgjidhë atë nëse nuk tregohet vigjilente, sepse krahas mbrojtjes  së pavarësisë, nuk duhet të lejojë cungimin e territorit të saj, në emër të ndonjë përfitimi që mund t’i sjellin eventualisht “mbyllja e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë” ose “hapja e negociatave për liberalizimin e vizave”përballë përfitimit të mundshëm të Serbisë me marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
E kemi thënë edhe ndonjë herë tjetër se nuk është indikative pse serbët në veri të Kosovës bëjnë veprime që “ta mbajnë kontrollin mbi Kosovën”, por është indikative që veprimet e tyre bëhen para pranisë ndërkombëtare, madje disa prej tyre dhe me lejimin e saj. Kundraveprimet e saj kanë munguar. Mungojnë edhe sot.
Nëse bashkësia ndërkombëtare mendon “ecjen në drejtimin e duhur” dhe “vjeljen e rezultateve” gjatë ecjes, ajo do të duhej që fuqimisht dhe përfundimisht të eleminonte involvimin dhe ndikimin e Beogradit zyrtar në proceset e brendshme në Kosovë. Këtë e konsiderojmë si “çelësin për fillimin e zgjidhjes së problemeve ne veriun e Kosovës”.
Koncepti serb për veriun e Kosovës  mbështetet jo në përkujdesjen për popullatën serbe në Kosovë, por për “territoret serbe” në Kosovë.
Nëse i kthehemi një të kaluare jo shumë të largët, do të mund të konstatojmë se Serbia qe inkurajuar me një pjesë të Raportit të Kai Eides në vitin 2005, disa nga gjykimet, por edhe rekomandimet e të cilit,, i kisha quajtur të diskutueshme, veçanërisht ato në lidhje me veriun e Kosovës.   
Kai Eide shprehej në raport se “Strukturat paralele (serbe-nënvizimi im)mbase janë e vetmja mënyrë realiste për të siguruar ofrimin e shërbimeve adekuate për serbët e Kosovës”, madje duke i kualifikuar ato si “në shumë mënyra të ngjashme me strukturat paralele të shqiptarëve të Kosovës  para vitit 1999”, një gjykim ky i papranueshëm i tij. Atëbotë shqetësohesha edhe me “parashikimin e tij” se “Kosova nuk do të bëhet në një të ardhme të afërt një vend ku shqiptarët dhe serbët do të jenë të integruar” , dhe se “negociatat kanë të bëjnë me territor, i cili ende është pjesë e një shteti sovran”. Si pasojë, ai e shihte decentralizimin si “çelës të vendosjes së pushtetit të Beogradit”, pra të “lidhshmërisë vertikale institucionale mes serbëve të Kosovës, pushtetit të tyre lokal  dhe pushtetit në Serbi”.
1999-tës po i referohemi edhe për një fakt tjetër. Me atë vit lidhet gjeneza e problemit të veriut të Kosovës, me mosndalimin, nga ana e KFORI-t, e veprimeve të forcave paramilitare serbe  që detyruan një pjesë të mirë të popullatës shqiptare të zhvendoset në pjesën jugore të qytetit. Kështu, Mitrovica dhe veriu i Kosovës nga një problem i paqenë u shndërruan në problem rajonal dhe ndërkombëtar që, pa dyshim, ishte shumë më lehtë që qysh në fillim të parandalohet se sa sot të evitohet. Gjendja në atë pjesë të Kosovës merrte rrjedha që nuk do të duhej të merrte qysh me vendosjen e Kosovës nën Administrimin e Përkohshëm Civil Ndërkombëtar, kur çdo riparim i mëvonshëm shihej si më i vështirë se parandalimi  i veprimeve  të strukturave paralele serbe, të mbështetura nga Qeveria e Serbisë. Gjendja në atë pjesë të Kosovës sa vinte e përkeqësohej, ndërkohë që mungonin përpjekjet serioze ndërkombëtare për ta integruar dhe për ta vendosur nën juridiksionin e Kosovës. Procesi i decentralizimit u ndërtua mbi parimin  etnik dhe territorial dhe Plani i Ahtisarit kërkonte që ai të realizohet mbi ato parime, Krijimin e korridoreve etnike  serbët e shihnin si mundësi për territorializimin e çështjes serbe në Kosovë, me pretendim ndarjen territoriale përgjatë vijave etnike. Serbët nuk heqin dorë edhe sot nga ai koncept. Oreksi I Serbisë ishte dhe mbetet ndarja e Kosovës në dy entitete, në mënyrë që entiteti serb të mbetet i lidhur me Beogradin dhe që, në atë pjesë të territorit të Kosovës, të ketë prani dhe ndikim të strukturave qeveritare serbe dhe që, mbi lumin Ibër të valojë flamuri serb.
Por, kufiri Kosovë- Serbi nuk është te lumi Ibër. Mbi lumin Ibër nuk mund të konstituohet një status I veçantë për popullatën në pjesën veriore të Kosovës. Kosova nuk duhet të vëhet para aktit të kryer që “të pajtohet me të papajtueshmen”. Posesivizmi serb nuk e ka bazën e duhur etnike, por është i përcjellë  me  synime dhe veprime të artikuluara qartazi në drejtim të ndërrimit të dhunshëm të dominimit demografik dhe etnik shqiptar. Nuk ka asnjë ligjësi objektive për “kantonizimin e Kosovës”. Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do ta humbisnin kuptimin nëse Mitrovica dhe veriu i Kosovës do të gëzonin një status të veçantë dhe do të rrëshqisnin nga kornizat territoriale dhe kushtetuese- juridike të shtetit të Kosovës.
Qëllimi është që Kosova të bëhet një shtet funksional. Bashkësia ndërkombëtare nuk do të duhej të lejonte që, mbështetur në përvojat e hidhura të Bosnjës, të lejonte një Bosnjë të dytë në Kosovë.        

 

*23 shkurt 2012: paralajmërimet se në fusnotë  do të përmendet Rezoluta 1244(1999), mund ta lëndojnë statusin e Kosovës të arritur në 17 shkurt 2008. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të vëmendshme që në marrëveshjet me Serbinë, të mos e dëmtojnë statusin kushtetues- juridik të Kosovës karshi Serbisë.Edhe pse fusnota me Rezolutën 1244  quhet e “natyrës formale” ajo   do të mund të  bëhej peng për “kthimin” e mbiemrit të Kosoëvs në prezantimet e saj në takimet rajonale. Kosovën  mund të kërcënojë rreziku që, si u shpreh ish-diplomati amerikan( James Hooper), Kosova “të ngujohet me atë emër”.