Vrasja e  dy shqiptarëve nga një polic maqedonas këto ditë të fundit nuk përbën lajm, sepse përdorimi i dhunës i maqedonasve ndaj shqiptarëve nuk po ndodh për herë të parë. Dhuna e maqedonasve ndaj shqiptarëve në Maqedoni është sistematike dhe e pandalshme. Nuk është lajm as heshtja e organeve të pushtetit dhe as arsyetimet e tyre kur  flasin për incidentet që ndodhin atje. Edhe kësaj rradhe u tha se nuk bëhet fjalë për konflikt ndëretnik.

 

 

Incidentin e fundit e marrim si shkas për t’iu kthyer, për disa herë viteve të fundit, pozitës denigruese kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoni dhe mungesës së gatishmërisë së pushtetit sllavomaqedonas për të dialoguar me shqiptarët marrëdhëniet etnike në këtë republikë.
Përpjekja me Marrëveshjen e Ohrit për t’i relaksuar raportet e shqiptarëve me maqedonasit i takon së kaluarës dhe ajo tashmë është një dokument pothuajse i harruar. Edhe pse ajo rezultonte me një “çast frymëmarrjeje të shqiptarëve”, me premtimin se do të ketë disa lëvizje në përmirësimin e pozitës së tyre kushtetuese, në të vërtetë, ajo vetëm hapte një proces të kërkimit të të drejtave të tyre legale dhe të ligjshme kombëtare të cilat vazhdojnë të nëpërkëmbën nga pushteti sllavomaqedonas. Partitë politike shqiptare në pushtet e patën konsideruar Marrëveshjen e Ohrit si “fitimin e luftës”, edhe pse, në fakt, bëhej fjalë vetëm për një betejë ende të pafituar deri në fund.

Në raportet shqiptaro-sllavomaqedonase duhet të ndërtohet një mekanizëm kushtetues i fuqishëm që vendos marrëdhënie të barabarta midis dy etnive. Në të vërtetë, caku i një dialogu të ri të mundshëm në mes shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve duhet të jetë ripërkufizimi i ri i Maqedonisë si shtet i dy etnive të barabarta, prandaj dhe shumë vite më parë, në paraqitjet e mia publike për avancimin e pozitës kushtetuese të shqiptaërve në këtë republikë, sugjeroja: së pari, nxjerrjen e një deklarate politike, si garanci, dhe e dyta, ndryshimet kushtetuese, si konkretësi, e marrëveshjes shqiptaro-sllavomaqedonase, nëse pretendohet të ruhet Maqedonia si shtet.
Defekti më i madh në marrëdhëniet e shqiptarëve dhe maqedonasve është se këta të fundit e konsiderojnë fatkeqësi, e jo përparësi, jetën me shqiptarët, edhe pse të parët paraqesin faktor shumë të rëndësishëm të stabilitetit politik dhe fuqi të rëndësishme ekonomike me ndikim për të ardhmen politike dhe ekonomike të Maqedonisë. Maqedonasit nuk mund t’i konsiderojnë më shqiptarët si barinj delesh  dhe gatues byrekesh   dhe ëmbëlsirash. Në Maqedoni po rritet një klasë e shqiptarëve të arsimuar “që do të jetë vështirë të manipulohen e trajtohen shtazërisht e pa dinjitet ashtu si janë mësuar ristovskat”. Prandaj, edhe përpjekja e Akademisë Maqedonase e Shkencave dhe Arteve që “t’i përbaltë shqiptarët” në një enciklopedi të kontestueshme dhe të papranueshme, nuk nxori tjetër në pah përveç se urrejtjen e një populli pa një identitet të formuar ndaj një populli tjetër, ndër më të vjetrit në Europë. Jashtë të gjitha kritereve dhe standardeve për botimet akademike, me të u fyen dhe u njollosën shqiptarët, u kontestua dhe u mohua prejardhja dhe etnogjeneza e tyre dhe u përbuzë gjithë historia kombëtare e shqiptarëve. Dalja në dritë e enciklopedisë nuk ishte rastësishme, por e qëllimshme, po sikurse që falsifikimi i historisë së shqiptarëve në të nuk ishte i rastësishëm, por i qëllimshëm.  
Eshtë vërtet kohë e fundit që maqedonasit t’i thrrasin arsyes dhe t’i hapin shtigjet për bashkëjetesë me shqiptarët sipas parimit se “Të jetosh bashkërisht do të thotë të jetosh në mënyrë të barabartë, sepse vetëm të barabartit mund të jetojnë bashkërisht”. Ndryshe, shqiptarët mund të detyrohen që të kërkojnë pozicionime të tjera për të ardhmen e tyre.