Odisejada me veriun e Kosovës nuk ka të ndalur. Projektet dhe skenaret serbe për këtë pjesë të territorit të Kosovës po dalin gjithnjë e më shumë në sipërfaqe. Ndarja është bërë një realitet të cilit i mungon vetëm përligjja. Në veriun e Kosovës valon një flamur tjetër, intonohet një himn tjetër, flitet një gjuhë tjetër, qarkullon një monedhë tjetër... Përgjithësisht bëhet një jetë tjetër.Institucionet e Kosovës tregohen të pafuqishme për ta ndryshuargjendjen, ndërsa ndërkombëtarët qëndrojnë të rezervuar, sepse ata, më në fund, mbajnë qëndrim neutral edhe karshi statusit të Kosovës. E gjithë kjo trimëron Serbinë për të vazhduar ndërhyrjet në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

 

Tashmë së fundit po përmendet mundësia e organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, jo më në Kosovën dikur pa status të përkufizuar, por në Kosovën shtet i pavarur dhe sovran, me kushtetutë të vetën dhe me rend juridik të vetin.
Kohë më parë, në një marrëveshje në Bashkimin Europian, me të cilën u pajtuan Kosova dhe Serbia, që ende nuk u bë publike në Kosovë, ajo u privua nga mbiemri i saj republikë të cilin e kishte marrë pas një procesi shumë të gjatë të negocimit me faktorin ndërkombëtar, proces ky që pati kulmuar me shpalljen e pavarësisë në 17 shkurt 2008. Serbia fitoi shumë më atë marrëveshje, sepse “iu hapen dyert” e BE-së, e Kosova, bri emrit të vet “u stolis me një yll”, si kusht për të marrë pjesë në disa nisma rajonale, pa vra mendjen se me këtë e lëndoi statusin e saj dhe e bëri të kontestueshme  pavarësinë e deklaruar prej saj.
Por, e tëra nuk përfundon këtu. Janë paralajmëruar bisedimet rreth statusit të veriut të  Kosovës, nëpërmjet të të cilave Serbia do të përpiqet që gjendjen faktike ta shndërrojë dhe në gjendje juridike. Në këtë rrugëtim do të jetë e ndihmuar nga një “Plan gjashtëpikësh i Ban Ki Munit” që, kohëve të fundit, propagandohet dhe si “Katërpikësh iTadiqit”.
Ndërkohë që ndodhin ose paralajmërohen të ndodhin zhvillime në veriun e Kosovës, shqiptarëve u mungon strategjia se si të dalin “të paprekur” nga një gjendje që kërcënon me rrezikun për të dëmtuar të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës përkundër serbëve që qarkullojnë me shumë ide e opsione për të ardhmen e veriut të Kosovës dhe të Kosovës përgjithësisht. Ajo që do të dëshiroja të vëja në dukje me këtë rast është që shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj deklaratave të serbëve dhe “të ruhen prej kurtheve” të tyre: që “të pëlqejnë apriori” atë që “nuk pëlqejnë serbët” ose “të miratojnë” atë që “kundërshtojnë serbët” dhe të kundërtën: të “mos pëlqejnë”atë që “pëlqejnë serbët” ose “të kundërshtojnë” atë që “miratojnë serbët”.
Shqiptarët nuk do të duhej të silleshin sikur “i kanë në xhep” të gjitha përgjigjet për çështjet e hapura dhe të cilat do të mund, ndërkohë,të hapen. Tashmë dhe zoti Cooper e bëri publike se me Serbinë nuk janë zhvilluar vetëm “biseda teknike” dhe se do të bisedohet dhe për “çështjen e veriut”. E vërteta flet për të kundërtën: flet për mungesën e përgjigjeve për një numër të madh pyetjesh që prekin interesat shtetërore dhe kombëtare.
Të reagosh publikisht qartë, më fjalorin e duhur dhe në mënyrë të duhur, kërkon, më së paku, një qëndrim të përbashkët, të elaboruar mirë dhe të argumentuar mirë.Komponentja kryesore me rastin e ndërtimit të një qëndrimi të tillë do të duhej të ishte interesi shtetëror dhe kombëtar dhe jo gjymëtimi i tij.
Në këto kohë që kërcënojnë të jenë edhe dramatike, edhe kritike, lindin detyra dhe përgjegjësi për diplomacinë e Kosovës, por dhe për diplomacinë e shtetit shqiptar. Diplomacia shqiptare sot do të duhej të merrte përgjegjësinë për fatet e shqiptarëve nesër. Ajo nuk do mund ta përmbush këtë detyrë dhe përgjegjësi vetëm duke kërkuar presion të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë. Eshtë kohë e fundit që shqiptarët të bëhen farkues të fatit të vet për t’u dëshmuar si një komb politikisht i konsoliduar. Ka përenduar koha e heshtjes e diplomacisë shqiptare. Eshtë kohë e fjalës dhe e ndikimit të saj. Njeriu mund t’i rezistojë pothuaj  gjithçkaje kur është i bashkuar. Lajthitja më e madhe e saj mund të ishin deklaratat se “kemi bërë” dhe se “po bëjmë të gjitha”. Mirë thuhet në një fjalë popullore :”Ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që nuk flasin nuk mund t’iu besohet”.