Pavarësisht mundësisë që dy policët shqiptarë të Kosovës “të zënë robë” nga xhandarmeria serbe të lirohen në një të ardhme të afërt, Kosova “korri frytet e para” të negociatave dhe të “marrëveshjeve me serbët. Fotot nga rrëmbimi i policëve shqiptarë flasin vetë dhe tregojnë fytyrën e vërtetë të Serbisë ndaj Kosovës. Ndodhi jo vetëm degradimi, por edhe poshtërimi i shtetit të Kosovës.

 

 

Kryepolici serb, Ivica Daçiq, po përpiqet ta arsyetojë pamjen e tmerrshme dhe fyese ndaj shtetit të Kosovës me “përgjegjësinë e rëndë” të policëve të Kosovës dhe me shtrirjen përdhe të tyre dhe me betimin se kurrë nuk do të lejojë më provokime të tilla. Nuk është e çuditshme kjo që bën Ivica Daçiq, por është e pakuptueshme ajo që nuk bëjnë NATO dhe BE-ja në Kosovë, për t’iu përgjigjur sjelljeve të tilla të Serbisë, ndërkohë që gjithë kohën kërkojnë prej Kosovës dialog me Serbinë dhe vendosjen e “marrëdhënieve fqinjësore” me të.
Dëgjuam reagimet e zyrtarëve dhe të institucioneve të Kosovës dhe asnjëri nuk na bindi.Jo me përmbajtjen e fjalëve, por me qasjen një ngjarjeje që nuk kishte qëllim tjetër veçse ta godiste Kosovën në palcën kurrizore të saj.Dhe në vend se të përmendej dialogu dhe të ziheshin në gojë “marrëveshjet” me të cilat Kosova, ç’është e vërteta, ia hapi rrugët Serbisë drejt anëtarësimit në BE, reagimet u përqëndruan në dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës. Duket se vetëm zyrtarët dhe institucionet e Kosovës ende nuk i kanë kuptuar skenaret e Serbisë, prandaj dhe besojnë se Serbia do “të vazhdojë të jetë konstruktive” ndaj Kosovës.
Para sa kohësh tërhoqëm vërejtjen për ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë, duke kërkuar që ato jo vetëm të kundërshtohen, por edhe të ndalohen. Ngajrja e fundit veçsa e vërteton nevojën për një rikëndellje të faktorit të brendshëm në Kosovë se me Serbinë nuk bën “të ulet me një tavolinë” e ajo “t’ia bëjë pas shpine” të gjitha ato që mund t’ia bëjë, duke u trimëruar dhe nga qëndrim shumë i rezervuar i bashkësisë ndërkombëtare ndaj saj. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se Serbia nuk ka asnjë qëllim të mirë ndaj  Kosovës dhe se përherë do të përpiqet të përfitojë nga neglizhimet e saj, ndërkohë që Kosova do ta pësojë, duke “ëndërruar” se nëpërmjet negociatave do t’i përmirësojë marrëdhëniet me të, derisa një ditë “Serbia dhe ta njohi Kosovën”. Klasa politike në Kosovë duhet të jetë e ndërgjegjshme se atë po e presin përballje të reja me Serbinë e cila me praninë e saj në veri të Kosovës,po synon të krijojë një entitet të ri me të cilin dhe do “ta zyrtarizonte” involvimin e saj në Kosovë.
Ndërkohë, policët shqiptarë mund të lirohen, por Serbia do të vazhdojë “ta luajë lojën” me Kosovën, përderisa bashkësia ndërkombëtare të jetë një arbitër që lejon “lojën me brutale” të saj ndaj një kundërshtari të pambrojtur.