Nuk mbahet në mend që një ligj të ketë shqetësuar më shumë opinionin e Kosovës sesa Kodi Penal i Kosovës, me dy nene të kontestueshme të tij. Më shumë se askush tjeter me këto dy nene u shqetësua komuniteti i gazetarëve, për shkak se këto dy nene të Kodit Penal të Kosovës ndër gazetarë ”mbillnin frikën” se “lënë hapësirë për interpretim” dhe se “mund të ndikojnë” negativisht në “lirinë  e shprehjes dhe në lirinë e medieve”.


Gazetarët e Kosovës nuk i kishim parë asnjëherë më parë më të mobilizuar në “mbrojtjen e tyre. Në fakt, në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të lirisë së medieve”.

 

Tash këto dy nene të Kodit Penal të Kosovës gjinden “në duart” e një shpëtimtareje të vetme, presidents së Kosovës që t’i kthejë ligjin Kuvendit dhe ta nxjerrë Kosovën nga rreziku që të rradhitet ndër vendet që me ligj shkelin lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve. Kjo është arsyeja që po bëj këtë shkrim, jo për t’iu drejtuar presidentes së vendit që të jetë e kujdesshme, por që të mos shfaqi asnjë dilemë se këto dy nene mund t’i bëjnë dëme Kosovës dhe përpjekjeve të saj për t’i demokratizuar marrëdhëniet në shoqëri përgjithësisht, pavarësisht votimit që i është bërë këtij ligji në Kuvendin e Kosovës, e ndërgjegjshme se deputetët që kishin votuar në mbështetje të tij kishin “shkelur me dy këmbët” lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve.
Duke pritur reagimin e presidentes së vendit,përkujtoj se Kosova e ka për të drejtë dhe detyrim që t’i përmbahet Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokolleve të saj”. Përveç kësaj, Kosova e ka për të drejtë dhe detyrim që çështjes së lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve  t’i adresohet në përputhje, jo vetëm me ligjet, por dhe më praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.
Duke vepruar në përputhje sipas nenit përkatës të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidentja e shtetit nuk ka rrugë tjetër përveçse, duke konstatuar se nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal janë në kundërshtim me nenet përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, t’ia kthejë në rishqyrtim Kodin Penal Kuvendit të Kosovës i cili “kishte ndgritur duart për të”, pa vra fare mendjen  se “çfarë mëkatësh po bën” duke e miratuar atë së bashku me dy nenet shumë të përfolura.
Cfarë, në të vërtetë, përmbajnë këto dy nene të Kodit Penal të Kosovës?
Në nenin 37 të Kodit Penal të Kosovës gazetarët dhe mediet shkëputën nga të gjithë personat e tjerë apo entitetet ligjore që potencialisht mund të shkaktojnë vepra penale. Kjo do të mund të bëhej me shpërndarjen e llojeve të caktuara të informatave. Përkthyer në një rast konkret, një gazetar mund të mbajë përgjegjësinë për një person tjetër.
Në nenin 38 të Kodit Penal të Kosovës nuk specifikohet qartë përgjegjësia e gazetarit ose mediave, sepse nuk specikohet  qartë situata në të cilën do të mund të ndodhej një gazetar ose mediat kur shpërndajnë llojin e caktuar të informatave.
Duke qenë se me këto dy nene të Kodit Penal të Kosovës jo vetëm që kërcënohet, por edhe rrezikohet drejtpërsëdrejti, liria e shprehjes dhe liria e medieve, gjykojmë se, në mbrojtje të tyre, Kodi Penal, përkatësisht dy nenet famoze të tij, duhet të rishikohen në Kuvendin e Kosovës dhe vetë deputetët  të bindën për dëmin që ato dy nene mund t’i shkaktojnë lrisë së shprehjes dhe lirisë së medieve. Nëse herën e parë nuk kanë qenë shumë të ndërgjegjshëm dhe të vëmendshëm se çfarë po votojnë, herën e dytë kanë mundësinë që të vetëdijësohen dhe që të mos e përsërisin gabimin e bërë. Këto nuk janë sëmundjet e para të demokracisë, por vetë sëmundje e demokracisë.